Ministri i Bujqësisë Blendi Çuçi përmes një deklarate për mediat ka folur për situatën e fermerëve në vend. Çuçi tha se ministria do të bëjë investim dedikuar fermerëve. Ai nënvizoi se qeveria do të kujdeset për fermerët e Shqipërisë dhe do të paguajë 100 lekë të vjetra për një litër qumësht. Sipas tij kjo masë vjen në kohën kur fermerët janë ngritur në protesta pas prekjes nga ndryshimi i skemës së kompensimit të TVSH. “Vendimi i miratuar sot vjen në kohën e duhur dhe është më i favorshëm për fermerët sesa skema e parë e rimbursimit të TVSH 20%. Praktikisht me këtë vendim fermerët do të marrin më shumë lekë për çdo litër qumësht të shitur. Këshilli i Ministrave vendosi që ti japë një financim të dedikuar për fermerët që prodhojnë dhe shesin qumësht. Sipas këtij vendimi fermerët do të përfitojnë një kompensim 100 lekë të vjetra për litër qumështi të shitur”u shpreh Çuçi. Ministri Çuçi tha se aplikimit fillojnë në datën 22 prill dhe kostoja për fermerët do të jetë zero. “Për të përfituar nga kjo mbështetje fermerët duhet të dorëzojnë pranë AZHBR-së vetëm faturën tatimore të shitjes së qumështit në pikat e përpunimit. Aplikimet fillojnë pranë datës 22 prill pranë zyrave bujqësore në qarqe. Ato do të jenë me kosto zero për fermerët. Është një reagim në kohën e duhur pas ndryshimit të kompensimit të TVSH nga 20% në 6%”, shtoi Çuçi.