Mogherini: Nëse Kosova heq tarifën, thërras menjëherë takimin Thaçi-Vuçiç

0
515

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini konfirmoi dje se është e gatshme të organizojë takime në nivel presidentësh mënyrë që të arrihet marrëveshja për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por tha se aktualisht nuk ekzistojnë kushte për të thirrur një takim të ri, duke iu referuar taksës tregtare të Kosovës ndaj mallrave serbe. Mogherinit, duhet të ketë “pezullim ose heqje të tarifës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës” nga ana e Kosovës, në mënyrë që të krijohen kushtet për një takim të ri ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë. “Në momentin që krijohen kushtet, jam e gatshme që mëngjesin e ardhshëm të organizoj takimin, por edhe ta përmbyllim atë për aq kohë sa nevojitet: shtatë ditë, një muaj apo tre muaj” ka thënë Mogherini. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, tha se të gjithë duhet të përdorin një atmosferë pozitive në mënyrë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme, për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, Mogherini tha se nuk po sheh “ndërmarrjen e veprimeve që çojnë në këtë drejtim”. Në takimin e së hënës mes ministrave të Jashtëm të BE me shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, nuk është diskutuar për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por komentet ajo i bëri pas pyetjes së gazetarëve.

Haradinaj: Jo dialog me kushte

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur sot nga vendlindja e tij, Gllogjani se taksa ndaj produkteve serbe nuk do të largohet dhe se askush nuk duhet të tentojë të shfuqizojë vendimin të cilin Qeveria e ka marrë unanimisht muaj më parë, duke iu referuar partnerëve të koalicionit qeveritar. Sa i përket thirrjes së SHBA e BE që taksa të anulohet, Haradinaj ka thënë se veprimet të tilla ndërmerr edhe vetë shteti amerikan. “Presidenti Trump ka vendos tarifa për plot vende dhe ekonomi, po ndërton mure me Meksikën. Ne do të shkojmë kësaj rruge dhe tarifa nuk hiqet deri në njohje”, është shprehur Haradinaj pas homazheve në varrezat e dëshmorëve. “Nëse shkojmë hapa prapa, mund ta kërkojnë  sot heqjen e tarifës, pastaj Trepçën… Dialogu të ndodhë pa kushtëzime, i kemi thënë Mogherinit. Serbia po i nxjerr kushte Kosovës në vend se të ishte ndryshe. Në tavolinë mund të bisedohet edhe për taksën. Pres përkrahje e të gjithëve edhe të partnerëve politikë edhe pse mund të ketë mendime të ndryshme. Nuk është mirë të provojë dikush që ta heq pasi që vendimi ka qenë i të gjithëve. Nuk është demokraci të hiqet pa votën e njërit partner, në këtë rast AAK”, tha i pari i Qeverisë.

Dialogu në udhëkryq

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë për shkak të tarifës së vendosur nga ana e autoriteteve në Prishtinë ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës. BE dhe SHBA kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të pezullojë tarifën mirëpo një gjë e tillë po kundërshtohet nga kryeministri, Ramush Haradinaj. Ai kërkon që paraprakisht Serbia ta njohë Kosovës dhe për tarifën të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Në një konferencë shtypi pas takimit të ministrave të BE, Mogherini tha se kushti bazë për vazhdimin e dialogut është heqja e taksës ndaj mallrave serbe, e vendosur në nëntor të vitit të kaluar, e për të cilën kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka precizuar se do të mbetet në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. Kryediplomatja evropiane pret që Beogradi dhe Prishtina të përdorin një atmosferë pozitive, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të plotë të marrëdhënieve. 

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here