Ngritja e Gjykatës Speciale ende në proces, gjyqtarët nuk bindin dot familjarët të heqin dorë nga privatësia, vonesa dhe me vetingun

0
466

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion duket se do të dojë edhe pak kohë që të zyrtarizohet. Teksa Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbylli garën për Prokurorinë Speciale, për gjykatën procesi do të jetë më i thjeshtë, por jo pa shumë vështirësi. Në bazë të ligjit, gjyqtarët e Krimeve të Rënda kanë aplikuar në bllok për Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion. Por ka ende nga ata gjyqtarë që nuk po bindin dot familjarët e tyre që të dorëzojnë formularët, në të cilët duhet të deklarojnë se heqin dorë nga privatësia dhe lejojnë që të monitorohen dhe përgjohen, për gjatë kohës që i afërmi i tyre është anëtar i SPAK. Madje, këtë shqetësim e ka ngritur edhe Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, e cila përmes një raporti bën me dije se ngritja e Gjykatës Speciale është ende në proces. Në raport thuhet se edhe pse emërimi i përkohshëm i gjyqtarëve mund të bëhet më thjeshtë sesa prokurorët, KLGJ sipas saj, nuk është shprehur ende. Megjithatë, QSDS bën me dije se këto emërime mund të bëhen nëse familjarët e gjyqtarëve pranojnë që të jenë nën monitorim. “Megjithëse muaji shkurt parashikohej si afati përfundimtar për emërimin e përkohshëm të gjyqtarëve në Gjykatat KKKO, duket se procesi do të kërkojë ende kohë. Edhe pse emërimi i gjyqtarëve dhe procedurat janë disi më të thjeshtuara, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk është shprehur ende zyrtarisht mbi emërimin e përkohshëm të gjyqtarëve të Gjykatave të Krimeve të Rënda. Këto të fundit mund të kalojnë automatikisht në Gjykatat e Posaçme nëse ata dhe familjarët e afërt të tyre pranojnë të japin pëlqimin paraprak për kontrollin e vazhdueshëm periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake apo nëse ndaj tyre ka filluar procesi i rivlerësimit nga KPK”, thuhet në raportin e Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.

Vonesa dhe me procesin e vetingut

Një tjetër arsye se përse po shtyhet ngritja e Strukturës Speciale Antikorrupsion është procesi i vetingut, i cili gjatë kohëve të fundit po ecën me ritme të ngadalta. Gazeta ka bërë një përmbledhje të seancave dëgjimore që ka zhvilluar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me prokurorët dhe gjyqtarët gjatë muajit shkurt dhe rezultojnë vetëm 8 të tilla. Ndërsa për muajin mars në faqen zyrtare të KPK është publikuar vetëm një seancë vetingu. Pra, duke qenë se po ecet me këtë ritëm nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion po shtyhet. Ç’ka do të thotë se të gjithë i kanë sytë nga KPK, në mënyrë që të zhvillojë sa më shumë seanca dëgjimore me gjyqtarët dhe prokurorët, që për rrjedhojë të mos zvarritet ngritja e SPAK. Por me ngritjen e SPAK, do të nisin menjëherë procedurat dhe për ngritjen e BKH-së. Sipas përcaktimeve në ligj, çdo person që ka kaluar testet dhe kushtet për të qenë anëtar i Byrosë, i nënshtrohet një regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të certifikohet. Pasi është certifikuar si i trajnuar dhe i aftë, kandidati konsiderohet hetues. “Emërimi i prokurorëve në PP përbën një fazë mjaft të rëndësishme jo vetëm për fillimin e ngritjes hap-pas-hapi të këtij institucioni të hetimit, por në të njëjtën kohë edhe të fillimit të krijimit të organit tjetër pjesë e SPAK, siç është Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH)”, thuhet në ligj.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here