Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, është duke marrë pjesë në mbledhjen e 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që po mbahet në New York, ku është takuar me Sekretarin Gjeneral të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, me të cilin ka biseduar edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor. Presidentja kroate në këtë takim me Guterres ka ngritur shqetësimet për përpjekjet që të ketë pazare me kufijtë, duke thënë se një shkëmbim i mundshëm i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të hapte “Kutinë e Pandorës” në Evropën Juglindore. Ajo ka thënë se një ide e tillë do të nxiste edhe lëvizje të tjera të kufijve në të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë.“Përmenda edhe shkëmbimin e territoreve dhe thash se ajo është një ide shumë e keqe që do të hapte kutinë e Pandorës dhe që do të çonte në kërkesa të ndryshme për shkëmbime territoresh në tërë territorin e ish-Jugosllavisë”, ka thënë presidentja kroate, shkruan Total-Croatia. Në këtë takim, gjithashtu, është diskutuar edhe për situatën në Bosnje e Hercegovinë, ndërkohë Kitaroviç ka thënë se shteti i saj do të bëjë gjithçka që është e mundur për të ruajtur qetësinë në rajon. “Do të ndihmojmë në stabilizimin e mëtejshëm të situatës dhe në zgjidhjen e çështjeve të cilat kanë mbetur ende pa u zgjidhur”, ka shtuar tutje ajo. Ideja për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve është ngjizur në Forumin e Aplbachut në Austri, ndërkohë është kundërshtuar ashpër nga Gjermania dhe Franca. Kitaroviç që nga fillimi ka kritikuar një ide të tillë për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një gjë të tillë ajo ia ka thënë edhe Hashim Thaçit gjatë një takimi dypalësh që kanë pasur. Presidentja kroate, gjithashtu, ka treguar se Guterres është interesuar të dijë se çfarë do të bëjë Kroacia përgjatë kohës sa do të drejtojë Bashkimin Evropian.