Ansambli “Tirana” sjell 2 koncerte në skenën e Metropolit

0
877

Ansambli folklorik “Tirana” do të vijë me dy koncerte në teatrin Metropol. Në kuadër të festivalit “Metro Sounds-Përrallë Mesdheu” artistët mbrëmjet e datave 8 dhe 9 mars do të përcjellin krijimtarinë e pasur folklorike për publikun pjesëmarrës. Ansambli zhvilloi dhe mbrëmë një koncert në kuadër të Samitit të dytë të Diasporës duke marrë vlerësimin e publikut. Ansambli me dy koncertet do të jetë në skenë edhe si pjesë e programit të festivalit “Metro Sounds-Përrallë Mesdheu”, që përbëhet nga një përzgjedhje artistike e cila është e ndërtuar për të na vënë në kontakt me identitetin dhe përkatësinë tonë Mesdhetare. Për këtë arsye përpos emrit kryesor, festivali do të ketë dhe nënshkrimin “A Mediterranean Tale/ Përrallë Mesdheu”. Si i tillë ky program sjell copëza kulture nga fqinjët tanë më të afërt si një formë për të vlerësuar dhe dialoguar me kulturat që na rrethojnë nëpërmjet muzikës. Ansambli folklorik “Tirana” është themeluar në vitin 1978. Ai vjen nga një traditë e gjatë e ansamblit popullor dhe është i përbërë nga një grupim artistësh që interpretojnë drejtpërsëdrejti, të cilët mbajnë gjallë, ruajnë dhe kultivojnë muzikën popullore shqiptare, këngët dhe vallet tradicionale të Tiranës dhe Shqipërisë së mesme. Edhe pse fokusi i tyre është Shqipëria e Mesme, repertori kryesor i ansamblit folklorik “Tirana” është i pasur dhe përfshin të gjithë traditat muzikore të mbarë Shqipërisë. Ansambli “Tirana” është i vetmi entitet gjithëpërfshirës i këtij lloji në rajon dhe një aset i rëndësishëm kulturor për kryeqytetin. Ansambli “Tirana” është një laborator ku ndërthuren se bashku brezi i vjetër i artistëve me të rinjtë. Ansambli ka në përbërjen e tij një koorepetitor, 22 valltarë, 5 orkestrantë dhe 2 këngëtarë. Në repertorin e këtij ansambli përfshihen një grup vallesh, një seksion instrumental, dhe një regjistër të solistëve dhe këngëtarë ansamblit. Muzika, instrumentet dhe kostumet janë autentike të Shqipërisë. Shfaqjet e ansamblit përfshijnë lloje të ndryshme të kostumeve nga krahina të ndryshme të vendit, si dhe instrumente të veçanta muzikore që janë bërë nga ana e instrumentistëve tradicionale. Ansambli “Tirana” është fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky ansambël zhvillon koncerte të ndryshme në Tiranë, por merr pjesë edhe në Festivale Kombëtare dhe Ndërkombëtare të Folklorit. Gjithashtu, merr pjesë në të gjitha aktivitetet artistike të organizuara në bazë të kalendarit artistik të Bashkisë së Tiranës dhe Qendrës Kulturore “Tirana”. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here