Një agjent i infiltruar ka shkatërruar grupin e Elbasanit dhe Tiranës të arrestuar dy ditë më parë në një lokal të qytetit të Elbasanit. Dy muaj hetime i kanë mjaftuar policisë që të vejë në pranga antarët e këtyre grupe të cilët merreshin me shpërndarjen e drogës. Burime bëjnë me dije se ata e kishin shtrirë aktivitetin e tyre në kryeqytet, Elbasan dhe Fier. Një agjent antidroge i infiltruar ka qenë personi që vuri në pranga 6 persona të akuzuar për trafik droge. Mësohet se agjenti ka bërë rolin e blerësit të sasisë së kokainës tashmë të sekuestruar nga policia. Agjenti është takuar disa herë me trafikantët e drogës dhe në të gjitha takimet ka qenë i mbuluar nga kolegët e tij të operacionales. Këta të fundit kanë fotografuar dhe filmuar çdo lëvizje të grupit të personave të implikuar në këtë trafik. Pasi janë krijuar provat bindëse dhe është lënë dita, kur grupi do shiste sasinë e kokainës, policia ka ndërhyrë mesditën e së premtes në një lokal në lagjen “Shënkoll” në qytetin e Elbasanit duke arrestuar në flagrancë 6 persona, ndërsa 3 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Sipas policisë gjatë aksionit të zhvilluar në Tiranë u sekuestrua një kg kokainë ndërkohë që në Elbasan u sekuestruan 550 gram kokainë. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar persona të njohur për policinë dhe me precedent të mëparshëm penale. Gjatë këtij operacioni antidrogë në pranga përfundoi Klajdi Gjeci, i cili njihet si mik i ngushtë i Emiljano Shullazit dhe disa persona që në qytetin e Elbasanit njihen si antarë të një grupi kriminal që operon në këtë qytet. Burime policore bëjnë me dije se Gjeci shpërndante drogë në lagjet kryesore të kryeqytetit, ku përfshihen Tirana e Re, Stadiumi “Dinamo” dhe zona e Bllokut. Burime nga policia bëjnë me dije se grupi shpërndante kokainë në Tiranë, Elbasan e Fier. Mes personave të arrestuar është dhe Lavdosh Demaj, i cili është kreu i një grup seksioni të PD në Elbasan, i cili ka në pronësi lokalin në lagjen Shënkoll, ku edhe është bërë shkëmbimi i kokainës. Nga verifikimet e kryera, bëhet e ditur se Demaj ka qenë i dënuar edhe më parë për trafik droge. Policia e prokuroria e Elbasanit ka shtrirë hetimet edhe në persona të tjerë të dyshuar si pjesë e trafikut të drogës, të cilët merreshin me shpërndarjen dhe shitjen e kokainës.
Operacioni “Shënkolli”
Policia e Shtetit në Bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe forcat RENEA mesditën e së premtes zhvilluan një operacion antidrogë, të koduar “Shënkolli”, ku u vunë në pranga 6 persona dhe u proceduan në gjendje të lirë tre të tjerë. Mësohet se mes të ndaluarve ishin edhe dy vajza. Operacioni është zhvilluar në qytetin e Elbasanit nga policia e këtij qyteti FNSH dhe RENEA. Burime bëjnë me dije se në sajë të këtij operacioni janë shkatërruar dy grupe kriminale që e kishin shtrirë aktivitetin e tyre kriminal në qytetet e lartpërmendura. Sipas burimeve mësohet se gjatë këtij operacioni përfundoi në pranga një emër i njohur për policinë, më konkretisht policia arrestoi Klajdi Gjecin, i cili njihet si mik i Emiljano Shullazit. Gjithashtu mësohet se në sajë të këtij operacionit janë arrestuar dhe disa persona që kanë pasur lidhje me një grup të fuqishëm kriminal. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije për gazetën “Sot”, bëjnë me dije se gjatë këtij operacioni u sekuestruan 550 gram kokainë. Në sajë të këtij operacioni në pranga përfunduan shtetasit Klajdi Gjeci dhe Klaudjo Trungu; Agron Qafa; Skënder Pëllumbi; Lavdosh Demaj; Lorenco Gjini. Gjithashtu u vunë nën hetim shtetasit me inicialet A. Ll., O. O., dhe A. F.. Shtetasit e arrestuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin kokainë në qytete si Tirana Elbasani dhe Fieri.
Elvis Myrta