Rreth 12.500 persona kanë humbur jetën në Gjermani si pasojë e temperaturave të larta në periudhën nga 6 prilli deri më 2 gusht të këtij viti, njoftoi sot Instituti “Robert Koch”.
Shifra e re është më e lartë se vlerësimi i mëparshëm prej 11.900 viktimash për të njëjtën periudhë.
Sipas institutit, nga 12.500 vdekjet e vlerësuara, 9.600 janë regjistruar vetëm gjatë javës 22-28 qershor, kur në disa zona të Gjermanisë temperaturat kaluan 41 gradë Celsius.
Instituti “Robert Koch” thekson se viti 2026 është vit rekord për vdekjet e lidhura me të nxehtin. Deri më tani, numri më i lartë ishte regjistruar në vitin 2018, me rreth 9.400 viktima.
Ministri gjerman i Mjedisit, Carsen Schneider, ka kërkuar sërish ndryshime në Kushtetutë, në mënyrë që qeveria federale të ketë më shumë kompetenca për mbrojtjen e popullsisë nga temperaturat ekstreme.
Ai deklaroi për ARD se qeveria mund t’i ndihmojë bashkitë në raste të veçanta, për shembull duke financuar ekspertë për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, por nuk mund të financojë masa si krijimi i zonave me hije apo zëvendësimi i sipërfaqeve të asfaltuara për shkak të kufizimeve kushtetuese.
Schneider propozon krijimin e një përgjegjësie të përbashkët mes qeverisë federale dhe landeve, që do t’i lejonte Berlinit të mbështeste financiarisht qytetet dhe komunat për zbatimin e masave kundër të nxehtit.
Sipas marrëveshjes së koalicionit, CDU, CSU dhe SPD kanë rënë dakord të shqyrtojnë mundësinë e krijimit të këtij mekanizmi.








































