Zbardhen detajet e vizitës së Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut në Moskë më 1957, ja elozhet e liderëve të Partisë Komuniste për BRSS

0
469

Zbardhen detajet e vizitës që Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu zhvilluan më 1957 në Rusi. Sipas raportimeve të “New York Times”, të dy liderët shqiptarë vlerësuan jashtë mase marrëdhënien me BRSS. Nga ana tjetër, tregohet se si Shqipëria donte të përmirësonte bashkëpunimin dhe me SHBA.

12 prill 1957

Udhëheqësit shqiptarë priten në Moskë

Kryeministri Mehmet Shehu dhe kreu i Partisë Komuniste Shqiptare Enver Hoxha u pritën sot në Moskë për bisedime me udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik. Rusët i bënë aleatit të tyre më të vogël një pritje të rangut më të lartë. Në stacionin e trenit ata u pritën nga kryeministri Nikolai Bulganin, kreu i partisë Nikita Hrushov, ministri i Jashtëm Andrei Gromujko dhe ish-ministri i Jashtëm Dmitri Shepilov tashmë sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste. Shqiptarët janë grupi i fundit i zyrtarëve nga vendet satelite që vijnë në Moskë pas rënies së revoltës anti-sovjetike në Hungari. Takime të mëparshme të këtij lloji kanë përfunduar me deklarata të përbashkëta mbështetjeje për politikat e Kremlinit dhe premtime për rritje të ndihmës ekonomike. Duke folur për pritjen e sotme kryeministri shqiptar Shehu tha se populli shqiptar është i ndërgjegjshëm për faktin se Bashkimi Sovjetik është baza e fitoreve të tyre aktuale dhe të ardhshme. “Ne kemi ardhur në Bashkimin Sovjetik në një kohë kur marrëdhëniet tona vëllazërore janë më të forta se kurrë dhe kur uniteti i kampit socialist po i bën ballë me sukses të gjitha sulmeve”, tha Shehu.

16 prill 1957

Hrushovi bën thirrje për një botë më të sjellshme

Kreu i partisë sovjetike Nikita Hrushov në një frymë të rrallë miqësore tha sot se bota socialiste dhe ajo kapitaliste duhet të jetojnë përkrah njëra-tjetrës, gjatë pritjes për delegacionin shqiptar. Ai shtoi se ishte i sigurt se situata ndërkombëtare po përmirësohej dhe se gjithsesi dy kampet kundërshtare nuk kanë zgjedhje tjetër përveç bashkekzistencës paqësore mes tyre, pasi asnjëri nuk ka një rrugë shpëtimi jashtë planetit. Ky ishte një fjalim i papritur rikëshillimi nga kreu komunist i cili zakonisht gjen hapësirë në fjalimet e tij për të lëshuar disa hoka apo dhe kërcënime ndaj Perëndimit. Hrushovi foli nga salla kryesore e hotel Sovietskaja pranë Ambasadës Shqiptare, në nder të delegacionit të drejtuar nga Enver Hoxha, që ka ardhur në Bashkimin Sovietik për negociata ekonomike e politike.

Zhvillimet në Hungari

Edhe duke folur për ngjarjet në Hungari, Hrushov mbajti një ton shumë më të butë se zakonisht, duke thënë: Situata hungareze është pak e mprehtë, djegëse si speci hungarez. Këtij speci djegës i shtohet dhe Egjipti, por tashmë gjërat janë duke u qetësuar”. Ai më tej i shtriu dorën e miqësisë Jugosllavisë, me të cilën rusët dhe shqiptarët kanë pasur replika të ashpra. Hrushov tha se Jugosllavia është pak e llastuar dhe duke u kthyer nga Hoxha tha se Jugosllavia është e BRSS por më shumë e Shqipërisë. “Ne duhet ta korrektojmë këtë situatë. Nuk presim të arrijmë unitetin ideologjik brenda natës. Kjo do të kërkojë punë të vazhdueshme por unë jam optimist”. Duke parë njerëzit e ftuar në darkë, në tryezat e mbushura që po e dëgjonin, Hrushovi gjeti me sy ambasadorin jugosllav Vejko Miçunoviç që ishte në një cep të largët të sallës, dhe tha se “nuk është nevoja që i dërguari i Beogradit të qëndrojë në një vend aq të largët” dhe i kërkoi të vinte në tryezën kryesore. Kur diplomati i gjatë e i pashëm jugosllav u afrua ai u prit përzemërsisht nga të ftuarit dhe ngriti një dolli me rusët e shqiptarët, me të cilët vendi i tij kishte debatuar ashpër. Hrushovi tha se ishte i sigurt se populli jugosllav dhe të paktën disa nga udhëheqësit e tyre e dëshironin këtë miqësi me Bashkimin Sovjetik. “Ne kemi luftuar gjermanët dhe japonezët por nuk kemi luftuar kurrë kundër jugosllavëve dhe nuk dëshirojmë ta bëjmë”, tha Hrushov, duke shtuar se mezi priste kohën kur të gjitha akordet ushtarake të eliminohen dhe bota të mos ketë nevojë për to. Më vonë Hrushov i foli ambasadorit norvegjez duke thënë publikisht: “Ai është miku ynë, edhe pse ne nuk shkojmë mirë me NATO-n. Nuk ka arsye pse të mos e pëlqejmë”, dhe në linja të ngjashme foli dhe për ambasadorin francez.

