Dokumentet e amerikanëve, ja si Britania tentoi më 1945 të sillte mision ushtarak në Shqipëri dhe pse Hoxha u zhgënjye nga presidenti Ruzvelt

0
409

Amerikanët kanë treguar detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1945. Sipas disa dokumenteve të deklasifikuara, tregohet se si Britania e Madhe nuk e njihte qeverinë e dalë nga lufta dhe kërkonte të instalonte ushtrinë në vendin tonë. Nga ana tjetër, tregohet se si Enver Hoxha u zhgënjye nga presidenti amerikan Ruzvelt sepse ai nuk u kthente përgjigje letrave të tij.

4 shkurt 1945

Darka në Konferencën e Jaltës

Para darkës dhe gjatë shumicës së bisedës gjatë darkës, temat ishin personale dhe të përgjithshme. Marshall Stalini, Presidenti dhe kryeministri ishin në humor të mirë. Ata nuk diskutuan çështje të rëndësishme politike apo ushtarake, deri në gjysmë orën e fundit të darkës kur rastësisht doli tema e të drejtave dhe përgjegjësive të fuqive të mëdha ndaj vendeve të vogla. Marshall Stalini e bëri të qartë se në disa raste kishte menduar se tre fuqitë kishin mbajtur barrën kryesore të luftës kundër gjermanëve dhe kishin çliruar vendet e vogla, prandaj ato kishin të drjetën të vendosnin për ruajtjen e paqes në botë. Ai shtoi se do i shërbente vetëm interesave të shtetit dhe popullit sovjetik ndërsa në arenën ndërkombëtare ishte i gatshëm të paguante pjesën e tij për ruajtjen e paqes. Stalini shtoi se ishte qesharake të besoje se Shqipëria mund të kishte zë të barabartë me fuqitë e mëdha që kishin fituar luftën. Ai tha se disa nga vendet e çliruara duket se besonin se fuqitë e mëdha kishin derdhur gjakun e tyre për t’i çliruar dhe tani i kritikonin ato se nuk po marrin në konsideratë të drejtat e tyre. Marshall Stalini tha se ishte i gatshëm që në koordinim me SHBA e Britaninë të mbronte të drejtat e kombeve të vogla por tha se nuk do të pranonte kurrë që veprimet e vendeve të mëdha të gjykoheshin nga vendet e vogla.

Edhe Presidenti pranoi se fuqitë e mëdha mbanin përgjegjësinë më të madhe dhe se traktati i paqes duhet të hartohej nga tre fuqitë prezente në këtë tavolinë. Kryeministri britanik tha se nuk kishte dyshime se fuqitë e vogla nuk duhet të diktonin fuqitë e mëdha, por shtoi se fuqitë e mëdha mund të heqin një pjesë të përgjegjësive të tyre nëse i lejojnë një pjesë të moderuar të vendimmarrjes për vendet e vogla. (Vishinski i tha zotit Bohlen se nuk do të pranonin kurrë që vendet e vogla të gjykonin veprimet e vendeve të mëdha. Bohlen u përgjigj se populli amerikan duhet të mësojë t’i bindet udhëheqësve të tij. Bohlen tha me shaka se nëse Vyshinski do të vizitojë SHBA mund të provojë t’ia thotë vetë atyre këtë. Vyshinski u përgjigj se do ta bënte me kënaqësi.) Pas një dollie nga kryeministri britanik për masat e proletariatit botëror, nisi një bisedë e gjerë për të drejtat e popullit për të qeverisur veten dhe ato të udhëheqësve të tyre. Kryeministri tha se vazhdimisht po sulmohej si “reaksionar” dhe se ishte i vetmi përfaqësues në tryezë që mund të largohej nga pushteti me votën e popullit të tij, por shtoi se ky rrezik e bënte punën më interesante. Marshall Stalini komentoi me ironi se kryeministri i trembej zgjedhjeve. Ky i fundit u përgjigj se jo vetëm, i trembej por ishte krenar për të drejtën e popullit britanik për të ndryshuar qeverinë e tyre sa herë e konsideronin të përshtatshme. Ai tha se tre kombet e mëdha të përfaqësuara këtu po avanconin drejt të njëjtit qëllim por me të metoda të ndryshme. Kryeministri britanik, duke iu referuar të drejtave të kombeve të vogla tha një citat: “Shqiponja duhet t’i lejojë të vegjëlve të këndojnë e të mos e vrasë mendjen për çfarë këndojnë.” Pasi Marshalli Stalin dhe President i larguan, kryeministri diskutoi me Eden dhe Stettinius mbi çështjen e votës në Këshillin e Sigurimit. Ai tha se mbështeste pikëpamjet sovjetike për procedurën e votimit pasi besonte se çdo gjë varet nga uniteti i tre fuqive të mëdha dhe se pa të bota do të ishte në prag të katastrofës. Ai shtoi se çdo gjë që mbronte këtë unitet do të kishte votën e tij. Zoti Eden theksoi se nuk do të kishte arsye që vendet e vogla të bashkoheshin në një organizatë apo parim, për të cilin ai besonte se nuk mbështetje nga publiku britanik. Kryeministri tha se nuk ishte dakord me Eden pasi po mendonte për realitetin e situatës ndërkombëtare. Në përgjigje të pyetjes së kryeministrit për çështjen e votë, Bohlen tha se propozimi amerikani kujtonte tregimin e mbjellësit nga Jugu që i dha zezakut dhuratë një shishe uiski. Të nesërmen ai e pyeti zezakun nëse i pëlqeu dhe zezaku u përgjigj se ishte i shkëlqyer. Mbjellësi pyeti se ç’donte të thoshte me këtë dhe zezaku u përgjigj se sikur të mbjellësi të mos kishte pasur më të mrië për vete nuk do ia kishte dhënë, ndërsa nëse ai vetë do të kishte pasur uiski më të mirë, nuk do ta kishte pirë. Pak më vonë kryeministri dhe Eden u larguan, pa marrëveshje mbi procedurën e votmit në Këshililn e Sigurimit.

