Tërmeti i ditës së shtunë shkaktoi shumë dëme materiale në pjesën qendrore të vendit. Në Tiranë, Durrës dhe Elbasan ka pasur jo vetëm shtëpi të dëmtuara, por edhe institucione shtetërore. Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako bëri ditën e djeshme një bilanc të tërmetit 5.8 ballë që kapi territorin e vendit. Gjatë një interviste televizive, ai deklaroi se në total janë 1.528 shtëpi të dëmtuara, nga të cilat 50 janë shkatërruar tërësisht. Më tej, kreu i Emergjencave Civile u shpreh se nga tërmeti janë dëmtuar edhe 34 shkolla dhe 13 universitete publike, duke shtuar më tej se dëmtim të lehtë fare kanë marrë vetëm dy ura. “Nga raporti i fundit operativ, rezulton që janë raportuar 1528 objekte të dëmtuara, nga të cilat janë shkatërruar plotësisht 50 banesa, kryesisht në zonat rurale, janë plasaritur rreth 160 pallate, një qendër shëndetësore, 34 shkolla, 13 universitete publike, 2 kabina elektrike, 1 magazinë, 2 ura, 4 automjete. Të gjitha këto janë duke u monitoruar dhe vlerësuar situatën drejtpërdrejt. Mjetet u dëmtuan nga rënia e suvave dhe materialeve të ndryshme. Nuk duket të ketë dëme në strukturë të godinave në përgjithësi, por edhe të Gjeologji-Minierave, nga të dhënat e deri tanishme. Janë një sërë fshatrash të Durrësit, por edhe të Tiranës, Ndroqit, Vorës, Maminasit, ku banesat janë shkatërruar. Banorët janë sistemuar, është çuar një numër i konsiderueshëm çadrash për ata që nuk kanë dashur të largohen nga banesat e tyre”, u shpreh kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako.
Reagon Ministria e Infrastrukturës
Por një bilanc të dëmeve që la pas tërmeti i të shtunës bëri edhe Ministria e Infrastrukturës. Ministrja Belinda Balluku mblodhi dje në një konferencë ekspertë të institutit të ndërtimit dhe inxhinierë për të ngritur grupin e vlerësuesve për qëndrueshmërinë e objekteve që kanë pësuar dëme. Ministrja e Infrastrukturës deklaroi se tërmeti i së shtunës nuk ka shkaktuar asnjë dëm në akset rrugore, ku theksoi se të gjitha ato janë të aksesueshme. Po ashtu, Balluku u shpreh se as në porte, aeroport apo ura nuk ka pasur asnjë dëm. Balluku tha se qeveria shqiptare ka përballuar me profesionalizëm gjendjen emergjente, e cila u krijua fundjavën që lamë pas. “Ministria e Infrastrukturës deklaron se të gjitha akset rrugore janë të aksesueshëm, përfshirë edhe ato zona që u prekën nga tërmeti i 21 shtatorit. Ujësjellësit janë të gjithë funksionalë. Portet dhe aeroportet e Shqipërisë kryejnë funksionet me normalitet të plotë. Kryeministri Rama ka treguar së bashku me qeverinë e tij se ka aftësi menaxheriale si ai dhe qeveria jonë dhe kemi performuar në mënyrën më të mirë dhe sot po marrim masa për zgjidhjen e situatës. Kryeministri Rama ka menaxhuar më së miri këtë emergjencë civile. Aktet e verifikimit duhen mbyllur sa më shpejt për 500 ndërtesat e deklaruara me pasoja nga tërmeti, e me pas të vazhdojmë me aktet e vlerësimit. Jemi me fat sepse nuk kishte viktima. Kemi kërkuar ndihmën e inxhinierëve të nderuar”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës. Balluku shtoi se janë bërë verifikimet në disa zona në Tiranë, si në Astir dhe Kombinat, nga ku ka rezultuar se nuk kishte dëmtime të konstruksionit. “Rasti i banesës tek Astiri nuk ishte serioze, kishte vetëm çarje të suvasë. 6 pallate në Kombinat me dëmtime të lehta”, u shpreh Balluku.
Elisjeda Kiko