Rritet numri i bizneseve debitore, Tatimet nisin mbledhjen e borxheve me forcë në mbi 22.600 subjekte

0
425

Numri i bizneseve debitore ndaj Tatimeve kapërcen shifrën 22.600, duke u rritur në vetëm 2 muaj, me afro 1500 të tilla. Administrata Tatimore ka përditësuar në faqen zyrtare, listën e plotë të bizneseve me detyrime të papaguara tatimore deri në muajin tetor. Ndërkohë që vetëm 2 muaj para përditësimit të fundit, pra në muajin gusht, shifra e bizneseve debitore llogaritej afro 21000 biznese, tashmë Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve bën me dije se lista ka arritur në 22.627 biznese dhe është objekt i sekuestrove të pasurisë dhe bllokimit të llogarive bankare. Njoftimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.

Afatet për të paguar borxhin tatimor

Drejtoria e Përgjithshme sqaron bizneset se afati për të paguar një borxh tatimor sipas rasteve është: Në rastin e vetëdeklarimit brenda 10 ditëve nga data e vetëdeklarimit; Nëse borxhi nuk është apeluar bëhet brenda 30 ditësh nga data e marrjes së njoftim vlerësimit; Brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftim vlerësimit, vetëm detyrimin tatimor dhe kamatëvonesën lidhur me të, edhe në rastin kur tatimpaguesi ka apeluar borxhin tatimor. Me plotësimin e këtyre afateve proceduriale, sistemi në mënyrë automatike ju dërgon në e-filing tuaj “Njoftim dhe kërkesë për pagimin e detyrimit tatimor”. Nëse brenda 10 ditësh nga data e marrjes së këtij njoftimi, biznesi vazhdon të mos paguajë borxhin e tij tatimor, ndaj tij fillojnë masat ligjore të mbledhjes me forcë të borxhit.

Masat e mbledhjes me forcë të borxhit tatimor

Tatimet veprojnë me 4 hapa, për mbledhjen me forcë të borxhit tatimor. Fillimisht veprohet me urdhër bllokimi të llogarive bankare, ku i kërkohet çdo banke ku tatimpaguesi ka llogaritë e tij të mbajë shumën e detyrimit të papaguar në rast mosarkëtimi të detyrimeve 10 ditë pas njoftimit të tij. Hapi i dytë është barra e sigurisë dhe/ose barra hipotekore mbi pasuritë 10 ditë pas lëshimit të urdhër bllokimit në rast se nuk është arritur arkëtimi i detyrimit. Hapi i tretë është urdhri për sekuestrim të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në rast se detyrimi nuk është arkëtuar brenda 30 ditëve nga data e vendosjes së barrës së sigurisë dhe/ose hipotekore. Hapi i katërt është konfiskimi i pasurisë nga Administrata Tatimore në rast se detyrimi nuk është arkëtuar brenda 15 ditëve nga sekuestrimi i pasurisë. Administrata Tatimore i dërgon gjithashtu administratës doganore një njoftim ku kërkohet bllokimi i aktivitetit doganor të tatimpaguesit deri në momentin e kryerjes së pagesës së detyrimit të papaguar. Në rastet e moslikujdimit të plotë të detyrimit tatimor pas ndjekjes së këtyre hapave kalohet në nxjerrjen e njoftimit, i cili urdhëron palët e treta për pagesën e detyrimit tatimor.

Çfarë është ekzekutimi me forcë i debisë

Ky urdhër për fillimin e procedurave për ekzekutimin me forcë të mbledhjes së detyrimit tatimor të tatimpaguesit nëpërmjet ekzekutimit mbi pasuritë e tij, publikohet në faqen zyrtare të internetit të administratës tatimore. Si pasuri e tatimpaguesit konsiderohen të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të tij, që janë në pronësi të tij, apo që ndodhen në përdorim, apo me të drejta të tjera tek persona të tretë. Në kuptim të pasurive mbi të cilat mund të vendosen masat e sigurisë përfshihen edhe pasuritë e personave të përcaktuar në nenin 99 të ligjit “Për procedurat tatimore”, të cilat shërbejnë për pagimin e detyrimeve tatimore për pjesën që atyre iu takon të paguajnë në përpjesëtim me detyrimin tatimor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here