17 prill 1957

Bulganin mbështet linjën e butë të Hrushov

Kryeministri sovjetik Nikolai Bulganin mbajti fjalimin e tij pas atij të Hrushov në darkën e pritjes së delegacionit shqiptar, ku në linja të njëjta tha se bota është gati për më pak tensione këtëpranverë. Me fjalë më solemne se Hrushov, kryeministri tha se Kremlini dëshironte që tensionet e kësaj vjeshte t’i linin vend ditëve më të qeta. “Tani që ndërhyrja në Egjipt ka përfunduar, ashtu si dhe kundër-revolucioni në Hungari, duket se ka mundësi për zbutje të tensioneve ndërkombëtare, për përmirësim të lidhjeve dhe zhvillim të kontakteve mes kombeve”, tha Bulganin. Sekretari i partisë shqiptare Enver Hoxha dënoi ato që quante tentativa të revizionistëve por shtoi se gjendja e keqe e marrëdhënieve me Jugosllavinë është për të ardhur keq. Kryeministri Mehmet Shehu tha se megjithë diferencat me Jugosllavinë “ne duhet të krijojmë kontakte me komunistët jugosllavë pasi kjo është në interesin tonë”. Ai tha më tej se shpreson se udhëheqësit jugosllavë të mendojnë në të njëjtën mënyrë.

18 prill 1957

Shqipëria, sovjetikët ofrojnë miqësi për Jugosllavinë

Bashkimi Sovjetik dhe Shqipëria, të cilat kanë kritikuar Jugosllavinë në termat më të ashpra javët e fundit, shprehën sonte dëshirën për të përmirësuar lidhjet. Në një deklaratë të përbashkët nga salla parlamentare e Kremlinit ku delegacioni i lartë shqiptar ka ardhur për vizitë, ato shprehën dëshirën që dhe qeveria e Titos ta mendojë në të njëjtën mënyrë. Dokumenti ishte nënshkruar nga Nikita Hrushov dhe Enver Hoxha i Shqipërisë dhe në të thuhet se “shumë varet nga Jugosllavia për këtë çështje”. Përfaqësuesit sovjetikë u treguan shumë të angazhuar në një bisedë me ambasadorin jugosllav Veljo Miçunoviç gjatë pritjes në Kremlin, por jugosllavët besohet se e presin lëvizjen me skepticizëm dhe do të preferonin që BRSS ta zbatojë deklaratën me vepra dhe jo vetëm me fjalë. Deklarata sovjeto-shqiptare sugjeronte gjithashtu se ekzistonte një mundësi për qetësimin e tensioneve në të gjithë botën dhe se marrëdhëniet Lindje-Perëndim tashmë mund të vendosen pas ndalimit të sulmit në Egjipt dhe shtypjes së komplotit në Hungari. Deklarata e përbashkët përsëriste pretendimin komunist se revolta në Hungari ishte pjesë e komploteve dhe intrigave të reaksionarëve ndërkombëtarë. Ajo paralajmëronte kundër përpjekjeve perëndimore për të trazuar ndjenjat kombëtare e nacionaliste me anë të termave si “komunizëm apo demokraci kombëtare”. Deklarata kritikonte Paktin e Ballkanit për bashkimin e Greqisë, Turqisë e Jugosllavisë, dhe theksonte se Greqia ishte anëtare e NATO ndërsa Turqia edhe e NATO edhe e Paktit të Bagdadit. Ndërsa çështjet ekonomike u përfshinë në një traktat të nënshkruar nga kryeministri sovjetik Nikolai Bulganin dhe homologu i tij shqiptar Mehmet Shehu. Aty rusët pranuan të anulonin borxhin prej 348 milionë rubla (87 milionë dollarë) të dhëna për ndërtimin e katërmbëdhjetë ndërmarrjeve industriale në Shqipëri. Një tjetër borxh i Shqipërisë prej 74 milionë rubla u anulua. Mes zotimeve të tjera ekonomike përfshiheshin 31 milionë rubla drithë, oriz e vaj vegjetal në gjysmën e parë të 1958 “me kushte lehtësuese kreditimi”.

