Një ngjarje e pazakontë e vitit 1999, që përfshiu ish-ministrin e Rendit Publik, Spartak Poçi, rikthehet në vëmendje nga revista Top Gear. Automjeti Mercedes-Benz me të cilin ai udhëtoi drejt Greqisë rezultoi i vjedhur në Itali, ndërsa hetimet zbuluan se numrat e motorit dhe të shasisë ishin ndryshuar.
Në vitin 1999, ish-ministri shqiptar i Rendit Publik, Spartak Poçi, u nis drejt Athinës për një vizitë zyrtare, i shoqëruar nga një delegacion. Për udhëtimin u përdor një Mercedes-Benz S 350 (W140), por ajo që duhej të ishte një vizitë rutinë diplomatike u shndërrua në një incident të sikletshëm për palën shqiptare.
Dyshimet lindën në një pikë kontrolli në kufirin grek, ku autoritetet doganore dyshuan se automjeti mund të ishte i vjedhur. Për të shmangur tensionet diplomatike, Poçi u lejua të vijonte udhëtimin, ndërsa autoritetet greke njoftuan ministrin e tyre të Punëve të Brendshme dhe nisën verifikimet.
Hetimet zbulojnë origjinën e automjetit
Kontrollet e mëtejshme, të kryera edhe me ndihmën e Interpolit, konfirmuan dyshimet e autoriteteve greke. Mercedes-Benz rezultoi i vjedhur në Itali më herët gjatë vitit 1999, përpara se të përfundonte në Shqipëri. Sipas raportimeve të kohës, për identifikimin e automjetit ishin ndryshuar edhe numrat e motorit dhe të shasisë.
Pas konfirmimit të të dhënave, autoritetet greke sekuestruan makinën. Spartak Poçi nuk kundërshtoi vendimin dhe vijoi vizitën zyrtare me një automjet të vënë në dispozicion nga homologu i tij grek. Kthimin në Shqipëri e realizoi me avion.
Ironia e vizitës zyrtare
Situatën e bënte edhe më të sikletshme fakti se gjatë takimeve në Greqi, Poçi kishte diskutuar me homologët pikërisht për forcimin e kontrolleve kufitare.
Ngjarja u pasqyrua edhe në mediat ndërkombëtare, duke rikthyer në vëmendje një episod që ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si automjete të vjedhura jashtë vendit përfundonin në Shqipëri dhe përdoreshin edhe në rrethana zyrtare.
Historia e Mercedes-Benz-it të sekuestruar mbetet një episod i veçantë i vitit 1999, që dëshmon se edhe një vizitë diplomatike në nivel të lartë mund të marrë një kthesë të papritur kur lindin dyshime për origjinën e automjetit, siç shkruan Loek Marcus për revistën Top Gear.







































