Agjencia Shtetërore e Kadastrës, do të bashkëpunojë me njësitë e qeverisjes vendore për për regjistrimin e trojeve të dhëna për ndërtim nga njësitë e qeverisjes vendore dhe për rregullimin e marrëdhënieve juridike të pronësisë mbi këto troje, për efekt regjistrimi. Me anë të një vendimi të miratuar ditën e djeshme, qeveria përcaktoi rregullat e bashkërendimit të punës mes këtyre institucioneve me qëllim vendosjen nën një regjim të rregullt juridik të procedurës së ndjekur nga ana e njësive të qeverisjes vendore për kalimin e pronësisë së trojeve të dhëna për ndërtim, për efekt regjistrimi në regjistrin e pasurive të paluajtshme; heqjen e kufizimeve nga regjistri i pasurive të paluajtshme, kur aktet e kalimit të pronësisë janë regjistruar më parë; regjistrimin e akteve të kalimit të pronësisë, në rastet kur ato nuk janë regjistruar më parë; si dhe përfundimin e procedurave të kalimit të pronësisë mbi këto troje nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në rastet kur nuk janë përmbyllur dhe regjistrimin e akteve të kalimit të pronësisë në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Objekt i këtij vendimi janë tokat e dhëna për qëllime ndërtimi nga bashkitë, ish-komunat dhe ish-këshillat e rretheve (në vijim të quajtura “organe vendore”), pas datës 10.8.1991 deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr.24/2012, “Për disa ndryshime në ligjin nr.10270, datë 22.4.2010, “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij””.
Kush përfiton
Nga ky vendim do të mund të përfitojnë subjektet që, sipas rastit: janë pajisur nga organet vendore me dokumentacion pronësie mbi tokën, pavarësisht mangësive në procedurë. Këto subjekte përfitojnë regjistrimin e dokumentit të pronësisë ose heqjen e kufizimit nga regjistri, pas plotësimit të mangësive, sipas rregullave të këtij vendimi; ose nuk janë pajisur nga organet vendore me dokumentacion pronësie mbi tokën, por për ta është miratuar të paktën vendimi i këshillit të organit vendor për dhënien e truallit për ndërtim, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Në favor të këtyre subjekteve përfundohen procedurat e kalimit të pronësisë dhe kryhet regjistrimi i dokumentacionit të pronësisë dhe/ose heqja e kufizimit nga regjistri, sipas rregullave të këtij vendimi. Bashkia, në territorin e së cilës gjendet pasuria e paluajtshme, është organi që ngarkohet për plotësimin e mangësive të dokumentacionit ose, për përfundimin e kalimit të pronësisë. Procedurat sipas këtij vendimi nisin me kërkesë të subjektit të interesuar. Kërkesa paraqitet, sipas rastit: pranë drejtorisë vendore të ASHK-së, kur kërkohet regjistrim i dokumentacionit të pronësisë, heqje e kufizimit nga regjistri ose çdo shërbim tjetër që lidhet me pasurinë e paluajtshme, nëse ajo është regjistruar më parë. Kur drejtoria vendore e ASHK-së konstaton se është i nevojshëm plotësimi i mangësive ose përfundimi i kalimit të pronësisë, ajo njofton bashkinë kompetente për kryerjen e veprimeve përkatëse, sipas procedurave të parashikuara në këtë vendim; pranë bashkisë kompetente, në rastet e parashikuara në pikën 11, të këtij vendimi. Në rast se bashkia nuk kryen veprimet e nevojshme brenda 3 muajve, subjekti i interesuar mund të ngrejë padi pranë gjykatës kompetente kundër mosveprimit administrativ.
