Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” rikthen në skenë shfaqjen teatrore “Mbretëresha e bukurisë nga Leenane”. Teatri bën me dije se është një vepër do të dhurojë emocione. “Dhurojini njeriut tuaj të zemrës emocione pafund, dhurojini një mbrëmje teatrore!”, shkruan teatri për shfaqjen që do të jetë në skenë në datat 14-15-16-17-18 Shkurt ora 19:00. “Mbretëresha e bukurisë nga Leenane” është një komedi e zezë shkruar nga autori Martin McDonagh, dhe në skenën shqiptare vjen premierë me regji nga Kiço Londo. Në këtë vepër kemi në qendër të saj një nënë dhe një vajzë që persekutojnë njëra- tjetrën. Nëna për të mos ngelur vetëm dhe vajza për të gjetur rrugën e saj. Vepra, e vendosur në malet e Konemarës në kontenë Galluej të Irlandës, rrëfen historinë me nota të errëta komike të Morin Folanit, një grua e zakonshme dhe e vetmuar në të dyzetat, dhe të nënës së saj manipuluese Meg. Ndërhyrja e Megit në mundësinë e parë dhe ndoshta të fundit të së bijës për një lidhje dashurie vë në lëvizje një tren me ngjarje sa komike, aq tmerruese, të cilat çojnë në fundin e pashmangshëm tragjik të pjesës. Vepra me autor Martin McDonagh është përkthyer nga Adriana Tolka. Rolet në këtë shfaqje regjisori Londo ia ka besuar aktorëve Laura Nezha, Ermira Gjata, Genci Fuga, Engjëll Hoxha. Skenograf Beqo Nanaj dhe kostumografe Sofi Kara, as/regjisor Marsel Greva, Kleard Gërmenji.
“Kjo komedi tragjike vazhdon të shfaqet me sukses në skenat botërore”, shkruan teatri. “Mbretëresha e bukurisë nga Leenane” është një kritikë ndaj nacionalizmit irlandez, i cili është toksik dhe anti-modern, ndërkohë që tregon nevojën urgjente për një identitet, që nuk është vetëm modern, por edhe irlandez. Ndërsa prioritetet e autorit McDonagh sillen te krijimi i komedisë së zezë, fakti që vepra është bërë kaq e famshme tregon vendin voluminoz, që zë ajo në një diskutim më të gjerë mbi luftën për të gjetur një truall të mesëm midis nacionalizmit, që qëndron larg realitetit, dhe modernitetit të zbrazët kulturalisht. Ndërsa Martin McDonagh nuk e drejton gishtin mbi ndonjë lloj shprese apo zgjidhjeje në vepër, cikli zemërthyes i traumës mes personazheve në Linejn paraqet një kritikë kulturale të rëndë dhe të sinqertë.