Uashington, 9 shkurt 1945

Sekretari i shtetit për këshilltarin Alexander C. Kirk: Ambasada britanike i ka komunikuar Departamentit pikëpamjen e qeverisë britanike se dërgimi i zyrtarëve civilë amerikanë në Shqipëri në një kohë kur britanikët po përpiqen të dërgojnë një mision ushtarak, mund të kuptohet nga shqiptarët se ka një diferencë qasjeje mes dy fuqive për Shqipërinë. Departamenti gjithashtu është informuar se ka telegrafuar Eden me sugjerimin se Hoxha duhet njoftuar se nëse nuk merr ndihmat britanike çështja e njohjes do të shtyhet. Departamenti shpreson se ju ndërkohë i keni komunikuar përfaqësuesit shqiptar përgjigjen e qeverisë më 31 janar. Nëse jo, duhet ta bëni sa më shpejt. Ne nuk mendojmë se qëndrimi ynë duhet të ndryshojë pas trajtimit të propozimit britanik nga Hoxha për misionin ushtarak, apo dhe atë për misionin civil të SHBA për vlerësimin e situatës në vend. Ne nuk kemi kundërshtim që ju të bëni të ditur se parandalimi i vërtetimit të fakteve do të ndikojë në vendimin për njohjen dhe se do të jemi të detyruar të publikojmë faktin që kemi kërkuar marrëveshje për dërgimin e përfaqësuesve në Shqipëri dhe jemi refuzuar. Për informacionin tuaj, nuk jemi duke u përpjekur të parakalojmë britanikët në përpjekjet për të ndërmjetësuar në Shqipëri pasi nuk duam t’i vënë në siklet gjatë negociatave të tyre. Pikëpamjet tona janë përgjithësisht paralele, por përdorim metoda të ndryshme edhe pse identifikojmë objektivat tona nga afër me ato të britanikëve. Nëse Hoxha tregohet i gatshëm për të pritur përfaqësuesit amerikanë, do të ishte e vështirë që ai të refuzonte dhe masa të ngjashme për britanikët, në rast se ata vendosin të modifikojnë planet e tyre duke dërguar një mision civil dhe jo ushtarak në Shqipëri.

Uashington, 17 shkurt 1945

Sekretari i shtetit për ambasadorin në Bashkimin Sovjetik: ReDeptel nga Caserta, përsëriti për Moskën kërkesën e Enver Hoxha të njohjes së qeverisë së forcave partizane në Shqipëri. Ju lutemi informoni zyrën sovjetike se Departamenti nuk ka dhënë përgjigje zyrtare ndaj kërkesës dhe përfaqësuesit tanë në Bari janë udhëzuar të bëjnë të ditur se në këtë kohë nuk mund të japim njohjen formale pasi nuk jemi në dijeni të kushteve në Shqipëri dhe veçanërisht masën e përfaqësimit të këtyre autoriteteve të vullnetit të popullit. Kirk është autorizuar të shtojë se qeveria jonë mund të dëshirojë në të ardhmen të dërgojë përfaqësues në Shqipëri në mënyrë informale për të mbikëqyrur situatën dhe për funksione të përgjithshme.