19 korrik 1957

Kreu shqiptar takohet me ndihmësit e Titos

Udhëheqësit shqiptarë, bullgarë, jugosllavë e sovjetikë u takuan sot në një mbledhje shoqërore në një vilë pranë Moskës, raportonte agjencia sovjetike TASS. Në takim folën kreu sovjetik Nikita Hrushov, i cili kishte si audiencë kreun shqiptar Enver Hoxha, atë bullgar Todor Zhivkov dhe dy zv. presidentët jugosllavë Edvard Kardelj dhe Aleksandar Rankoviç. Njoftimi sovjetik thotë se Hrushov u takua veçmas me Zhivkov dhe me dy presidentët jugosllavë, në takimin që besohet gjerësisht si një pikë madhore kthese për t’i dhënë fund antagonizmave mes Jugosllavisë dhe fqinjëve të saj komuniste në Evropën Juglindore. Në takim ishte prezent ambasadori shqiptar në Moskë Mihal Prifti, ambasadori jugosllav Velko Miçunoviç si dhe anëtarë të familjeve të qeveritarëve. Përveç zotit Hrushov fjalime u mbajtën nga Kuusinen, Kardelj, Rankoviç, Hoxha e Zhivkov.

21 korrik 1957

Jugosllavia merr në konsideratë ofertën sovjetike

Komunistët jugosllavë raportohet se po marrin në konsideratë me kujdes mundësinë e ofruar për riafrim me Bashkimin Sovjetik, edhe pse jo sipas të gjitha kushteve të Nikita Hrushov. Në asnjë rrethanë, burimet nga Beogradi thonë se vendi nuk do të bashkohet me bllokun sovjetik dhe nuk do të dobësojë lidhjet e tij të pavarura me Perëndimin. Insistimi i hapur i kreut të Partisë Sovjetike, zotit Hrushov, gjatë vizitës në Pragë javën e kaluar ku tha se jugosllavët duhet t’i bëjnë këto dy gjëra bëri që udhëheqja e Beogradit të humbte shpresat për ndryshim të vërtetë në politikat e Kremlinit.

Bisedime në vjeshtë

Diskutimet politike mes Beogradit e Moskës mund të ndodhin kësaj vjeshte kur marshall Kliment Voroshilov i BRSS të vijë në Jugosllavi për një vizitë shtetërore. Beogradi është në pritje të bisedimeve ekonomike me BRSS si një provë për përkushtimin e vërtetë të Moskës. Jugosllavët kërkojnë që Rusia të respektojë premtimet e vonuara ekonomike të BRSS të bëra vitin e kaluar. Ato përbënin fillimisht rreth 250 milionë dollarë por ndërtimin e një impianti përpunim alumini në Malin e Zi, një hidrocentral dhe një fabrikë fertilizuesish në vende të tjera të Jugosllavisë. Moska i ka mohuar këto premtime në dimër gjatë konfliktit ideologjik me Titon dhe gjatë ngjarjeve në Hungari. Në fakt ajo që kërkojnë jugosllavët është rivendosja e marrëdhënieve miqësore me respekt ndaj të drejtave të secilit vend për të interpretuar komunizmin në mënyrën e tyre. Zyrtarët jugosllavë thonë se vizita e shtyrëdisa herë e Voroshilov me siguri do të kryhet para fundit të vitit dhe ndoshta që në shtator. Ende nuk është vendosur nëse Voroshilov do të shoqërohet nga zyrtarë të tjerë sovjetikë në vizitën e tij por nëse lideri Hrushov ose zëvendësi Mikojan do të vinin me të, vizita do të ishte më shumë se një çështje protokolli. Shtypi i Beogradit nuk i ka dhënë shumë rëndësi bisedimeve të mundshme dhe atyre të së enjtes në Moskë mes Hrushov dhe krahut të djathtë të Titos, Kardelj e Rankoviç, të cilët në mënyrë demonstrative kryen pushime dy javorë në Bashkimin Sovjetik dhe kanë mbajtur bisedime me Hoxhën e Shqipërisë dhe Zhivkov të Bullgarisë. Takimi kishte gjithashtu anën e tij shoqërore pasi me zyrtarët ishin dhe gratë e tyre. Megjithatënjëfarë marrëveshje apo mirëkuptim do të ketë ndodhur atje, zyrtarët nuk thonë gjë. Shumë komunistë në Beograd janë skeptikë për takimet me Hrushov.

