Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj ka komentuar ditën e djeshme zhvillimet më të fundit politike në vend, duke e ndalur theksin tek opozita, sidomos tek vendimi i saj për të djegur mandatet apo edhe thirrjet e lidërve të saj gjatë protestova dhe jovetëm për të rrëzuar qeverinë. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Brokaj u shpreh i bindur se opozita po përdor skenarë destabilizues, siç janë protestat e dhunshme dhe djegia e mandateve të deputetëve, me qëllim bllokimin e reformës në drejtësi. Në këtë kontekst, ish-ministri theksoi se opozita dhe krerët e saj kanë frikë nga SPAK, andaj dhe po bëjnë këtë sjellje. Madje, ai nuk nguroi që të akuzonte ish-kryeministrin Sali Berisha si arkitektin dhe dirigjentin e dhunës së ndodhur gjatë protestës së 16 shkurtit para Kryeministrisë, ku protestuesit tentuan që të hynin brenda godinës së Këshillit të Ministrave, duke përdorur forcë dhe dhunë. Megjithatë, Brokaj theksoi se të gjitha këto që bën opozita priten, aq më tepër nga Berisha, që sipas tij, ka treguar se mund të vrasë për pushtet.
-Z. Brokaj, opozita në datën 16 shkurt protestoi para Kryeministrisë, ku ranë në sy aktet e dhunës. Keni një koment?
Protesta ishte normale në shumicën dërrmuese të saj, me pjesëmarrje përgjithësisht të qetë dhe më një numër që e vlente ta konsideroje, por jo sa e thotë opozita. Por kishte njerëz. Ndërkaq, që të hyj në temë të pyetjes, mungesa e fjalimeve, në mënyrën se si u justifikua nga krerët e opozitës dhe dhuna e një grupi njerëzish, tregoi që ata që e organizuan protestën, për mendimin tim ishin edhe arkitektët e dhunës, në të cilën institucioni i Kryeministrisë u bë target. Kështu që për të mos u quajtur nxitës së dhunës, nuk folën. Por e gjitha ishte një skenar i krerëve të opozitës. Dhe duke mos folur, që pse i mblodhën ata njerëz në protestë, treguan vobektësinë e tyre politike. Se të thërras mijëra njerëz në tubim, me organizim, me pare, udhëtim e me të gjitha, e t’iu prezantosh vetëm një grup mercenarësh të dhunshëm, pa u thënë politikën, idetë, programin, vizonin, angazhimet, premtimet, që ka opozita për të ardhur në pushtet, kjo për mendimin tim nuk është politikë. Asnjë parti, konkretisht nuk mund të ketë sukses, apo të organizojë dhe t’ia arrijë qëllimit që ka me protestë dhe tubime, pavarësisht nga numri i militantëve dhe qytetarëve që i shkojnë për ta mbështetur. Pra, në qoftë se një opozite i mungon motivi dhe alternativa është e kot që thërret njerëzit në protestë. Thënë më shkoqur, protesta dhe dhuna që u pa në atë tubim ishte e paramenduar, andaj dhe munguan fjalimet nga liderët politikë, që të mos quheshin si nxitës së dhunës. Kështu që fjalimet i zëvendësuan më saktë me grupin e dhunës.
-Si ju duk strategjia e ndjekur nga policia në protestë?
Strategjia e Policisë së Shtetit në protestën e 16 shkurtit, për mendimin tim ishte ekselente. Asnjëherë nuk kemi parë një strategji të butë, shumë të butë, nga çfarë mund të kërkohej në raport me dhunën e ushtruar nga protestuesit. Një meritë të veçantë në këtë strategji i shkon edhe ministrit të Brendshëm, zotit Sandër Lleshi, i cili në mënyrë korrekte dhe tejet të zgjuar organizoi një strategji për policinë, duke e mbajtur protestën nën kontroll.
-Gjatë protestës nuk munguan edhe deklaratat spontane të liderëve të opozitës, ku ra në sy ajo e ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, ndërsa theksoi se ka ardhur koha që kryeministrit Edi Rama t’i fusësh “plumbin” ballit. Si i shihni ju këto deklarata?
