Me përfundimin e votimeve për zgjedhjet europiane në Greqi, sipas exit polleve, Demokracia e re kryeson listat, në një avantazh me 7 pikë më shumë ndaj partisë SYRIZA të kryeministrit Alexis Tsipras.
Sipas exit polleve deri tani Demokracia e Re ka marrë nga 32 deri 36% të votave, ndërsa SYRIZA 25-29%, Lëvizja për Ndryshim (PASOK) 7-9%, Agimi i Artë 5-7%, po aq sa edhe partia komuniste.
Pavarësisht se një vlerësim zyrtar do të bëhet në orët e vona të natës, konsiderohet e sigurt që Demokracia e re ka dalë fituese e këtyre zgjedhjeve.
Kujtojmë se lideri i partisë Demokracia e Re, Mitsotakis gjatë fushatës elektorale ditët e fundit iu ka premtuar elektoratit se nëse do të zgjedhin atë, ai do të vendos veton për Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Gjatë fushatës, liderët e dy partive më të mëdha, kryeministri Tsipras dhe shefi i opozitës, Mitsotakis, e shndërruan garën elektorale në një referendum pro apo kundër secilës prej dy forcave kryesore.
Ditët e fundit, kryeministri Tsipras u bëri thirrje qytetarëve që në këto zgjedhje t’i japin votëbesim qeverisë së tij. “Nëse nuk marr votëbesimin që kërkova, atëherë çdo gjë është e hapur”, deklaroi kryeministri në intervistën e tij të fundit para këtyre zgjedhjeve.
Sipas analistëve, kjo nuk përjashton që Tsipras të befasojë me shpallje zgjedhjesh të parakohshme ndoshta brenda muajit qershor.