7 gusht 1957

Në Beograd shihet kthesa e madhe sovjetike

Rrethet jugosllave raportojnë për ndryshime të mëdha të pritura nga Bashkimi Sovjetik për politikat e Evropës Lindore. Ato raportojnë se diskutimet e Titos me kreun sovjetik Hrushov i kanë bindur liderët se BRSS dëshiron me sinqeritet të punojë për një zgjidhje me më shumë pavarësi për satelitët e saj në Evropën Lindore. Në të njëjtën kohë ato thonë se vetë Hrushov nuk është i qartë në atë që ka shprehur mbi mënyrën sesi do të arrihet kjo, por kërkojnë që qëllimet e tij të mbështeten. Jugosllavët insistojnë se dëshira e Hrushov për ndryshim ishte dhe motivi kryesor i vizitës së tij në Çekosllovaki, i takimit me Marshall Tito dhe i udhëtimit në Berlinin Lindor. Ndryshimet në politika përkundër atyre në personelin udhëheqës janë më të rëndësishme aktualisht, thonë analistët jugosllavë. Kjo vlen dhe për udhëheqësin shqiptar Enver Hoxha megjithë konfliktet e ashpra me të, si dhe për një pjesë të personelit të Bullgarisë e Rumanisë. Nëse të tre këto vende ndryshojnë politikën relativisht armiqësore ndaj Beogradit duke u kthyer në fqinjë më të pranueshëm, atëherë për ta nuk ka rëndësi nëse udhëheqësit e tyre mbeten në poste. E njëjta mendësi ekziston për kryeministrin sovjetik Bulganin. Nuk ka dyshime se pozita e tij është në rënie pas hamendjes së gabuar për pasimin e udhëheqjes sovjetike, por gjithsesi pritet të mbajë postin gjysmë ceremonial të kryeministrit për disa kohë.

29 gusht 1957

Shqipëria kërkon lidhje me SHBA, por denoncon politikat e saj

Kryeministri shqiptar Mehmet Shehu ka bërë sot kombinimin e veçantë të apelit për rinisje të marrëdhënieve të vendit me Shtetet e Bashkuara, me një denoncim të ashpër ndaj politikave të Ajzenhauer-Dulles për Evropën Lindore. Shehu bëri sulmin e tij gjatë një interviste në SHBA e cila kulminoi me një vizitë në Shqipëri të gazetarit amerikan, e cila ishte e para në dhjetë vjet nga një gazetar amerikan në vendin e vogël ballkanik. Shqipëria komuniste, kryesisht myslimane është e vendosur në Adriatik dhe është e ndarë nga blloku sovjetik prej Jugosllavisë e Greqisë. Ajo ka ndërprerë marrëdhëniet me SHBA në vitin 1946. Kryeministri vepronte si zëdhënës i qeverisë shqiptare në mungesë të kreut të partisë Enver Hoxha, i cili është me pushime në Bashkimin Sovjetik. Shehu insistoi me forcë se qeveria e tij dëshironte normalizimin e lidhjeve jo vetëm me SHBA por dhe me kombe të tjera perëndimore, por ofertën e tij ai e shoqëroi me denoncim të politikave amerikane me një gjuhë të ngjashme me atë të “luftës së ftohtë”.

