Ora e goditjes ndaj pushtetarëve të korruptuar duket se po afron. Reforma në Drejtësi ka 3 vite që është në zhvillim dhe vjeshta do sjellë frytet e para. Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, tha të martën se SPAK është pas dere dhe nuk do të tolerojë askënd. Po ashtu, ai deklaroi se do ketë rol të madh dhe FBI për të shfarosur krimin e organizuar dhe korrupsionin. Por gazeta ka mësuar se një pjesë e madhe e kandidatëve të SPAK janë trajnuar disa herë nga SHBA, BE dhe organizata të tjera në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës. Një gjë e tillë bëhet e ditur në një raport të Ministrisë së Drejtësisë sa i takon ecurisë së reformës në drejtësi në 3 muajt e parë të këtij viti. Aty theksohet qartë se kanë nisur prej muajsh trajnimi me qëllim goditjen e të korruptuarve. “Pavarësisht faktit që Gjykata dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk janë konstituuar akoma, Shkolla e Magjistraturës ka zhvilluar 5 trajnime rreth veprave penale që janë kompetencë e këtyre organeve, të gjitha të financuara nga buxheti i Shkollës. Numri total i pjesëmarrësve është 79 persona, ndër të cilët 29 gjyqtarë, 32 prokurorë (Nga 25 kandidatë të SPAK, 9 prej tyre janë të përfshirë në proces si pjesëmarrës, ekspertë ose lehtësues) dhe 18 të tjerë. Në kategorinë “të tjerë” përfshihen magjistratë të diplomuar, kandidatë për magjistratë, këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, avokatë shteti, oficerë të Policisë Gjyqësore, inspektorë pranë KLGJ, avokatë privatë, specialistë, lektorë”, thuhet në raport. Pra, ndërkombëtarët dhe Shkolla e Magjistraturës e kanë bërë gati terrenin, pasi SPAK do ketë nevojë për staf, specialistë, ndihmës ligjorë, etj. dhe ata që janë trajnuar kanë më shumë avantazh të punojnë aty. Më tej bëhet e ditur se është duke u hartuar një plan konkret dhe për strukturën e SPAK, stafin që i nevojitet dhe gjithë materialet e tjera.
Përgjimi
Në raport jepen detaje dhe mbi pajiset që do përdoren për metodat hetimore. Sipas burimeve, një pjesë e madhe tyre do dhurohen nga SHBA dhe nga FBI. Megjithatë aty është parashikuar që të ngrihet një sistem përgjimi vetëm për SPAK, ndërkohë që do ngrihet rrjeti i gjerë i IT në të gjitha institucionet e reja të drejtësisë. “Hartimi i specifikimeve teknike për pajisjen e përgjimit-
Blerja e pajisjeve të nevojshme (një njësi qendrore për SPAK)”, thuhet në plan. Gjithashtu bëhet e ditur se gjatë vitit 2019 do të ketë trajnime në fushën e përgjimeve për prokurorët. Deri më tani, i vetmi institucion që ka bërthamën e përgjimeve është Prokuroria e Përgjithshme. Po ashtu, zyrat e përgjimit janë në SHISH dhe ka një koordinim SHISH-polici-prokurori. Por plani është që SPAK të ketë një pajisje të vetëm përgjimi, e cila do përdoret për pushtetarët e korruptuar. Por si do vihen në përgjim njerëzit e pushtetshëm? Llojet e përgjimit do të jenë: përgjim i komunikimeve telefonike, faks, kompjuter, përgjim i fshehtë në vende private, përgjim audio dhe video, regjistrim i numrave telefonikë hyrës dhe dalës. Përgjimi mund të kërkohet vetëm për vepra penale që dënohen mbi 4 vite burg, teksa deri më tani ishte mbi 7 vite burg. “Vendimi për përgjimin tregon mënyrën e kryerjes dhe kohëzgjatjen e veprimeve, e cila nuk mund t’i kalojë pesëmbëdhjetë ditët. Ky afat, me kërkesë të arsyetuar të prokurorit, mund të zgjatet nga gjykata sa herë është e nevojshme, për një periudhë prej 15 ditësh, kur ekzistojnë kushtet e parashikuara në paragrafin 1, të këtij neni, dhe rezultatet e përgjimit diktojnë nevojën e zgjatjes së afatit. Në vendimin e gjykatës për përgjimin e fshehtë, fotografik ose me video, ose për përgjimin e bisedave në vende private mund të autorizohet oficeri i Policisë Gjyqësore ose specialisti i kualifikuar për të hyrë në këto vende, në mënyrë të fshehtë, duke vepruar në përputhje me vendimin”, thuhet në ligj. Pra duket se terreni po bëhet i gjithi gati dhe sapo SPAK të nisë nga puna, priten surpriza.
Kliti Topalli