Postuar: 07/12/2019 – 07:35
Sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula së bashku me të tjerë artistë ngjiten të dielën në skenë, në një mbrëmje humanitare për prekurit nga tërmeti, që goditi vendin tonë. Koncerti do të zhvillohet në sallën e koncerteve në Katedralen e Kishës Ortodokse në Tiranë. Ftesës së sopranos i janë bashkuar 50 artistë nga fusha e muzikës dhe aktorë të shumtë, të cilët përmes kësaj mbrëmjeje do solidarizohen për të mbledhur fonde në ndihmë të të prekurve nga tërmeti. Sopranoja Inva Mula u shpreh se kjo mbrëmje bamirësie del nga zemra e artistëve. “Kjo është një mbrëmje humanitare, që secili nga ne të sjell në mesazh. Mbi 50 artistë kërkuan, që të jenë pjesëmarrës. Unë mendoj se kjo është vetëm një nisëm, veçoj këtu profesor Robert Radojën, i cili më tha: Si mund që t’ju ndihmoj? Kemi Irma edhe Eranda libohova, Aurela Gaçen, Jonida Maliqi, Eva Golemin, Vikena Kamenica, Enada Hoxhën etj. Apo edhe shumë aktorë, si Eva Alikaj, Mirush Kabashi, Elia Zaharia, Zamira Kita etj”, u shpreh sopranoja Inva Mula. Skenaristi Pandi Laço mes të tjerave u shpreh se si asnjëherë më parë, të gjithë artistët shqiptarë kanë shprehur dëshirën për të qenë bashkë, për t’u dhënë kurajo njerëzve, që janë prekur nga tërmeti. “Mendoj se asnjëherë artistët nuk kanë qenë kaq të bashkuar edhe kaq shumë për një kauzë. Është hera e parë! Do të shtoja që qëllimi nuk është vetëm mbledhja e fondeve, sepse sot është një aksion jo kombëtar, por ka kaluar përmasat ndërkombëtare. Është një mision yni për të sjell një mesazh, sepse shqiptarët nuk gjetën vetëm solidaritetin e humbur, por u larguan nga mosmarrëveshjet edhe debatet politike që na shoqërojnë përditë, për herë të parë shqiptarët janë bërë një, janë solidarizuar edhe e rëndësishme është që të gjendet kurajo për të ndërtuar të ardhmen”, tha Laço. Albi Greva, si një nga organizatorët e kësaj mbrëmje humanitare më herët shprehej se çdo kontribut do ti bashkohet fondit që do të shkojë për rindërtimin një prej shkollave 9-vjeçare te rrënuara nga fatkeqësia e 26 nëntorit. “Më shumë do jemi, më mirë do bëjmë”, shprehet ai.