GKA ende pa kalendar artistik, artistët: Po shkelet një detyrim ligjor, duam të njihemi me aktivitetet

0
451

Artistët shprehen Galeria Kombëtare e Arteve është kthyer në një institucion hermetik. Sipas tyre në GKA ende nuk ka të prezantuar një kalendar për aktivitetet dhe ekspozitat, që do të zhvillohen përgjatë këtij viti. Piktorët shprehen se ashtu si dhe vitin që kaloi ku GKA nuk prezantoi një axhendë për ekspozitat duket se po vijohet me mbylljen e institucionit. Piktori Sadik Kasa shprehet se fakti që deri tani GKA nuk ka të prezantuar asnjë projekt gjatë këtij viti tregon që problemet do të vijojnë. “Të flasësh për GKA është një lloj si të komunikosh me alienë për sa kohë që ajo është e mbyllur si bunkerët e Enverit, hermetike për artistët! Brenda saj vërtiten disa pseudo artistë me borde kafesh dhe pa punë! Fakti është që deri tani GKA nuk ka afishuar asnjë projekt për këtë vit, pa u bërë merak se diçka do sajojë për të bërë një ekspozitë dhe rrogat merren dhe kalon dhe një vit si të tjerët”, pohon piktori. Më tej ai shton se në GKA ka nevojë për t’u mbledhur artistët dhe të diskutohet statusi. “Piktorët janë të interesuar direkt për mbarëvajtjen e saj dhe jo drejtuesit që shkojnë e vijnë sa herë që ndërrohet politika! Për mendimin tim për këtë duhet që Ministria e Kulturës të lëvizë situatën, duke organizuar takime me artistët për të vjelë mendime. Nëse vazhdohet në këtë mënyrë shoqërisë nuk i ngelet gjë vetëm të konsumojë sallatë politike banalitete që shfaqen shpesh në ekrane”, vijon piktori Kasa. Për piktorin Adrian Devolli institucioni duhej të kishte bërë me dije që në dhjetor se çfarë ekspozitash do të kishte këtë vit. “Kalendari duhet të ishte shpallur, që në dhjetor për vitin që vjen. Nuk ka kuptim kaq vonë. Pra nëse tani jemi në mes të shkurtit, ende nuk dimë kanë ndërmend ta shpallin apo jo në GKA kalendarin. Ministrisë së Kulturës i kërkojmë që ne duam të dimë se cilët janë aktivitetet që do të bëjë GKA gjatë këtij viti në artin figurativ. Si është plani i GKA për këtë vit, sepse nuk dimë asgjë. GKA është hermetike”, pohon piktori. Por pranë këtij institucioni në lidhje me ekspozitat që do të zhvillohen gjatë këtij viti bëhet me dije se është miratuar një kalendar, që do të publikohet së shpejti.

 Në GKA flihet gjumë

Edhe pse pranë GKA bëhet me dije se së shpejti do të publikohet një kalendar për ekspozitat, sërish për piktorët deri tani është treguar se në institucion problemet vazhdojnë. Piktori Robert Përmeti pohon se GKA aktualisht është një ndër institucionet qëndrore të artit shqiptare, por ashtu si një vit më parë duke vijuar dhe tani lë për të dëshiruar. “Tradicionalisht GKA ka prezantuar çdo vit kalendarin artistik të saj, por me ardhjen e drejtorit të ri, ky kalendar zor se do të arrijë të formulohet dhe kjo për arsyen e thjeshtë se, drejtori i ri, i importuar nga Kosova, as që e ka idenë e artit dhe të artistëve shqiptar”, pohon piktori Përmeti. Sipas tij GKA duhet të ketë në qendër të saj promovimin, si brenda dhe jashtë vendit autorët dhe artin më të spikatur shqiptar të realizuar ndër vite, por kjo nuk po ndodh. “Aktualisht GKA është kthyer në një strofull ku flihet gjumë dhe për këtë taksapaguesit shqiptar paguajnë verbërisht e pa kërkuar llogari. E kjo nuk i shërben askujt, përveçse mediokërve që vegjetojnë të mbrojtur nga qeveria, si kërpushat në shpinë të deleve. Shpresojmë që ministrja e re e Kulturës të promovojë synime të tjera bashkëkohore, sepse kjo mundësi ekziston nëse ajo do të dijë ti promovojë dhe nëse do të dojë ti promovojë. Këto synime fillojnë së pari duke pastruar ekipet mediokre që vegjetojnë nëpër atmosferën e artit por që as e kanë idenë se ç’ndodh me artin. Koleksionistët privatë sot në Shqipëri bëjnë një punë shumë të kualifikuar dhe shumë të vlefshme, ndërkohë që GKA e ha bukën kot. GKA nuk duhet të ketë prioritet lyerjen e mureve, por ekspozimin. Me synime”, pohon piktori Robert Përmeti. Edhe në vitin që lamë pas GKA nuk prezantoi një kalendar të aktiviteteve duke bërë që artistët të reagojnë, për të pasur një publikim të aktiviteteve dhe veprimtarive.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here