Kadastra informon qytetarët mbi kriteret dhe procedurën që duhet të ndiqet për kalimin e tokës bujqësore nga përdorimi në pronësi. Sipas Kadastrës, procesi zhvillohet në bllok kadastral, ku Drejtoria Vendore shqyrton njëkohësisht të gjitha kërkesat e paraqitura për tokat që ndodhen në atë zonë. Për të përfituar nga ky proces, qytetarët duhet të kenë bërë kërkesë pranë Njësive të Vetëqeverisjes Vendore deri më 7 nëntor 2020.
Gjithashtu, ata duhet të jenë përdorues faktikë të tokës dhe të mos kenë përfituar më parë titull pronësie për të. Një tjetër kriter është që kryefamiljari të ketë qenë anëtar i ish-kooperativës bujqësore ose ndërmarrjes bujqësore, ndërsa duhet të vërtetohet edhe banimi në territorin përkatës. Në këtë procedurë mund të përfshihet toka bujqësore e kategorive arë, pemëtore, vreshtë dhe ullishte, me kusht që të mos jetë në pronësi të personave të tretë. Gjithashtu, toka nuk duhet të jetë pjesë e investimeve strategjike, proceseve të kompensimit apo të jetë e zënë nga ndërtime pa leje.
Pas verifikimeve në terren dhe përgatitjes së dokumentacionit tekniko-ligjor, lista e përfituesve publikohet për 30 ditë. Më pas, ajo i përcillet këshillit bashkiak për miratim. Në përfundim të procedurës, aplikuesi pajiset me vendimin për kalimin e tokës bujqësore nga përdorimi në pronësi. Ky vendim mund të regjistrohet më pas në regjistrin kadastral. Kadastra thekson se procedura synon të formalizojë të drejtat e përdoruesve faktikë të tokës bujqësore dhe të qartësojë statusin e pronësisë së saj.







































