Trajneri Edi Reja ka bërë një përmirësim të gjendjes së Kombëtares pas katastrofës që la pas Kristian Panuçi, duke mbledhur teknikisht dhe faktikisht grupin dhe duke përmirësuar gjendjen psikologjike të skuadrës, e cila në dy ndeshjet e fundi nën drejtimin Rejës ka bërë performancë të mirë, paçka se dueli ndaj Islandës u humb 1-0, dhe fituam ndaj Moldavisë 2-0. Reja nuk guxoi të bënte ndryshime emrash për ndeshjet e qershorit, duke u bazuar tek elementët e mëparshëm, por përmirësoi dukshëm lojën në aspektin mbrojtës dhe në një farë mase iu kthye strategjisë së De Biazit me mbrojtje solide e kundërsulm të shpejtë, me një formacion të zgjedhur të skemës taktike 3-5-2. Natyrisht, disa lojtarë po kapin moshën e “pensionit” dhe Kombëtarja ka nevojë të vazhdueshëm për rinovim, por ka të tjerë që po shndërrohen në aktorë të rëndësishëm në fushë me skuadrat e tyre dhe një prej këtyre lojtarëve është mesfushori i Breshias, Emanuele Ndoji. Ai bëri një edicion të mrekullueshëm sezonin e shkuar, duke qenë në top-20 lojtarët më të mirë të Serisë B dhe bashkë me Breshian e tij do të luajë edicionin tjetër në Serie A. Por futbollisti ka pësuar një dëmtim që mund t’i kushtojë, madje rrezikon të jetë jashtë ndeshjeve të Kombëtares që luhen në muajin shtator kundër Francës dhe Islandës. Sikurse shkruajnë mediumet sportive italiane, Ndoji ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale. Në fakt, një nga afrimet e shumta në Kombëtare, është pra edhe mesfushori i Breshias, Emanulue Ndoj, i cili këtë sezon do të luajë me skuadrën e tij në Serinë A italiane. Mesfushori kuqezi, kaloi një sezon mjaft të mirë me skuadrën dhe nisën interesimet e para për shërbimet e tij, ndërkohë që mediat italiane flisnin edhe për një kalim të mundshëm te skuadra e Milanit. Kur në Itali flasin për të dhe momentin më të mirë, Ndoj ka pësuar një dëmtim të rëndë në kyçin e këmbës dhe është larguar nga grumbullimi me skuadrën e tij. Dëmtimi i pësuar, e ka detyruar që të bëjë edhe një ndërhyrje kirurgjikale dhe mediat italiane flasin për një dëmtim që mund ta mbajë larg fushave për shumë kohë. Në kushte të tilla, drejtuesit e Breshias kanë nisur nga puna për të gjetur një pasues të Ndojit, duke shpresuar që mesfushori i Kombëtares të rikthehet sa më shpejtë në fushë me skuadrën.
Bulku merr detyra nga Reja, vrojton kuqezinjtë në Europa League
Ndërsa Ndoji pret të njihet me kohën që i duhet për rikuperim, trajneri Edoardo Reja vijon të japë udhëzime për kuqezinjtë nëpërmjet kontakteve telefonike dhe rrjeteve sociale, si dhe duke bashkëpunuar me vartësit e tij për çështje të veçanta, sikurse janë lojtarët kuqezinj që luajnë në kampionatin shqiptar, apo ata që luajnë në Ligën e Europës. Kështu, në ndeshjen mes Partizanit dhe Sherif Tiraspolit, e cila ishte e vlefshme për turin e dytë eliminator Ligës së Europës, në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ ishte i pranishëm edhe Ervin Bulku, i cili është pjesë e stafit të trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, Edi Rejas. Bulku është në ndjekje të elementëve për kuqezinjtë, ndërsa disa lojtarë të Partizanit janë në radarët e Kombëtares. Një ftesë për në Kombëtare pret Jasir Asani, pas një sezoni fantastik me të kuqtë, megjithatë sulmuesi ishte i pafat teksa në ndeshjen e sotme, trajneri italian Lerda, nuk e kishte hedhur në fushë nga minuta e parë, duke e aktivizuar në pjesën e dytë. Ndërkohë, edhe një element tjetër i Kombëtares, si Lorenc Trashi, nuk e nisi nga fillimi lojën, por ndryshe nga Asani, mbrojtësi nuk zbriti për asnjë minutë në fushë. Megjithatë, Bulkut nuk i ka shkuar dëm rruga, pasi në vëmendje do të ketë qenë mesfushori Esat Mala, i cili është pjesë e shpresave. Sakaq, nga krahu tjetër, me skuadrën e Sherif Tiraspolit u aktivizua Liridon Latifi. Ish-sulmuesi i Skënderbeut, ka qenë më parë pjesë e Kombëtares, ndërsa tashmë kërkon të rifitojë vendin falë paraqitjeve me ekipin moldav.
Adriatik BALLA