Zbardhen vendimet e Asamblesë së Partisë Socialiste, sa i takon zgjedhjeve në parti. Dy ditë më parë kryeministri Edi Rama njoftoi se në shtator PS-ja do të futet në një proces zgjedhor brenda partisë, ndërsa në janar të vitit të ardhshëm do të mbledhë Kongresin. Ndërkohë që, gazeta ka siguruar edhe vendimet, ku jepen detajet mbi kriteret dhe mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve. Kështu, në vendim thuhet se 60% e anëtarëve të Partisë Socialiste, të cilët janë të punësuar në administratë përjashtohen nga Kongresi, ndërsa theksohet se ata duhet të jenë banorë të zonës ku zgjidhen. Po ashtu, në vendim thuhet se një nga kriteret që duhet të plotësojë një delegat i Kongresit ka të bëjë me pastërtinë e figurës dhe duhet që t’i përmbahet Kodit të Etikës në PS. “Kandidatët për delegatë të Kongresit të Partisë të plotësojnë këto kritere kryesore: Kërkesat e Nenit 37, pika 5 të Statutit të PS: “Delegatë të zgjedhur mund të jenë anëtarët e partisë, të cilët: a) Plotësojnë të gjitha kushtet e anëtarësimit të përshkruara në nenin 16; b) Janë banorë në territorin e organizatës së partisë ku zgjidhen; c) Janë anëtarë të partisë prej jo më pak se 12 muaj para datës së zgjedhjes”; Arsim i lartë; Kontribut dhe angazhim politik aktiv në strukturat e partisë, në zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme; Përgjegjshmëri politike dhe respekt ndaj interesave të anëtarësisë së partisë; Reputacion në anëtarësi, në strukturat e partisë dhe në komunitetin vendor; Vlera morale e shoqërore, pastërti ligjore të figurës së tyre, sipas kërkesave të Kodit të Etikës në PS; Jo më shumë se 40 % e kandidaturave të çdo bashkie të kenë një funksion shtetëror; 50 përqind e kandidaturave të jenë shoqe dhe 10 përqind të moshës deri 30 vjeç”, thuhet në vendimin e siguruar nga gazeta.
Kriteret për krerët e rinj të degëve
Por përveç zgjedhjeve për delegatët e Kongresit, kryeministri Edi Rama ka vendosur që të fusë në zgjedhje edhe degët e Partisë Socialiste. Gazeta ka siguruar vendimin e Asamblesë Kombëtare të PS, në të cilin jepen detaje mbi mënyrën e përzgjedhjes së krerëve të rinj të degëve socialiste. Kështu, në vendim thuhet se një nga kriteret që duhet të plotësojë kandidati për të qenë kryetar i degës së Partisë Socialiste ështëpërvoja në organizimin dhe funksionimin e strukturave vendore të partisë dhe arsimi i lartë.“Kandidatët për kryetar të partisë të bashkive të plotësojnë këto kritere: Arsim i lartë; Të jetë me vendbanim në territorin e bashkisë ku propozohet të zgjidhet. 3. Kontribut dhe angazhim politik të spikatur në veprimtarinë politike dhe elektorale te PS të paktën në dy zgjedhjet e fundit( 2017 e 2019); Përvojë në organizimin dhe funksionimin e strukturave vendore të partisë; Përgjegjshmëri publike dhe respekt ndaj interesave të anëtarësisë dhe reputacion në anëtarësi, strukturat e partisë dhe në komunitet; Aftësi drejtuese, vlerësim të punës në ekip si dhe aftësi të mira komunikimi publik; Angazhim për të njohur, ndjekur dhe zgjidhur problemet politike, organizata elektorale në bashkinë përkatëse. Këshilli Koordinues i partisë në qark bën verifikimin e plotësimit të kritereve, bën renditjen e tyre sipas vlerësimit përkatës dhe ia paraqet për miratim Kryesisë së PS. Deri 12 nëntor 2019”, thuhet në vendimin e Asamblesë së Partisë Socialiste të siguruar nga gazeta.
Rigels Seliman