Artistët kërkojnë mbështetje financiare: Pagat qesharake, rritja e tyre e harruar nga qeveria

0
353

Artistët kërkojnë rritje page, por kërkesa e tyre deri tani nuk ka pasur vëmendje nga institucionet. Ata shprehen se kjo ka qenë një nga pikat në kërkesat, që ata i janë drejtuar dhe më parë Ministrisë së Kulturës, por dhe 2020 sipas tyre do të vijojë me të njëjtën gjendje. Artistët shprehen se ata do të vazhdojnë me këtë kërkesë dhe Ministria e Kulturës duhet të kuptojë që pagat janë jetike për artistët. Në reagimin e tij tenori Rudi Sata shprehet se deri tani kjo kërkesë, që është bërë në drejtim të Ministrisë së Kulturës ka rënë në vesh të shurdhër.

“Paga është jetike jo vetëm për artistin, por për çdo punonjës, por është një zë i shuar totalisht, inekzistent dhe i harruar nga qeveria që nga 2013 e deri në 2020. Ajo që më frikëson mua është se nuk do të ketë më rrije page për artistët, sepse buxheti është miratuar tashmë, 20202 është hequr. Rroga e një artisti është mediokre, dhe trumbetohet sikur institucionet tona të artit janë në të njëjtën performancë me institucionet e tjera jashtë. Rrogat e artistëve janë qesharake, janë diskriminuese. Artisti është i përbuzur dhe rroga mesatare, ku artistët ndahen me kategori është te 60 mijë lekë të reja”, pohon tenori.

Në reagimin tij tenori Rudi Sata, i cili herë pas here ka qenë kritik ndaj ministrisë, shprehet se në Kosovë artistët kanë qenë më të organizuar në kërkesat e tyre. “Në Kosovë artistët janë shumë më të përgjegjshëm dhe dinë të kërkojnë të drejtat e tyre, ata kanë bërë dhe greva, kanë bërë dhe bojkotim të shfaqjeve dhe ia kanë arritur të realizohen kërkesat e tyre, që janë të drejta. Po te ne fajtor është edhe vetë artisti. Unë kam bërë një pyetësor më parë dhe një nga pyetjet ishte dhe rritja e pagës dhe asnjë artist nuk e firmosi. Ky është fakti”, tregon tenori Rudi Sata.

 Rritja e pagave

Artisti i Cikur Kombëtar Julian Kazazi shprehet se pagat e artistëve janë të ndara në dy kategori, por sërish janë të ulëta për jetesën në vend. “Teatri i Kukullave është një kategori aktori dhe është një pagë artistët. Në Cirkun Kombëtar është me kategori për artistët, është kategoria e dytë që ka një pagë diku te 50 mijë lekë të reja në dorë dhe kategoria e parë që paguhet diku te 60 mijë lekë të reja. Pra këto janë dy kategoritë, që paguhen artistët sot. Normalisht duke marrë parasysh që deri më sot artistët për të ushtuar profesionin e tyre iu është dashur, që me pagën e tyre të blejnë dhe bazën materiale, normalisht është shumë e vështirë, sidomos për një kryefamiljar kjo pagë”, pohon artisti Julian Kazazi, kryetar i Sindikatës së Artistëve të Cirkut Kombëtar njëkohësisht dhe kryetar i Sindikatës së Artistëve të Tiranës.

Në reagimin tij Kazazi shton më tej se si në vitin që lamë pas u rritën pagat e ushtarakëve, etj, por kërkesat e artistëve nuk u morën parasysh nga institucionet. “Në planet e Ministrisë së Kulturës me buxhetin, që kanë miratuar akoma nuk është detajua për t’iu ndarë institucioneve, por që në dijeninë tonë ende nuk ka një lloj përgjigje për rritjen e pagave, që i është kërkuar. Ne do të vazhdojmë me kërkesën tonë dhe do të bëjmë një takim, që ka mbetur pezull, shpresojmë brenda këtij muaji. Në 2019 u rritën pagat e ushtarakëve dhe policëve, dhe artistëve jo. Ne e kemi kërkuar, që dhe ne të ishim pjesë e asaj rrije page, por që kjo nuk ishte në vëmendjen e institucioneve”, vijon ai.

Rritja e pagave, që kanë kërkuar artistët është nga 5 deri në 10 për qind për sektorin e artit. Por artisti Julian Kazazi njëkohësisht dhe kryetar i sindikatës, shton më tej se ata janë në pritje që të realizohet. “Është kërkuar një rrije page nga 5 deri në 10 për qind për sektorin e artit dhe kulturës nga sindikata, dhe ajo është përllogaritur në bazë të institucioneve, por që deri tani nuk është marrë parasysh. Por ne jemi të vendosur për këtë dhe do t’ia parashtrojmë në takimin e radhës, që presim të zhvillohet me ministren. Ndoshta me buxhetin e ri mund të parashikohet rritja”, pohon Kazazi. Që në muajin e parë të këtij viti artistët vazhdojnë të pohojnë se jeta artistike vazhdon të mos ketë vëmendjen e duhur nga ministria, ku sipas tyre kanë munguar dhe takimet për këtë probleme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here