Prapaskenat, KED dhe SHBA-BE i presin shpresat presidentit për të bllokuar Kushtetuesen, ja si ranë skenarët për të nxjerrë jashtë loje Kuvendin

0
322

Në mes të muajit nëntor Gjykata Kushtetuese pritet të jetë gati. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka dërguar listën me kandidatët te Presidenca dhe Kuvendi gjatë ditëve të fundit dhe secili institucion ka një muaj afat të përzgjedhë anëtarët. Rreth një muaj më parë KED nxori listën e kandidatëve dhe doli në pah dhe rreziku që mund të vinte nga një mungesë koordinimi mes Presidencës dhe Parlamentit. Presidenca shpalli 3 vende vakante dhe në bazë të listave të kandidatëve, nëse Meta zgjidhte Arta Vorpsin, Besnik Muçin dhe Elsa Toskën, do e linte Kuvendin pa kandidatë për një vend vakant. Mirëpo situata ka ndryshuar. KED ka dërguar lista te Kuvendi dhe te Presidenca për dy vende vakante të shpallura nga secili institucion. Ndërkohë për vendin e tretë vakant të Presidencës gara u rihap. Pikërisht kjo strategji e hedh në erë skemën që bllokon kandidatët e Kushtetueses. Më konkretisht, për vendin vakant të shpallur nga Presidenca, më datë 07.02. 2018, KED ka propozuar si kandidatë: Arta Vorpsin, Elsa Toskën, Besnik Muçin dhe Regleta Panajotin. Ndërsa për vendin e shpallur vakant po nga Presidenca më 04.03.2019 kandidatë finalë janë: Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari. Ndërsa sa i takon Kuvendit, për vendin vakant të datës 12.02.2018 janë propozuar: Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Besnik Muçi. Ndërsa për vendin vakant të datës 04.03.2019 kandidatë janë: Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska. Pra sido që të zgjedhë Presidenti, Kuvendit i mbetet nga një anëtar minimumi për të zgjedhur. Pra, nëse Meta zgjedh Arta Vorspin dhe Elsa Toskën, mbeten Besnik Muçi dhe Fiona Pajorgji. Sigurisht që Kuvend do jetë i kushtëzuar të zgjedhë mes tyre, por gara nuk bllokohet. Sipas burimeve, i gjithë procesi i përzgjedhje së anëtarëve është asistuar nga Euralius dhe Opdat. Jo pa qëllim gara për vendin e tretë vakant të hapur nga Presidenca u rihap, pasi nëse do kishte 3 vende vakante dhe Meta zgjidhte Arta Vorpsin, Besnik Muçin dhe Elsa Toskën, për vendin vakant të datës 10.02.2018, Kuvendi nuk do kishte asnjë kandidat.

Strategjia

KED pritej që t’i dërgonte presidentit Ilir Meta 3 lista me kandidatë për 3 vende vakante, por situata ndryshoi, pasi u eliminuan shumica e kandidatëve dhe në fund mbetën 2 emra. Por ligji parashikon që duhet të shkojnë 3 ose më shumë. Mirëpo e vemja që trazoi ujërat ishte kandidatja Zhaklin Peto. Ajo ju drejtua Gjykatës Administrative të Apelit dhe ajo rrëzoi KED duke e rikthyer në garë. Rikthimi i saj do të thoshte që Metës duhet t’i shkonin 3 lista. Por KED, në konsultim dhe me ekspertë e SHBA e BE vendosën që të skualifikojnë për të dytën herë Zhaklin Peton, pasi sipas tyre nuk i plotëson të gjitha kushtet. Kjo bëri që KED t’i kërkonte Metës të rihapte garën dhe këtë gjë bëri presidenti më 29 shtator. Pra duket se manovra me Peton, eliminoi një rrezik të madh që mund të vite nga Meta, i cili do bllokonte kandidatët e Kuvendit. Tani nuk ka asnjë pengesë dhe brenda një muaji, edhe sikur Kuvendi e Presidenca të mos zgjedhin asnjë emër, të parët zgjidhen automatikisht. Kushtetuesja do jetë ajo që do vendosë për fatin e Ilir Metës, nëse Kuvendi vendos ta shkarkojë nga detyra dhe për këtë arsye shihet me shumë interes ngritja e kësaj gjykate. 

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here