Sulmuesi kuqezi që është pjesë e Bërnlit në Championshop të Anglisë, Armando Broja, ka qenë një nga mungesat e mëdha në radhët e Kombëtares shqiptare të futbollit, në ndeshjet e Ligës së Kombeve. Një mungesë që vinte si rezultat i mosaktivizimit të tij në klubin e Bërnlit. Megjithatë, me rifillimin e kampionatit, edhe Broja është shfaqur përsëri në fushë me klubin e tij, jo si titullar por si zëvendësues.
Ai është aktivizuar në minuta e fundit të ndeshjes që Bërnli luajti në transfertë përballë Uatfordit. Broja u aktivizua në minutën e 84-t, ndërsa duhet theksuar se në radhët e vendasve hyri në fushë në minutën e 69-të Roko Vata. Shifrat ishin 3-0 në momentin kur Broja hyri në fushë për t’u bërë partner sulmi i Xhemi Vardit, të aktivizuar para tij. ndërsa ishte aktiv në lëvizjet sulmuese të skuadrës që shënoi edhe golin e katër për të vulosur suksesin 4-0. Kjo ishte fitorja e parë në këtë kampionat për Bërnlin, e regjistruar në javën e 9 dhe që ndihmo skuadrën të largohej nga vendi i fundit në klasifikim që mbante deri sot. Ndërkohë, në kampionatin anglez luan edhe një lojtar tjetër që është pjesë e Shqipërisë, Maldini Kaçurri.
Maldini Kacurri është pjesë e Grimsbit në kategorinë e katërt të futbollit anglez. Mbrojtësi i Kombëtares U-21 u bë viral dje (10 tetor) në sfidën që ekipi i tij humbi me rezultat minimal ndaj Port Vale. Kacurri shmangu një gol të sigurt pasi u zgjat me kokë pranë vijës fatale. Për këtë edhe mori përgëzimet e shokëve të skuadrës në transfertë. 21 vjeçari që luan në qendër të mbrojtjes ka kontratë deri në fundin e sezonit. Po ashtu ekziston edhe opsioni i rinovimit të saj. Kujtojmë se Kacurri ka debutuar edhe te Shqipëria. Ishte Silvinjo që ia dha mundësinë një vit më parë, ndërsa luhej një miqësore me Gjibraltarin.







































