Policia ka shkuar disa herë në banesën e Agim Kajmakut nisur nga urdhër-arresti që Prokuroria ka lëshuar për të. Mirëpo ndërkohë mësohet se SHÇBA ka nisur verifikimet për disa punonjës policie pasi dyshohet se është dekonspiruar operacioni për sa i përket urdhër arrestit të lëshuar për Agim Kajmakun.
Policia e Tiranës e ka marrë kërkesën për arrestim që në datë 9 Nëntor.
Prej gati 10 ditësh kontrolle janë kryer edhe në rrethinat e Tiranës tek disa të afërm të Kajmakut, përveç dy banesave të tij njëra nga të cilat në emër të bashkëshortes së Kajmakut.
Kajmaku është shpallur në kërkim nga policia për akuzat e ”shpërdorimit të detyrës”, ”shkelje të ligjit të dekriminalizimit” dhe ”ushtrim të detyrës në përfundim të mandatit”. Sipas sistemit TIMS-s, ish-kreu i bashkisë së Vorës rezulton të jetë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës sekuestroi telefonin e vartësit të Kajmakut, Gentian Picarit, i cili u zgjodh prej këtij të fundit si n/kryetar, pasi dyshohet se Picari nuk ka dhënë informacione për vendodhjen e Kajmakut dhe mund të ketë komunikuar me Kajmakun, por Picari (ish-shefi i kabinetit të Bashkisë së Vorës) ka bërë kërkesë në gjykatë për ta marrë sërish.