Kriteret e regjistrimit
Kur toka e dhënë për ndërtim nga organet vendore i përket ende përfituesit fillestar të saj, ai mund të kërkojë regjistrimin (nëse nuk është regjistruar më parë) dhe ta disponojë lirisht atë, nëse plotësohen këto kushte: Është miratuar vendimi i këshillit të organit vendor për dhënien e tokës për ndërtim, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Ekziston kontrata apo akti për kalimin e pronësisë mbi tokën, nga organet vendore te përfituesi, i cili duhet të ketë formën: e një akti noterial kur veprimi është kryer pas hyrjes në fuqi të Kodit Civil të vitit 1994; ose e një kontrate jonoteriale, ose shkrese të thjeshtë, kur veprimi është kryer para hyrjes në fuqi të Kodit Civil të vitit 1994. Përjashtimisht, kalimet e pronësisë që i përkasin kësaj periudhe konsiderohen të vlefshme edhe në mungesë të kontratës apo të shkresës së thjeshtë, me kusht që të administrohet dokumenti që vërteton pagesën e vlerës së truallit. Është shlyer çmimi i shitjes së tokës (sipas vërtetimit të pagesës), e përcaktuar në aktin e kalimit të pronësisë, sipas vlerës në kohën e miratimit të vendimit të këshillit të organit vendor për dhënien e tokës për ndërtim; Si rregull, të ekzistojë dokumentacioni për ndërtimin e objektit, sipas legjislacionit të kohës për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, përveç procesverbalit të piketimit, i cili nuk është i nevojshëm. Nëse ky dokumentacion nuk ekziston apo është i pamjaftueshëm për regjistrimin e objektit, drejtoria vendore e ASHK-së zbaton rregullat e kreut V, të këtij vendimi, pa penguar procedurat për truallin, sipas dispozitave të tjera të këtij vendimi. Kur mbi pasurinë nuk gjendet asnjë ndërtim, kryhen procedurat e regjistrimit, të heqjes së kufizimit ose/dhe të përfundimit të kalimit të pronësisë, sipas këtij vendimi, vetëm për tokën. Ky rregull nuk zbatohet në rastet kur për tokën e pazhvilluar me ndërtim ka tituj pronësie të të tretëve (të mbivendosur) të regjistruar më parë. Kur ka mangësi të dokumenteve të parashikuara më sipër, por për subjektin është miratuar të paktën vendimi i këshillit të organit vendor, për dhënien e tokës për ndërtim, regjistrimi i pronësisë ose heqja e kufizimit mbi tokën nga regjistri, kryhet pasi bashkia të ketë plotësuar mangësitë e dokumentacionit, apo të ketë përfunduar procedurat e kalimit në pronësi, sipas këtij vendimi. Kur përfituesi fillestar i tokës ua ka kaluar të drejtat të tretëve dhe ky veprim juridik është regjistruar përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, në regjistrin e pasurive të paluajtshme, të tretët nuk pengohen në disponimin e lirë të pronës, pavarësisht mangësive të formës, procedurës, apo përmbajtjes, që ka në origjinë dokumentacioni i fitimit të pronësisë nga organet vendore. Në të gjitha këto raste (me përjashtim të kalimit me trashëgimi), drejtoria vendore e ASHK-së detyrohet të heqë kufizimin nga regjistri i pasurive të paluajtshme, me paraqitjen e kërkesës nga subjekti i interesuar. Ky rregull nuk zbatohet kur është e pranishme situata e mbivendosjes së titujve, që nuk mund të zgjidhet administrativisht.
Procedura për pasuritë e regjistruara
Vendimi i qeverisë parashikon që kur toka është e regjistruar dhe subjekti i interesuar paraqet kërkesë për shërbim, drejtoria vendore e ASHK-së verifikon dokumentacionin arkivor të regjistrimit dhe, në varësi të rastit, vepron, kështu: Kur rezulton se përmbushen kushtet, heq kufizimin (nëse ka të tillë) nga regjistri i pasurive të paluajtshme dhe realizon shërbimin e kërkuar; ose Kur toka i përket ende përfituesit fillestar të saj dhe konstatohen mangësi, brenda 15 ditëve nga administrimi i kërkesës, i kërkon bashkisë të vendosë në dispozicion kopje të dokumentacionit që mungon, (sipas rastit: konfirmimin për vendimmarrjen e këshillit të organit vendor, aktin e kalimit të pronësisë, konfirmimin për pagesën e çmimit të tokës apo dokumentacionin për ndërtimin). Në rastin kur bashkia konstaton se për pasurinë dokumentacioni është i plotë, i dërgon drejtorisë vendore të ASHK-së, brenda 30 ditëve nga administrimi i kërkesës, kopje të dokumentacionit të kërkuar. Drejtoria vendore e ASHK-së heq kufizimin (nëse ka të tillë) nga regjistri i pasurive të paluajtshme dhe realizon shërbimin e kërkuar nga subjekti i interesuar, brenda 15 ditëve nga administrimi i përgjigjes nga bashkia. Nëse bashkia konstaton se për pasurinë dokumentacioni nuk është i plotë, por ekziston të paktën vendimi i këshillit të organit vendor për dhënien e tokës për ndërtim, ajo procedon, sipas rastit: duke i kërkuar subjektit përfitues të shlyejë pjesën e mbetur të çmimit të shitjes, të përcaktuar në aktin e kalimit të pronësisë; dhe/ose; duke thirrur subjektin përfitues për lidhjen e kontratës noteriale për kalimin e pronësisë mbi tokën, nëse ajo nuk është lidhur më parë, pasi të jetë shlyer vlera e plotë e çmimit të shitjes. Çmimi i shitjes do të jetë sipas vlerës së referencës në momentin e miratimit të vendimit të këshillit të organit vendor për dhënien e tokës për ndërtim.