Dalin në dritë të tjera detaje nga skandali me falimentimin e “Veneto Banka”. Ikja e bankës italiane nga tregu shqiptar ka kaluar jo pa bujë, pasi shumë punonjës dhe kredimarrës kanë mbetur në mëshirë të fatit. Për ata që nuk e dinë fiks historinë, në 2017 qeveria italiane vendos falimentin e rrjetit të “Veneto Bank”. Degët e saj në Shqipëri u shitën në vlerën simbolike prej 1 euro te “Intesa Sanpaolo Bank”. Por kreditë e këqija kaluan në administrim të një kompanie me seli në Napoli, e quajtur SGA. Kjo e fundit, kontraktoi kompaninë Tranzit, e cila operon në vendin tonë, për të mbledhur kreditë e qytetarëve shqiptarë. Futja në lojë e Tranzit ka ngritur shumë pikëpyetje, pasi drejtuesi i saj është drejtues i “Abi Bank”. Por sipas mediave italiane, Tranzit është kompani ruse dhe e regjistruar në parajsat fiskale. Sipas “Bankileaks”, Tranziti është i autorizuar nga Banka e Shqipërisë për të vepruar si institucion financiar jobankar. Ajo ofron mundësi të ndryshme financimi, këshillime financiare dhe asistencë për kompani në Shqipëri. Kjo kompani është pjesë e rrjetit NCH Capital Inc. Ky rrjet është themeluar në vitin 1993 dhe është një nga investitorët më të mëdhenj në Rusi, Evropën Qendrore e Lindore. Ka një kapital prej 3 miliardë dollarë. Që nga viti 2007, NCH zotëron dhe menaxhon disa kompani në të gjithë rajonin që ofrojnë kredi për kompanitë dhe sipërmarrësit në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë: ndërtim, turizëm, pasuri të paluajtshme, naftë dhe gaz, etj. NCH menaxhon rreth 3 miliardë dollarë kapital nëpërmjet një rrjeti prej nëntë zyrave në Rusi, në Evropën Lindore dhe në Brazil. Tranzit varet drejtpërdrejt nga NCH Balkan Fund, LP, një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar regjistruar në Ishujt Cayman, me numër regjistri MC-15214 dhe me seli në PO Box 309, Ugland House, South Church Street, George Toën, Grand Cayman, KY1-1104, Cayman Islands, (“NYCH Balkan”). (Sipas vendimit me shkrim të ortakëve të shoqërisë “Tranzit” shpk, datë 19.10.2009, të dorëzuar në QKB). Pronari i Tranzit është Adi Ballta, i cili drejton dhe ABI Bank.
Kolateralet e shqiptarëve
Pra, kemi një situatë aspak normale. SGA kontrakton një kompani offshore, e cila do të bëjë mbledhjen e kredive të shqiptarëve. Sipas klientëve të “Veneto Banka”, ndaj tyre është ushtruar presion i madh, pasi të gjithë janë njoftuar se duhet të paguajnë menjëherë detyrimet, ndryshe do nisin procedurat gjyqësore dhe të përmbarimit. Por kjo kompani nuk jep sqarime se ku janë kolateralet e lëna në bankë. Shumë kredimarrës kanë lënë tapitë e banesave, por ato janë zhdukur. Asgjë nuk figuron në regjistrin e Hipotekës apo Bankës së Shqipërisë. E gjithë kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës së Bankës së Shqipërisë. Nëse kjo e fundit do e kishte monitoruar si duhet largimin e “Veneto Banka”, gjithçka mund të kalonte pa probleme. Por kredimarrësit prej muajsh nuk marrin një përgjigje se çfarë do të ndodhë me ta. Lojërat me SGA dhe Tranzit kanë bërë që shumë qytetarë me 1 apo dy muaj vonesë, kreditë tu futen te kreditë e këqija. Intesa Sanapolo mori gjithë kreditë e mira, por kush kishte mbi 1 muaj vonesë kaloi te SGA duke bërë që të klasifikohen si të këqija.
Kliti Topalli/ Sot News