Djegia e mandateve fundos të parën LSI, plotësohen 80 për qind e vendeve vakante në Parlament

0
318

Djegia e mandateve duket se po fundos të parën Lëvizjen Socialiste për Integrim. Deklaratat e Lulzim Bashës për të shkuar drejt aktit ekstrem kapi në befasi Monika Kryemadhin, e cila i shkoi pas liderit demokrat. Por sikundër pritej, LSI-së iu kthye në bumerang për shkak se është parti më e vogël, por ka dhe një elektorat jo të qëndrueshëm krahasuar me Partinë Demokratike. Deri tani opozita e re në Parlament ka shkuar në 22 deputetë, ndërsa pritet që javën që vjen të marrin mandatin edhe 3 deputetë të tjerë. Por ajo që bie në sy është se rrjedhjet më të mëdha janë nga radhët e LSI. Kjo parti la 17 vende vakante në Parlament, por deri më tani janë 12 emra që kanë pranuar mandatin e deputeti, ndërsa një i tretë do të betohet javën që vjen. Kjo e çon në 13 numrin e deputetëve në Kuvend. LSI doli nga zgjedhjet me 19 deputetë, por Robert Bitri u bashkua me PS, ndërsa Lefter Koka nuk dorëzoi mandatin. Por sipas burimeve, pritet që shumë shpejt dhe 4 vendet e mbetura vakant të plotësohen.

Pasi të plotësohet numri 17 partia e presidentit duket se do shënojë fundin. I fundit nga radhët e LSI që ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit pranë KQZ është Eugen Bojaxhiu, i cili ishte në renditur në listën shumëemërore në Qarkun Berat. Po ashtu një tjetër emër që shkaktoi diskutim ishte ai i ish këshilltarit të Ilir Metës, Ralf Gjoni. Ky i fundit është shprehur pak kohë më parë se pranimi i mandatit nuk ishte një hakmarrje ndaj LSI, por për të mbajtur “aktive” partinë. Ndërkohë, lëvizjet e ndërkombëtarëve për të zëvendësuar PD-LSI në Parlament dhe mbyllja e reformës zgjedhore brenda majit, duket se kanë alarmuar jashtë mase partinë e presidentit. Pak kohë më parë Monika Kryemadhi ka sulmuar shumë ashpër ndërkombëtarët, e veçanërisht ambasadorin e OSBE në Tiranë, Bernard Borchardt. Në korridoret e politikës prej disa javësh flitet se djegia e mandateve dhe reforma zgjedhore mund të jetë një strategji, pas së cilës fshihen ndërkombëtarët, me qëllim zhdukjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga skena politike. Fakti që kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi po i sulmon shumë fort ndërkombëtarët, shton bindjet se një gjë e tillë është e vërtetë. Ndërkombëtarët po kontaktojnë me kandidatët e rinj që të pranojnë mandatin e deputetit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here