Në këtë mesele nuk ka asgjë të veçantë. Këto nuk janë deklarata, por kërcënime të hapura. Mos harroni që Sali Berisha e ka pasion dhunën dhe ai nuk ka bërë thirrje në këtë rast, pasi historia ka treguar që Saliu ka qëlluar me plumba për pushtet. Dhe këtë e kanë lënë pa e ndëshkuar. Kështu që se bën thirrje Saliu, i bën se e di që është i imunizuar. Por e patolerueshme është se një njeri si Berisha që ka vrarë njerëz, ka plaçkitur këtë vend dhe bën thirrje mos u shqetësoni shumë, në kuptimin që politikanët kundërshtarë nuk kanë reaguar. Kjo pasi për të gjitha këto Saliu duhet të kishte dhënë shpjegime në prokurori, aq më tepër që vrau katër qytetarët në mes të ditës në bulevard. Kështu që u mësuam me Saliun por edhe me këta që e kanë toleruar Saliun. Berisha e ka vendin në burg.
-A fshihet pas skenarit të opozitës frika nga reforma në drejtësi dhe SPAK?
Kjo është pyetja qendrore e intervistës për mendimin tim. Protesta e datës 16 shkurt dhe gjithë dhuna që ndodhi atje, përfshi këtu edhe djegien e mandateve, kur ndodh një fenomen pyetet kujt i intereson dhe çfarë pasojë ka. Djegia e mandateve dhe protesta e dhunshme, shtrohet pyetja, kujt i interesonte? Po së pari mund të themi që mazhorancës qeverisëse nuk i interesonte. Së dyti a i interesonte po themi opozitës? Patjetër që një opozite budallaqe si kjo që kemi, natyrisht që i intereson dhuna në protestë dhe djegia e mandateve. Një opozite të inkriminuar si kjo që kemi, natyrisht që i intereson, kjo krizë politike. Pra, nga ky arsyetim mund të themi se protesta dhe djegia e mandateve bëhen pikërisht si një hap i fundit i ndërmarrë nga ana e opozitës për të frenuar dhe penguar reformën në drejtësi. Madje, gjithë kjo strategji e opozitës, duke filluar nga thirrjet për revolta, destabilitet, kaos apo edhe vendimi i papërgjegjshëm siç është djegia e mandateve, në thelb synon që të shmanget dhe të shtyhet sa më gjatë ngritja e SPAK-ut dhe BKH-së. Kështu që duket qënë se Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka tagër vetëm që të hetojë korrupsionin me themel, opozita ka frikë, pasi është përfshirë në shumë zullume dhe afera. Nuk ka absolutisht asnjë arsyetim se përse bëhet ky veprim në një kohë kaq të rëndësishme që ndodhet Shqipëria. Është njëlloj sikur dy skuadra kanë në program të ndeshen në fushë. Dhe për çudi njëra nuk paraqitet, siç është në rastin konkret opozita. Kështu që, vetiu ai që vete në fushë ka fituar, siç është në rastin konkret mazhoranca qeverisëse, ka fituar ndeshjen pa u lodhur fare. Dhe këta të opozitës, tani në vend që të ndeshen me mazhorancën, duke u paraqitur në Parlament, e duke shpalosur programe e ide të mira, dhe natyrisht duke shfrytëzuar mangësi jo të pakta të shumicës, fitoni gradualisht në çdo ditë mundësinë që t’iu prezantoheshin, në mos fitues në këto zgjedhje, në zgjedhjet e tjera më mirë se ato që lanë pas. Por me këtë strategji dhe me këto veprime, opozita tregoi se nga “nokraut” doli “nokaut” gjatë ndeshjes që pati me mazhorancën. Si përfundim, pavarësisht përpjekjeve dëshpërues të opozitës, nuk kanë për t’ia arritur qëllimit që të ndalin dhe të zhbëjnë reformën në drejtësi, sidomos ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Kjo pasi reforma në drejtësi është një domosdoshmëri dhe një nevojë historike për Shqipërinë dhe është një deteterminim i kushtëzuar dhe mbështetur fuqishëm nga aleatët strategjik, si Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Kështu që siç e thashë edhe më sipër këto veprimi të papërgjegjshme të një opozite të trembur, të inkriminuar, se nuk mundet t’i vësh emër tjetër.
