Bankat ashpërsojnë masat, nuk merr kredi kush nuk paguan dritat, ujin dhe telefonin

0
438

Asnjë person që nuk ka paguar faturat e dritave, ujin apo telefonin, apo që ka detyrime të papaguara nëpër dyqane dhe kompani të tjera, nuk do ketë mundësi që të marrë një kredi bankare. Bankat në Shqipëri janë organizuar për krijimin e një zyre që do të mbledhë këto të dhëna, si një masë për të ulur numrin e kredive që nuk shlyhen. Kështu, bizneset apo individët që nuk janë korrektë me shlyerjen e faturave të energjisë, ujit apo dhe pagesën e telefonit do ta kenë më të vështirë për të marrë një kredi në bankë. “Nëse ju nuk paguani energjinë elektrike, nuk paguani faturën e ujit apo telefonit sigurisht që kjo përbën një risk financiar dhe që banka të japë një kredi duhet të shohë se çfarë detyrimi keni ju përreth. Sot, ky informacion nuk merret”, u shpreh Spiro Brumbulli, nga Shoqata e Bankave. Shqipëria ka aktualisht një regjistër kredie, i cili përmban të dhënat vetëm për detyrimet që individët apo biznesi kanë në banka. Byroja e kredisë, në ndryshim nga regjistri i kredive që administron aktualisht Banka e Shqipërisë, parashikohet të mbledhë informacion jo vetëm mbi ekspozimin e kredimarrësve në sistemin bankar e financiar, por dhe mbi ekspozimet e tyre kundrejt institucioneve jofinanciare (të tilla si: Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë elektrike; Ujësjellës Kanalizime; Telekomunikacion; etj. Kështu, qytetarët që kanë borxhe të pashlyera jo vetëm në banka, por edhe institucione të tjera publike dhe private do të jenë të identifikuar zyrtarisht. Me ndihmën e BERZH, Shoqata e bankave ka nisur punën për të ndërtuar byronë kombëtare të kredisë. “Përveç bankave sigurisht që mund të jenë ujësjellësit, mund të jetë shoqëria e energjisë mund të jenë shoqëritë e telekomunikacionit, mund të jenë telekomunikacionet, supermarketet etj., pra çdo shoqëri që shet me kredi”, bëri me dije Brumbulli. Të dhënat në byronë e kredisë janë konfidenciale. Por nëse një qytetar kërkon kredi, atëherë ai duhet të autorizojë byronë që t’ja përcjellë informacionin bankës. Madje byroja do të verë edhe nota.

Projekti për ngritjen e byrosë

Ngritja e byrosë kombëtare të kredive është listuar si një nga masat kryesore të qeverisë për uljen e kredive të këqija, pasi ajo u jep informacion të plotë bankave mbi gjendjen financiare të një biznesi apo individi. Banka e Shqipërisë ka hartuar një projektligj, i cili i hap rrugë ngritjes së Byrosë Kombëtare të Kredive. Ndryshe nga regjistri aktual i kredive, byroja do të ketë informacion shumë më të hollësishëm mbi historikun financiar të çdo individi që ka një borxh. Byroja mësohet se do të funksionojë me sistem pikëzimi, të ngjashëm me atë të patentës. Për individët të cilët nuk janë korrektë në shlyerjen e borxheve apo faturave do të ketë zbritje të pikëve. Ky sistem pikëzimi i mundëson bankave, por edhe institucioneve të tjera financiare që të kenë një profil të saktë rreziku për çdo qytetarë apo biznes. Bazat për krijimin e byrosë kombëtare të kredisë janë hedhur nga një marrëveshje mes Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim dhe qeverisë shqiptare. Qëllimi i ngritjes së këtij institucioni është ulja e kredive të këqija dhe parandalimi i krijimit të kredive të reja problematike, pasi bankat do ta kenë më të lehtë të evidentojnë qytetarët dhe bizneset që nuk janë korrektë në shlyerjen e borxheve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here