BE reagon për krimet e luftës në Kosovë: Ngjarjet në Reçak janë të pamohueshme

0
366

Bashkimi Evropian ka reaguar dje ndaj deklaratave provokuese të autoriteteve serbe lidhur me mohimet e krimeve të luftës në Kosovë, duke thënë se pohime të tilla janë në kundërshtim të vlerave të BE. “U takon gjykatave të përcaktojnë nëse deklaratat përbëjnë vepra penale. Dënimi duhet të jetë proporcional dhe të marrë parasysh të gjitha elementet e çështjes”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, duke shtuar më tej që autoritetet duhet të punojnë për një vlerësim të ndershëm dhe të vërtetë të së kaluarës për respektimin e viktimave. “Një gjë është e qartë, nuk ka vend për të mohuar ose relativizuar ngjarjet që ndodhën në Reçak, në Kosovë, në janar të vitit 1999. Mohimi dhe revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe janë në kundërshtim me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Pisonero, duke iu referuar deklaratës së presidentit serb Vuçiç, që erdhi si reagim ndaj vendimit të Gjykatës Themelore që ka dënuar me 2 vjet burgim ish-ministrin e Qeverisë së Kosovës, Ivan Todosijeviç.

Walker dënon propagandën e Serbisë

Edhe ish-ambasadori i misionit të OSBE gjatë kohës së luftës, William Walker, tha dje se nuk është i befasuar lidhur me deklarimet e zyrtarëve nga Beogradi. Walker, i cili gjatë luftës kishte alarmuar botën për masakrën e Reçakut, në një deklaratë ka thënë se kjo nuk është hera e parë që zyrtarë të Beogradit bëjnë deklarime të tilla. Emri i tij u përmend një ditë më parë në deklaratën e Vuçiç. “Kjo nuk është hera e parë që në 20 vjetët e fundit që zyrtarë nga Beogradi më kanë quajtur me emra të ndryshëm dhe kanë bërë trillime rreth asaj se çfarë ka ndodhur në Reçak. Ka dëshmi të shumta se kjo ka ndodhur. Unë kam qenë pjesë e varrimit të 40 e më shumë njerëzve të cilët ishin vrarë dhe masakruar atje. Kemi bërë një hetim dhe hetime të tjera janë bërë gjithashtu për këtë masakër e të gjitha kanë ardhur në përfundimin e njëjtë, sikur ajo çfarë kam thënë unë. Më vjen keq që zotëri Vuçiç nuk pajtohet me këtë dhe që mendon ndryshe. Në 20 vjetët e fundit, vazhdimisht qeveria në Beograd ka tentuar të mohojë atë se çfarë kanë bërë forcat e tyre policore në fshatin e pambrojtur të Reçakut”, ka thënë Walker.

Mosdënimi i përgjegjësve

Walker tha se është tejet i shqetësuar me mosdënimin e personave të cilët kryen këtë masakër, derisa shton se nuk pret që Serbia të dënojë deklarata të tilla fyese. “Masakra e Reçakut ishte bërë nga forcat e sigurisë së Beogradit dhe kushdo që ka qenë përgjegjës për atë masakër, duhet të dalë para drejtësisë. E di që kjo ende nuk ka ndodhur dhe kam frikën se Serbia pretendon se që kjo masakër është mashtrim i rrejshëm. Por, mendoj se bota e di më mirë”, ka thënë ai. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç duke folur për dënimin e ish-ministrit Ivan Todosijeviç, e quajti vetë masakrën e Reçakut trillim e të inskenuar nga Walker. Zyrtari i Listës Serbe, ndërkaq, u dënua me 2 vjet burgim, pikërisht se kishte bërë deklaratën e njëjtë për këtë masakër. Megjithëkëtë, Prokuroria Speciale nuk ka dhënë informata nëse për deklarimet e Vuçiç do të mund të nisë një hetim. Deklarimet e Aleksandër Vuçiç i ka dënuar ndër të tjerë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj. “Urrejtja patologjike e Vuçiç ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklarimin e tij të fundit, se ‘masakra e Reçakut e cila tronditi mbarë botën në vitin 1999 është e fabrikuar’. Ky qëndrim dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviç”, tha Haradinaj.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here