“Der Standard”: Në Berlin ‘varroset’ shkëmbimi i territoreve, status i veçantë për Veriun e Kosovës

0
409

E përditshmja austriake Der Standard i ka bërë jehonë dje zhurmave për një zgjidhje të re pa shkëmbim kufijsh mes Kosovës e Serbisë, e cila do të prezantohet në samitin e 29 prillit për Ballkanin Perëndimor në Berlin, për të cilin shkruante se “aty do të varroset diskutimi rreth ndryshimeve të kufijve sipas kritereve etnike”. Ashtu si dhe mediat kosovare të martën, edhe gazeta e njohur vjeneze citon burime diplomatike në brendi të çështjes, që thonë se takimi i rëndësishëm do t’i japë fund idesë së shkëmbimit të territoreve me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të mirë, dhe jo të një zgjidhjeje të shpejtë. Në Samitin e Ballkanit Perëndimor më 29 prill në Berlin, i nisur me iniciativën e kancelares Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron, janë të ftuar të gjithë liderët nga rajoni, përfshirë kryeministrat e Sllovenisë dhe Kroacisë, si dhe presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi. Ky i fundit tha dje duke reaguar ndaj lajmeve, se nuk ka asnjë marrëveshje të fshehtë që pritet nga samiti, por shtoi se objektivi i Kosovës aty do të jetë harmonizimi i qëndrimit të Gjermanisë e Francës në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Thaçi ka qenë një nga promovuesit më të mëdhenj të ndarjes etnike në Kosovë.

‘Asociacioni’ i integruar në plan

Ideja e “shkëmbimit” të zonave në veri të Kosovës me ato në Serbinë jugore sipas kritereve etnike u mbështet fillimisht nga shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, komisioneri i BE, Johannes Hahn, këshilltari i Sigurisë i SHBA, John Bolton, Austria dhe Hungaria, edhe pse ishte një koncept diametralisht i kundërt me politikën e Ballkanit Perëndimor deri më sot. Por, siç shkruan mediumi austriak, kancelarja Merkel tani dëshiron të sugjerojë se veriu i Kosovës do të ketë një lloj statusi të veçantë, ku do të integrohet dhe idea e Asociacionit të Komunave Serbe, për të cilën ishte rënë dakord nga të dyja palët në Bruksel në vitin 2013, por akoma nuk është implementuar. Për këtë gazeta citon analistin e njohur politik austriak Ivan Krastev, i cili më parë ka mbështetur shkëmbimin e territoreve, por tani thotë: “Përshtypja ime është se negociatat kanë humbur vrullin. Në këtë kuptim nuk do të ketë shkëmbim të territorit”. Der Standard shton se ideja e një shkëmbimi të tillë ka shkaktuar frikë sidomos në mesin e serbëve në jug të Kosovës. Ndërkohë, sipas diplomatëve, edhe SHBA tanimë janë distancuar nga sugjerimi, sepse siç thuhet, e kanë kuptuar se kjo do të sjellë probleme legale dhe të sigurisë dhe se mundësia e zbatimit praktik është e diskutueshme.

Eksperti: Ndarja etnike, koncept mesjetar

Në këtë drejtim, shkruan Der Standard, vlerësohet të jetë me rëndësi “një marrëveshje e mirë” në mes të Serbisë dhe Kosovës, se sa një marrëveshje e shpejtë. Der Standard ilustron komentet e saj dhe me një prononcim të Albert Rohan, bashkautor i Planit të Ahtisarit, i cili përbën bazën kushtetuese në Kosovë. “Ne supozuam se njerëzit në Ballkan në shekullin 21 mund të kapërcejnë të menduarit fisnor e mesjetar dhe janë në gjendje të jetojnë në shoqëri multi-etnike. Ndoshta ka të bëjë më shumë me faktin se tani ka një administratë të re amerikane, e cila një shkëmbim të mundur territorial e ka marrë në konsideratë”, citohet të ketë thënë Rohan, i cili ka paralajmëruar se nëse plani i Ahtisaarit do të shkatërrohej nga një shkëmbim territorial, të gjitha të drejtat e pakicave dhe kuadri i përgjithshëm do të vihen në pikëpyetje. Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili është paralajmëruar të mbahet më 29 prill në Berlin nga kancelarja gjermane Angela Merkel, dhe presidenti francez Emmanuel Macron, është takim tradicional dhe joformal. Të dy presidentët, të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, janë shprehur se nuk presin shumë nga ky takim.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here