Ja si Berisha u arrestua në vitin 2000 me urdhër të Metës pas revoltave që nisi për zgjedhjet, blinda e forca speciale për neutralizimin e tij

0
423

Protesta e opozitës, djegia e mandateve dhe skenarët destabilizues po forcojnë çdo ditë e më tepër idenë se gjithçka bëhet nga frika e reformës në drejtësi. SPAK dhe BKH nuk kanë më asnjë pengesë dhe të gjithë politikanët e dinë një gjë të tillë. E vetmja gjë që u ka mbetur është të destabilizojnë vendin me qëllim që të amnistohen të gjithë. Por sinjalet janë se më i tremburi është ish-kryeministri Berisha. Ai ka qeverisur vendin për mbi 16 vite dhe ka pasur jo pak skandale. Ndaj tij ka pasur padi në prokurori, ndërsa shumë ish-ministra janë hetuar për skandale me tenderat. Vetë Rama e ka thënë se Berisha do japë llogari para drejtësisë, ndërkohë gazeta e tha pak ditë më parë se me dorëzimin e mandateve, iku dhe imuniteti që ata gëzonin. Tani prokuroria mund t’i arrestojë shumë lehtë. Por nëse ndodh kjo, nuk do jetë hera e parë për Sali Berishën. Edhe pse PD dhe ai janë munduar ta izolojnë sa më shumë këtë ngjarje, në vitin 2000 Sali Berisha është arrestuar nga policia dhe pas këtij skenari fshihej kryeministri i asaj kohe, Ilir Meta.

Arrestimi i Berishës
Në viti 2000 u mbajtën zgjedhjet lokale dhe opozita e asaj kohe, Partia Demokratike akuzonte qeverinë socialiste se i kishte vjedhur votat. Situata ngjason në shumë aspekte me sot, pasi në nëntor të 2000 ishte Sali Berisha, ai që ngriti qytetarët në revolta kundër qeverisë. Por çfarë ndodhi realisht? Paraditen e 28 nëntorit 2000, dega lokale e Partisë Demokratike në Tropojë organizoi një protestë për vjedhjen e votave që i ishte bërë opozitës në zgjedhjet për pushtetin vendorë. Policia e Tropojës kishte siguruar informacione në rrugë operative se atë ditë pritej të ndodhte një ngjarje e rëndë. Për këtë arsye aty mbërritën forcat RENEA në Bajram Curri. Protestuesit ju drejtuan godinës së gjykatës dhe kërkuan që të largoheshin forcat RENEA. Pas insistimeve të policisë, nisën të shtënat e armëve, kjo bëri që RENEA e policët të largoheshin me shpejtësi duke u strehuar në shtëpitë e qytetarëve. Më pas dhjetra militantë të PD, duke u infiltruar mes protestuesve nisën një sulm ndaj komisariatit të policisë. Fillimisht rrethuan godinën dhe kërkuan që të lirohen të arrestuarit politikë. Efektivët të trembur nga fakti se kishin përballë persona të armatosur dhe të inkriminuar, i liruan të gjithë personat që ndodheshin në paraburgim. Më pas u kërkua që ata të braktisin komisariatin. Një gjë e tillë nuk u pranua dhe kjo bëri që militantët të hapnin zjarr mbi komisariatin e Bajram Currit. Policia u përgjigj dhe nisi një shkëmbim i ashpër zjarri mes palëve. Kryeministri Ilir Meta reagoi menjëherë nga Tirana, duke akuzuar Berishën se po bënte grusht shteti kundër qeverisë.

Arrestimi i Berishës
Ngjarjet në Tropojë alarmuan gjithë Tiranën e për këtë arsye policia e Garda u vunë në gatishmëri. Forcat speciale ishin udhëzuar se do të zhvillohej një operacion sekret. Për këtë arsye rreth orës 19.00 policia bllokoi rrugët rreth ish-selisë së PD, aty ku sot është FRD, si dhe forca policie u vendosën te Ushtari i Panjohur dhe rreth Parlamentit. Po ashtu u fikën dritat dhe u mbush me autoblinda e persona me helmeta e maska. Në ngushticën që krijohet në rrugë prej bustit të “Ushtarit të Panjohur”, makinës së ish-presidentit Berisha, me targë RSH 054, me ngjyrë jeshile, shenjë dalluese vetëm për personalitetet që ruheshin nga Garda e Republikës, i prenë rrugën duke e rrethuar menjëherë rreth 20 maska, të cilat bërtisnin “Ndal! Ndal! Policia, ndal!”. Ndërkohë mbushnin armët për të treguar se ishin të vendosur të hapnin zjarr. Pasi u ndal makina, një prej oficerëve kërkoi të kontrollonte makinën dhe i kërkoi eskortës të dorëzonte armatimin personal..