-Të enjten pati sërish protestë para Parlamentit, po për të çfarë mendimi keni?
Ajo ishte një protestë me e vogël për nga përmasa, krahasuar me atë të 16 shkurtit. Dhe besoj se edhe tërheqja e liderëve të opozitës nga skenarët e dhunshme u bë nga ndërhyrja e ndërkombëtarëve. Këtë të fundit i tërhoqën veshin opozitës dhe ata u zmbrapsëm nga skenarët për të destabilizuar vendin. Mos harroni që të huajt nuk e njohin, kurrsesi asnjëherë dhunën dhe një qeveri të dalë nga dhuna. Dhuna nuk është instrument politik. Kontingjentet e dhunshme në Shqipëri sa vijnë edhe pakësohen. Ka ikur koha e Saliut që donte pushtetin me dhunë.
-Një tjetër veprim ekstrem nga opozita është ai i djegies së mandateve. Pse PD e LSI arritën në këtë gjendje?
Është një veprim foshnjor dhe i papërgjegjshëm i marrë nga liderët e opozitës. Politika natyrisht, kur e ke mundësinë që ta bësh në Parlament, nuk ke pse e zhvendos në rrugë. Po deshe edhe mund t’i kombinosh mes Parlamentit dhe protestave, por kur jo, në një kohë kur je në Parlament dhe të dalësh në rrugë e të merresh me gorrica. Pasi në këtë rebus me e fituar del mazhoranca dhe jo opozita. Mos harrojmë që edhe ndërkombëtarët do të bëjnë punën e tyre, ku falë presionit do ta detyrojnë opozitën që të tërhiqet nga kjo rrugë qorre. Pikërisht se gjithë kjo strategji e opozitës bie ndesh me strategjinë e ndërkombëtarëve dhe aleatëve dhe në kundërshtim me interesat e vendit. Natyrisht dhe të huajt janë të interesuar që Shqipëria të mos mbetet në klasë, siç është e prapambetur. Dhe është edhe interesi i të huajve, pasi natyrisht ata duan të kenë një partner të denjë siç është Shqipëria, pra një aleat me cilësi.
-Sjellja e opozitës a minon negociatat me Bashkimin Europian, pasi vendimi final jepet më 30 qershor?
Padiskutim që sjellja e opozitës sot, tregon qartë që një ndër synimet e saj është pengimi, apo mos hapja e negociatave në qershor. Pra, gjithë veprimet e opozitës, pavarësisht se ajo pretendon të kundërtën kanë si qëllim frenimin apo shtyrjen e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe të pengojnë progresin e vendit, përfshi këtu reformat integruese.
-Mendoni se qeveria do tërhiqet? Do kemi zgjedhje të parakohshme?
Mazhoranca qeverisëse me këtë lloj opozite që ka Shqipëria, mund të bëjë si t’i dojë qejfi. Dhe në çdo zgjedhje që të hyjnë, prapë fiton. Opozita në Shqipëri nuk ka vizon dhe alternativë që t’ia ofrojë qytetarëve.
-Më 20 shkurt u shënua dhe 28 vjetori i rrëzimit të bustit. Çfarë kujtoni nga ajo ditë?
Përderisa për ndryshimin e sistemit ishte dakord që ajo parti në fuqi. Ramiz Alia kishte një vit që përgatiste terrenin për ta lënë pushtetin dhe për të përgatitur pluralizmin, natyrshëm që monumenti i Enver Hoxhës do të rrëzohej. Sistemi në atë kohë do të ndryshonte në mënyrë rrënjësore, kuptohet që edhe simbolet e komunizmit dhe diktatorit Enver Hoxha do të iknin. Pastaj se kush i hoqi vidat dhe kush e tërhoqi zvarrë bustin, ky është aspekt subjektiv i detajuar. Po përderisa nuk u kundërshtua nga regjimi asokohe, ishte e vetëdijshme që ai pushtet do të binte. Ramiz kishte kohë që e mendonte që do të lëshonte pushtetin. Por po të mendojmë se pas 30 vjetësh, kë do të kishim dhe si do të ishim, dhe atë që e rrëzuan monumentin do të pendoheshin. Pasi të bash Saliun kaq vite në pushtet është humbje kohe.
Intervistoi: Rigels Seliman