Uashington, 6 mars 1945

Memorandum bisede nga sekretari i shtetit

Ambasador i Greqisë erdhi sot për të më dorëzuar dy memorandumi mbi dy çështje: Tendenca e qeverisë së Shqipërisë për t’u vënë nën influencën e qeverisë së Jugosllavisë, dhe shqetësimi i qeverisë greke për qëllimet e fshehta të Jugosllavisë e Bullgarisë për krahinën e Maqedonisë dhe dëshira greke për të përmirësuar kufirin strategjik mes Maqedonisë lindore, Tracës perëndimore dhe Bullgarisë. Në lidhje me memorandumet Ambasadori theksoi se Shqipëria prej shumë vitesh ishte e varur nga ndihmat italiane për mbijetesën e saj dhe tani autoritetet shqiptare po viheshin nën influencën e Jugosllavisë, qoftë me anë të një federatë apo në mënyrë tjetër. Ai shtoi se qeveria e Greqisë pret transferimin te Greqia të Epirit të Veriut që tashmë gjendet në Shqipëri pranë kufirit verior grek. Në lidhje me pikën “b”, ambasadori përmendi shqetësimin grek për idenë e ngritjes së shtetit autonom të Maqedonisë në formën e re federale të Jugosllavisë dhe mundësinë e Maqedonisë bullgare për bashkim me këtë shtet të ri autonom, çka për ata përfaqëson pretendimet territoriale se dhe pjesa greke e Maqedonisë duhet t’i bashkohet këtij entiteti. Diamantopoulos theksoi gjithashtu dëshirën e qeverisë greke për përmirësim të kufirit të saj strategjik në dy provincat lindore dhe me Bullgarinë.

12 mars 1945

Alexander C. Kirk për sekretarin e shtetit: Kadri Hoxha u paraqit dje dhe deklaroi se kishte informuar gjeneralin Hoxha për pikëpamjet e paraqitura nga Departamenti. Ai shtoi se gjeneral Hoxha e kishte udhëzuar të mos bënte asgjë më shumë mbi çështjen, por të kufizonte aktivitetet e tij në Itali vetëm për çështjet ushtarake. Kadri Hoxha më tej foli gjatë për rolin madhor që kishte luajtur populli shqiptar në përpjekjen kundër armikut të përbashkët dhe tha se shpresonte që qeveria e SHBA të ndryshonte mendim mbi vendin e tij dhe të jepte njohjen e hershme diplomatike. Ai tha se opinioni i tij personal ishte se Gjeneral Hoxha ishte i zhgënjyer për faktin se SHBA nuk kishte dëgjuar të përgjigjej me letër të shkruar kërkesës për njohje diplomatike dhe kërkoi nëse ishte e mundur që qeveria të udhëzonte kreun e misionit të OSS në Tiranë që të dërgonte një komunikim të shkruar për Gjeneral Hoxhën mbi thelbin e qëndrimit të pozitës së SHBA ose ta shprehte gojarisht qëndrimin dhe kërkesën për lejimin e zyrtarëve amerikanë për të vëzhguar situatën në vend. Ne u përgjigjën se na vinte keq që nuk kishim marrë miratimin e gjeneralit Hoxha për dërgimin e vëzhguesve informalë dhe jozyrtarë në Shqipëri dhe se kjo mund të parandalonte vëzhgimin e fakteve që do të na mundësonte dhënien e njohjes diplomatike.

Ne shtuam se nëse do të kishte interesim nga shtypi kjo do të bënte që SHBA të jetë e detyruar të pranojë se nuk është lejuar të dërgojë përfaqësuesit e saj në Shqipëri. Gjatë bisedës ne deklaruam gjithashtu se ishim të interesuar të mësonim nëse gjenerali Hoxha kishte ndryshuar mendje në lidhje me pranimin e misionit ushtarak britanik. Kadri Hoxha u përgjigj se kjo është e vërtetë dhe se kishte ardhur si rezultat i vizitës së një përfaqësuesi të Alexander më 28 shkurt, i cili e informoi gojarisht Hoxhën se qeveria britanike nuk është e gatshme të njohë qeverinë e Shqipërisë dhe se refuzimi i misionit do të konsiderohej si një akt i pasjellshëm. Në të njëjtën kohë ishte përsëritur oferta e dërgimit të misionit ushtarak të drejtuar nga Hodgson dhe Hoxha e pranoi. Kadri Hoxha tha në komentet e mbylljes së Gjeneral Hoxha është shumë i ndjeshëm ndaj faktit se kishte dërguar një komunikim me shkrim ndaj liderit botëror të përpjekjes kundër fashizmit, Presidentit Roosevelt, si një koleg në luftën kundër armikut të përbashkët dhe nuk mori një përgjigje të shkruar. Prandaj Hoxha vriste mendjen nëse mesazhi i komunikuar gojarisht nga Kadri Hoxha ishte vërtet përgjigja e Presidentit. Duke parë politikën e saktë të përcaktuar nga Departamenti në udhëzimet e 31 janarit, unë kërkoj udhëzime nga Departament në lidhje me çështjen veçanërisht për faktin se misioni ushtarak britanik për në Tiranë niset sot nga Bari.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here