New York, Vuçiç kërkon nga Greqia të mos e njohë Kosovën

0
327

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kërkoi nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, që Greqia të mos e ndryshojë qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës, duke thënë se një gjë e tillë është e rëndësishme për Serbinë. Dy liderët u takuan në kuader të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, bëri të ditur shërbimi për media i Presidencës serbe. Sipas komunikatës së lëshuar të martën, Vuçiç tha se popullin serb dhe atë grek i lidh një miqësi e sinqertë dhe se është e nevojshme të punohet për forcimin e bashkëpunimit ekonomik. Vuçiç tha se e falënderon Greqinë për mbështetjen që i jep dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve. Në komunikatë thuhet se Vuçiç e njoftoi kryeministrin grek edhe me, siç u shpreh, problemet që kanë lindur pas vendimit të autoriteteve në Kosovë për t’iu vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia. Mitsotakis, në anën tjetër, tha se Greqia e mbështet dialogun, por konsideron se “veprimet e njëanshme nuk kontribuojnë në të”. Mitsotakis po ashtu tha se Greqia nuk ndryshon qëndrim kur është në pyetje njohja e Kosovës. Greqia, së bashku me Spanjën, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë, janë pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here