Zyrtarët e lartë
Pjesë e ngjarjes ishin drejtues të lartë të Ministrisë së Rendit, Bilbil Mema, zëvendësi i tij, Niko Brahimi, si dhe komandanti i Gardës, Arben Çuko, si dhe prefekti i Tiranës, Taulant Dedja. Makina e fundit e eskortës së Berishës ishte ajo ku ndodhej Jozefina Topalli. Zëvendësdrejtori i policisë, Niko Brahimi, i kërkoi Berishës të dilte nga makina. Por ish-presidenti i asaj kohe rezistoi, duke kërkuar urdhrin e prokurorisë për ndalimin e tij. Më pas u urdhërua shoferi që të ndiqte makinat e policisë, por edhe ai nuk u bind. Atëherë, tri njerëz me maska hapën me forcë derën, zbritën andej me forcë komandantin e truprojave të Berishës. Po ashtu u larguan me forcë dhe 2 truproja të tjerë. Menjëherë një person i maskuar i policisë hipi në timon, ndërsa dy të tjerë hipën mbrapa, ku dhe ndodhej Sali Berisha. Ky i fundit rezistoi për rreth gjysmë ore. Ndalimi i tij u bë më 00.22, ndërsa makina e tij nisi të lëvizte rreth orës 00.55. Makina përfundoi te Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Roli i Metës
Në një dokumentar të publikuar më herët nga gazetari Andi Bushati kanë dalë në dritë pamje dhe ajo se çfarë ka ndodhur dhe në komisariat. Berisha është marrë më pas në pyetje nga Veli Myftari, i cili sipas Berishë i kishte thënë: “Zoti Berisha, ju kemi thirrur t’ju këshillojmë që në mitingjet që organizoni të mos bëni thirrje antikushtetuese për prishjen e rendit dhe qetësisë publike..”. Berisha e ndërpret, duke i thënë: “Ti sot nuk me ke thirrur këtu, por më ke rrëmbyer…dhe kjo është e krejtësisht e paligjshme”. Duke iu referuar radios së policisë që qëndronte e takuar dhe vendosur mbi tavolinë, në mënyrë që dikush të dëgjonte mirë pas saj, Berisha vazhdoi: “Ai që të ka dhënë këtë urdhër ty dhe që tani fshihet pas kësaj radioje, është i paburrë. Ai e di se ç’është duke bërë, prandaj nuk guxon të nxjerrë fytyrën…” Radioja e policisë që ishte në duart e njërit prej shoqëruesve të Berishës, i cili nuk ishte në makinë, filloi të skanonte thirrjet në radiot e policisë. Ilir Meta shfaqej në të gjitha frekuencat. Berisha e akuzoi drejtpërdrejt se fshihej ai pas gjithçkaje. Por Berisha më pas doli dhe vijon edhe sot të jetë protagonist.

Situata sot
Nëse hiqet një paralele mes vitit 2000 dhe sot, kemi shumë gjëra të përbashkëta. Në të kohë ishte po Sali Berisha ai i cili protestonte kundër zgjedhjeve dhe arriti deri aty sa të ngrejë qytetarët kundër qeverisë, duke sulmuar me armë policinë. Sot po ai kërkon revolta dhe nxit sulme ndaj Kryeministrisë, apo kërkon grusht shteti. Ndonëse sot janë bashkë, në atë kohë Ilir Meta e ka një meritë, e arrestoi Sali Berishën, edhe pse nuk arriti ta ndëshkojë. Sot organet e rendit e kanë lënë në hije duke mos ja vënë veshin. Por ngjarjet që po ndodhin dëshmojnë qartës e arkitekti i gjithçkaje është Berisha. Në vitin 1996 ai vodhi zgjedhjet duke minuar i pari demokracinë. Në vitin 1998 tentoi grusht shteti për të rrëzuar Fatos Nanon po për zgjedhjet, ndërsa në të njëjtën linjë vijoi dhe në vitin 2000. Pra, Berisha ka qëndruar i qetë vetëm kur ndodhej në pushtet, pasi sa herë që ka bërë opozitës, ka nxitur dhunë dhe kaos.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here