Rama fut në skaner ministrat, të gjithë në raportim për përmbushjen e objektivave, kush ka dështuar rrezikon largimin në vjeshtë

0
341

Kryeministri Edi Rama ka futur ditën e djeshme në skaner qeverinë. Pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare dhe vendimit për të futur në zgjedhje Partinë Socialiste, duket se ka ardhur radha e anëtarëve të kabinetit qeveritar për të dhënë llogari para shefit të ekzekutivit. Ditën e djeshme i pari i qeverisë ka mbledhur ministrat dhe zv/ministrat në Pallatin e Brigadave. Në këtë takim mësohet se kanë marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla. Burimet bën me dije për gazetën se në mbledhje kreu i qeverisë ka kaluar në sitë punën e bërë nga drejtuesit e ministrive deri më sot si dhe ka vendosur objektivat e reja të kabinetit qeveritar për sezonin e ri politik që nis në Shtator. Sipas informacioneve, mësohet se Rama ka kërkuar llogari për secilin nga vartësit e tij, sa i takon objektivave që ata kanë arritur për këtë 6-mujor pune. Po ashtu, mësohet se shefi i qeverisë ka kërkuar nga ministrat edhe një shifër konkrete se sa ata kanë punuar për thithjen e investimeve të huaja dhe për të zbutur papunësinë. Ndërkohë që, mësohet se kryeministri Edi Rama iu ka kërkuar llogari ministrave edhe sa i takon ligjeve dhe marrëveshjeve që kanë çuar në Parlament. Ndërsa nga ana tjetër, mësohet se në mbledhjen e djeshme ministrat kanë dhënë llogari para shefit të qeverisë edhe sa i takon ecurisë së reformës në drejtësi, reformës në administratë dhe përmbushjes së kushteve të kërkuara nga Brukseli për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Kush ka dështuar rrezikon largimin në vjeshtë

Por gazeta ka mësuar se në mbledhjen e djeshme jo pak vëmendje ka pasur edhe përmbushja e objektivave për secilin nga ministrat. Në dhjetor kryeministri Edi Rama la për secilin nga vartësit e tij nga një dosje me objektiva. Kështu që, sipas informacioneve mësohet se kush ka dështuar, sidomos sa i takon përmbushjes së kushteve të kërkuara nga Brukseli, rrezikon largimin në vjeshtë. Momentalisht, qeveria ndodhet në një situatë që duhet të fitojë besimin e vendeve skeptike, në mënyrë që në tetor të arrijë të sigurojë çeljen e negociatave. Mirëpo, kjo arrihet vetëm duke realizuar dhe thelluar reformat. Dhe për këtë arsye kërkohen një sërë ndryshimesh në kabinetin qeveritar, ku pritet të emërohen ministra të rinj, të cilët duhet të jenë ekspertë të fushës që mbulojnë, me qëllim çuarjen përpara të reformave, sidomos atyre të sistemit të drejtësisë. Kryeministri Edi Rama deklaroi pak ditë më parë se nuk do ketë ndryshime në qeveri. Por duket se këto ndryshime do të vijnë në vjeshtë, nisur edhe nga fakti se edhe vitin e shkuar Rama ndoqi të njëjtën strategji. Asokohe ai tha se ndryshime në qeveri do të kishte në shtator, por realisht ato i bëri në fund të dhjetorit. Ndërkohë që, edhe pak kohë më parë kur bëri ndryshimet në qeveri Rama tha se ministrat janë në test deri në qershor të këtij viti, por ndryshime nuk bëri. Kështu që, me shumë gjasa ndryshime në qeveri do të ketë në vjeshtë nisur edhe nga ultimatumi që shefi i qeverisë iu la vartësve të vetë dy ditë më parë gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS. Megjithatë, mbetët për t’u parë në ditë në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here