9 shtator 1957

Shqipëria duke dalë nga izolimi

Gazetari i parë amerikan që ka vizituar Shqipërinë në këto 10 vjet, ka raportuar se pas disa udhëtimeve në Shqipëri, do të ishte mjaft e thjeshtë të thoshe se vendi është një fragment i Rusisë staliniste, i cili në mënyrë anakronike ka arritur të mbijetojë në botën post-staliniste. Por kjo është vetëm njëra anë e monedhës, pasi udhëtari thotë se shpejt zbuloi se Shqipëria është një vend i harruar nga perëndimi. Tepër i varfër, i dëmtuar nga Lufta II Botërore dhe nga armiqësitë e ‘Luftës së Ftohtë’, Shqipëria po përpiqet ta përmirësojë veten me mjetet që i ndodhen, populli i të cilës ka pësuar vetëm tragjedi gjatë historisë. Vendi sot nuk është diçka e bukur për t’u parë, standardi i jetesës është më i ulëti në Evropë dhe vetëm në rajonet e largëta të Siberisë apo Azisë Qendrore mund të shihen kaq shumë njerëz të reckosur dhe pa mbështetje. Prej kohësh e harruar nga Perëndimi dhe e izoluar prej ‘Luftës së Ftohtë’ Shqipëria tashmë ka sy vetëm për Moskën. Kjo ishte përshtypja të cilën mori korrespondenti nga të gjithë ata me të cilët bisedoi, dhe sipas qëllimit të propagandës së Hoxhës, populli gjithashtu beson se vendi është i rrethuar me armiq, të cilët po ndalohen vetëm nga vigjilenca e forcave të armatosura dhe ndihma e Bashkimit Sovjetik. Qeveria shqiptare bën me faj për problemet dhe shqetësimet e popullit, Shtetet e Bashkuara. Shqiptarët jetojnë në një sistem që i bën të besojnë se bota është e mbushur me ‘armiq’ dhe më i madhi i tyre është SHBA. Megjithëse politikat zyrtare tashmë nuk e shprehin këtë, shumica e urrejtjes drejtohet ndaj Jugosllavisë, me të cilën Shqipëria lufton prej disa vitesh në kufirin malor mes vendeve. Greqia dhe Italia gjithashtu të identifikuara në propagandën komuniste shqiptare si aleate të Jugosllavisë në komplotin për nënshtrimin e Shqipërisë, janë gjithashtu në listën e përçmimeve shqiptare. Ndoshta një në çdo pesë gjashtë meshkujt të aftë shqiptarë është ushtarak, dhe kjo paranojë është një pengesë e madhe për zhvillimin ekonomik të vendit, prej varfërisë së trashëguar që prej regjimit të mbretit Zog. Standardi i jetesës është rritur disi, por regjimi është detyruar t’i nënshtrohet tërësisht politikisht e ekonomikisht sovjetikëve për të mbijetuar. Nëse udhëzimet e ndihma sovjetike e ka ndihmuar apo jo Shqipërinë, kjo është një çështje e hapur. Vendi ishte 99 për qind rural në kohën kur komunistët erdhën në pushtet dhe nuk mund të ushqente veten e tij. Normat e lindjeve ishin të larta, siç ishin dhe sëmundjet e uria. Masa e analfabetizmit qëndronte në rreth 85 për qind. Kishte disa koncesione të huaja për minierat, mbreti Zog ishte pronari më i madh i tokave dhe eksportues i produkteve ushqimore.

Nxitja industriale sovjetike

Ashtu si në të gjitha vendet e tjera evropiane, sovjetikët kanë nxitur edhe në Shqipëri industrializimin dhe kolektivizimin e bujqësisë edhe pse politikat e përmirësimit të prodhimit dhe fitimeve të fshatarëve privatë do të kishin përmirësuar më shpejt kushtet e jetesës së shqiptarëve. Përmirësimi i kushteve të jetesës nuk mund të provohet por ka pasur një dyfishim të rritjes së popullsisë. Ka pasur dhe një reduktim të përhapjes së sëmundjeve dhe kohët e fundit ka nisur një fushatë e gjerë lufte ndaj mizave, me postera por ndërgjegjësimin e publikut. Pleshtat e rriqat sulmohen me vajguri dhe insekticide të tjera. Shumë fëmijë, në kontrast me të rriturit, duken të shëndetshëm, ndërsa në zonat malore ata duken të pickuar nga insektet.

Përçmimi ndaj Perëndimit

Pro ka ende shumë punë për të bërë. Shumica e shqiptarëve janë ende tepër të varfër e tepër të paditur se kanë një rrugë të vështirë përpara. Nga mungesa e ushqimit ata kanë jetuar me përçmim dhe urrejtje ndaj “Perëndimit”, një koncept ky që përfshin mbretin Zog, pushtuesit italianë dhe Shtetet e Bashkuara. Ata ndoshta rezervojnë urrejtjen më të madhe për ata që propaganda komuniste quan “tradhtarë” duke iu referuar ish-klasës borgjeze, të cilët fajësohen nga regjimi se nuk kanë krijuar industri në vend. Drejtoresha ish-partizane e Muzeumit Kombëtar në Tiranë thotë se “borgjezia në vende të tjera ndërtoi industritë të cilat ndihmuan revolucionin. Ndërsa borgjezia shqiptare nuk e bëri këtë”. Muzeumi shtetëror është në ndërtesën që më parë strehonte xhandarmërinë italiane, ku shumë komunistë janë torturuar për vdekje. Instrumente dhe fotografi që tregojnë detajet janë ruajtur me kujdes. Teksa drejtoresha flet për dështimet e borgjezisë së vjetër shqiptare dhe arritjet e regjimit komunist, sytë e saj mbeten te instrumentat e torturës dhe mendimet e saj nuk janë të vështira për t’u lexuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here