Atentati në Vlorë/ Arrestohet Armando Sulejmani,iu gjet pistoletë pa leje në automjet

0
500

Një ditë pas atentatit me dy të vrarë dhe një të plagosur në Vlorë, mëngjesin e djeshëm policia ka vënë në pranga të plagosurin, i cili ishte dhe objektiv i këtij atentati Armando Sulejmani. Arrestimi i 42-vjeçarit, i njohur dhe me pseudonimin “Çipuri”, u bë nga ana e uniformave blu të qytetit bregdetar, pasi atij i është gjetur një armë pa leje pistoletë. Ndërkohë nga hetimet rezulton se edhe makina e përdorur nga autorët e krimit ka qenë e vjedhur dhe me targa të falsifikuara. Policia ka shoqëruar të paktën 15 persona në lidhje me ngjarjen ndërsa në vendin e krimit te Uji i Ftohtë mësohet se janë sekuestruar 25 gëzhoja. Masa e arrestit Sulejmanit iu komunikua në ambientet e spitalit të Vlorës Policia njoftoi se ka vendosur në pranga të plagosurin, pasi i ka gjetur një pistoletë pa leje. Ndërkohë, mësohet se pas atentatit mafioz në Vlorë, policia ka shoqëruar shumë se 15 persona që po verifikohen në lidhje me ngjarjen. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se të shoqëruarit janë persona të cilët mund të kenë qenë dëshmitarë dhe që kanë patur konflikte të mëparshme me dy të vrarët dhe personin e plagosur Armando Sulejmani. Hetuesit thanë se në vendin e vrasjes në zonën e Ujit të Ftohtë janë gjetur me shumë se 25 gëzhoja. Ndërkohë nga verifikimet e bëra prej grupit të hetimit, dyshohet se edhe makina e përdorur nga autorët e atentatit, është e vjedhur. Ndonëse mjeti u gjet i djegur disa orë pas vrasjes së dyfishtë, policia ka zbuluar se targat kane qenë false. Viktimat e atentatit Orest Rexho dhe Arjan Hasani, ishin të njohur të Armando Sulejmanit. Dyshohet se ky i fundit ka qenë objektiv i atentatorëve pasi edhe në vitin 2016 në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, iu bë një atentat pranë banesës së tij. 42-vjeçari, mbeti i plagosur me një plumb në krah, ndërsa deklaroi në polici se nuk i njihte atentatorët. Armando Sulejmani i njohur me nofkën “Çipuri” njihet në Vlorë edhe si anëtar i bandës së Gaxhait.

Ngjarja

Një automjet tip “Mercedes Benz” i ka prerë rrugën makinës ku gjendej Sulejmani dhe më pas kanë hapur zjarr duke qëlluar me breshëri. Hetuesit thonë se shënjestër e atentatit ka qenë 42-vjeçari Sulejmani. Ky i fundit ka marrë disa plumba dhe ndodhet në Spitalin Rajonal të Vlorës në gjendje kritike. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta Policie, të cilat kanë nisur hetimet, trupi i një prej personave është gjendur jashtë automjetit, ndërsa viktima e dytë në brendësi të saj. Nga Policia është mësuar se ndaj tyre është qëlluar nga një tjetër automjet, i cili mësohet se është larguar në drejtim të fshatrave të Vlorës. Në drejtim të kësaj zone, pak pas ngjarjes, u nisën forca të shumta Policie si dhe u ngritën postblloqe të shumta në hyrje dhe dalje të qytetit bregdetar. Sipas hetimeve të para, Policia konfirmon se autorët kanë ndjekur deri në fund automjetin e tre personave, duke qëlluar me breshëri dhe mos i lënë shteg për t’u larguar. Më pas, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes në drejtim të fshatit Sherishtë. Pikërisht në këtë fshat, Policia gjeti dhe një automjet të djegur vetëm pak minuta pas atentatit. Në brendësi të mjetit janë gjendur tri armë, tip kallashnikov, duke besuar grupin hetimor se është pikërisht mjeti i përdorur nga atentatorët e kësaj ngjarjeje mjaft të rëndë në Vlorë. Automjeti i djegur është këqyrur nga grupi hetimor, për të gjetur ndonjë gjurmë të mundshme të autorëve, ndërsa armët janë marrë nga këta të fundit për të parë nëse do të gjenden gjurmë apo shenja që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Ndërkohë, mësohet se Policia ka vijuar kontrollet në zonën e lumit të Vlorës, zonë nga ku dyshohet se janë larguar autorët e ngjarjes. Armando Sulejmani (Çipuri), i cili mbeti i plagosur në këtë ngjarje të rëndë, i ka shpëtuar edhe një herë tjetër një atentati të kryer ndaj tij në vitin 2016. 42-vjeçari është një emër i njohur për Policinë e Vlorës. Pikërisht pak kohë pasi kishte dalë nga burg, ndaj tij u qëllua me breshëri automatiku. Atentati ndaj tij u regjistrua në 23 maj të vitit 2016, pikërisht pranë banesës së tij në lagjen “Pavarësia”. Ndaj tij u qëlluan 11 plumba, por vetëm njëri e plagosi lehtë në krah. 42-vjeçari Sulejmani rezulton person i përfshirë në disa ngjarje kriminale në qytetin e Vlorës dhe për këtë arsye, dyshohet se atentati vjen për shkak të hakmarrjes. Ndërsa kunati i tij, i cili mbeti i vdekur, nuk rezulton person i skeduar. Nga ana tjetër, emri i viktimës tjetër, Arjan Hasani, del në disa përgjime të Prokurorisë për trafikimin e lëndëve narkotike, por ai nuk u arrestua asnjëherë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here