Miliarda dollarë pasuri korruptivae të fshehura jashtë vendit, dhjetra politikanë të rrezikuar nga Prokuroria e Posaçme

0
378

Postuar: 07/12/2019 – 07:47

Shumë politikanë, gjyqtarë, ministra e deputetë i kanë fshehur jashtë vendit paratë e vëna nga korrupsioni. Teksa nga dita në ditë pritet që të nisë puna për të luftuar korrupsionin, mjaft individë mendojnë se nuk do preken, pasi çdo të ardhur e kanë dërguar në parajsat fiskale si Maltë, Qipro, Zvicër, Panama, ishujt Kajman, etj. Që nga vitit 2011 e deri më sot nga vendi ynë kanë dalë plot 1.5 miliardë dollarë. Shifrat janë bërë publike nga një raport i “Global Financial Integrity” dhe të dhënat e siguruara nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Sipas raportit, që nga vitit 2011-2015 janë transferuar rreth 1.3 miliardë dollarë. Por nëse bëhet një kërkim në faqen zyrtare të ILDKP, transferta ka pasur dhe vitet e fundit. ILDKP ka paditur në prokurori disa gjyqtarë, deputetë, ish-deputetë dhe ish-ministra për fshehje pasurie dhe transferta jashtë vendit të dyshimta. Sipas ILDKP, vetëm një person ka transferuar mbi 9 milionë euro. Po ashtu të njëjtën gjë kanë bërë dhe individë të tjerë. Pra sipas të dhënave, gjatë 6 viteve të fundit plot 1.5 miliardë dollarë janë fshehur në parajsat fiskale, me qëllim që t’i shpëtojnë zbulimit nga SPAK. Sa i takon rrugëve që janë ndjekur, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka treguar se paratë dalin në mënyrë tokësore, ndërsa sipas një raporti të Byrosë së Sigurisë Diplomatike, pjesë e Departamenti Amerikan të Shtetit, fshihen kryesisht në Zvicër dhe vende si Malta, etj. Ndërsa vetë DASH në disa raporte thekson se një pjesë e madhe e parave të korrupsionit janë investuar në bregdet. Por me nisjen e reformës do nisë dhe gjurmimi i tyre. Në SPAK do ketë një departament të posaçëm dhe pavarësisht tentativave për t’i fshehur paratë, zyrtarët nuk do ja dalin aq lehtë. Struktura Speciale Antikorrupsion, një fokus të veçantë do u kushtojë parave të dërguara jashtë vendit. Për këtë gjë do bashkëpunohet me agjenci homologe ligjzbatuese, teksa gazeta ka siguruar listën e shteteve të para me të cilët do ketë bashkëpunim. Sipas burimeve, SPAK fillimisht do të operojë në bazë të marrëveshjeve që shteti ynë ka aktualisht me shtetet e tjera, por që më pas ato do të ndryshojnë, ku do ketë më shumë shkëmbim informacionesh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here