Ivan Balliu në formacionin e sezonit në Ligue 2 të Francës, sinjal Edi Rejës për duelet e qershorit

0
396

Një nga futbollistët më të mirë të mbrojtjes, Ivan Balliu, i cili ende nuk e ka shfaqur në maksimum potencialin e tij për shkak të minutazhit të paktë, pritet të marrë fttesë nga trajneri Edi Reja për ndeshjet e qershorit ndaj Islandës dhe Moldavisë, nisur jo vetëm nga forma e mirë që po kalon dhe minutazhi i plotë me Metzin në ligën e dytë franceze, por edhe se trajnerit veteran italian i duhen lojtarë me aftësi teknike si në qendër të mbrojtjes ashtu dhe në krahë. Pavarësisht se ka shumë konkurrencë, Reja mund t’ia dalë të përzgjedhë më të mirët e më të përshtatshmit për këto dy duele, të cilat janë ndaj rivalëve direktë në grup, sidomos Islandës, e cila pas Francës llogaritet si skuadra e dytë pretendente për të siguruar fazën finale të Kampionatit Europian të vitit 2020. Dhe Balliu merr rëndësi sikurse të gjithë lojtarët e tjerë. Në fakt, merkatoja e verës së shkuar, ishte mjaft e nxehtë për mbrojtësin e Kombëtares, Ivan Balliu i cili nuk ishte në planet e skuadrës së tij dhe po shihte për një ekip tjetër te i cili mund të transferohej. Duke qenë se këtë skuadër nuk e gjeti, ai qëndroi dhe iu dhanë disa minuta por me paraqitjet e bëra, arriti të kthehej në protagonist duke luajtur çdo ndeshje. Paraqitjet e Balliut, kanë marrë vlerësime nga mediat franceze të cilat e kanë përfshirë mbrojtësin kuqezi në formacionin më të mirë të sezonit në Ligue 2 në Francë. Skuadra e Metzit me të cilën aktivizohej Balliu, arriti të siguronte ngjitjen në Ligue 1. Pavarësisht këtij promovimi, Balliu i ka dhënë fund aventurës me Metzin dhe tani do të shohë për një tjetër skuadër. Pak kohë më parë, Balliu u kthye në çështje edhe te Shqipëria pasi në dy raste, Kristian Panuçi i dërgoi ftesën me vonesë dhe klubi i Metzit nuk pranoi që ta linte duke u justifikuar se ka shkuar me vonesë. Në këtë mënyrë, në dy ndeshje Balliu ka qenë vetëm tifoz. Pritet që ai të marrë vëmendje të shtuar të Edi Rejës, megjithëse asgjë nuk e ka të sigurt, pasi në këtë repart ka konkurrencë të fortë. Por secili mund të shpresojë pasi Reja do të marrë vendim pasi të shohë nga afër secilin futbollist dhe Balliu do të ketë shansin e tij.

Kombëtarja vijon grumbullimin, Reja i kënaqur

E ndërsa pritet rikthimi në Kombëtare iu Ivan Balliut, trajneri Edi Reja vijon punën me përfaqësuesen të grumbulluar në Durrës, një grup i cunguar, një ekip jo i plotë, por që po plotësohet hap pas hapi. Kështu, dje përfaqësuesja shqiptare e futbollit ka zhvilluar seancën e dytë stërvitore nën drejtimin e trajnerit Edi Reja. Grupi i futbollistëve ishte i gjithi në dispozicion të teknikut italian, 10 lojtarët e përzgjedhur prej tij dhe 12 lojtarët e përfaqësueses së 21-vjeçarëve, të cilët janë “huazuar” tek Kombëtarja A për këtë fazë parapërgatitore në kuadër të dy sfidave të vlefshme për “Euro 2020” kundër Islandës dhe Moldavisë. Seanca nisi me ushtrime të thjeshta izometrike, të cilat ndihmojnë në ngrohjen e muskujve për të shmangur çdo të papritur. Më tej, gjithçka ka vijuar me ushtrimet me top, që kanë qenë edhe epiqendra e stërvitjes, e cila zgjati për rreth 75 minuta. Ana më pozitive e seancave të para të Edy Rejas është fakti që i gjithë grupi i lojtarëve nuk ka shfaqur probleme fizike, një plagë kjo e cila e ka përndjekur Kombëtaren Kuqezi në periudhën e fundit, me shpresën që nga ana shëndetësore lojtarët te mos shfaqin probleme edhe në të ardhmen. Ndërkohë, dallohet që nën drejtimin e teknikut 73-vjeçar atmosfera që e rrethon përfaqësuesen është më e qetë dhe kjo pa diskutim ka një ndikim pozitiv në aspektin psikologjik të skuadrës. Kuqezinjtë do të vijojmë përgatitjet në kompleksin Tropikal në Durrës, ndërsa të enjten është programuar një konferencë për mediet me dy futbollistë të përfaqësueses, kurse të dielën skuadra do të ketë mundësinë të pushojë.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here