Kërkonin të riktheheshin në fshat pas shpërnguljes në qytet, burrë e grua hidhen nga kati i 8 i pallatit

0
442

Një ngjarje tragjike u regjistrua mëngjesin e djeshëm në Berat, ku një çift të moshuarish u gjetën të pajetë poshtë pallatit ku banonin. Burrë e grua me probleme shëndetësore, ishin transferuar në qytet disa muaj më parë, por nuk ishin ambientuar dhe sipas familjarëve shpesh herë u kërkonin fëmijëve ti kthenin në fshatin ku jetonin më parë. Kujtim dhe Këze Agalliu, të moshuarit që i dhanë fund jetës në mënyrë tragjike në Berat e kishin paralajmëruar aktin ekstrem. Të vendosur në qytet vetëm 6 muaj më parë, ku jetonin të vetëm çifti 78 dhe 70 vjeçe nuk kishin arritur të ambientoheshin dhe u kishin kërkuar katër fëmijëve që jetonin në emigrim t’i kthenin në Qereshnik. Në të kundërt i kishin kërcënuar se do ti jepnin fund jetës, ashtu siç edhe ndodhi mëngjesin e kësaj të premteje, konfirmuan të afërm të familjes. “Më datë 30.11.2018, rreth orës 07:00, në vendin e quajtur “Pjeshkorja”, në lagjen “30 Vjetori”, Berat, shërbimet e patrullës konstatuan një çift të moshuarish të cilët dyshohet se janë hedhur nga kati i 8-të i pallatit, duke gjetur vdekjen”, raportoi policia e Beratit. Çifti Agalliu, mësohet se në muajin qershor të këtij viti ishin zhvendosur nga fshati Qereshnik i rrethit të Beratit drejt lagjes “30 Vjetori”, ku fëmijët i kishin blerë një banesë në katin e tetë të një pallati të ri të sapo përfunduar. Dy djem të familjes mësohet se jetonin në Itali, ndërsa një djalë tjetër i tyre dhe vajza jetonin në Greqi. Burri mësohet se vuante prej dy vitesh nga probleme të shëndetit mendor dhe skizofrenia, për të cilat kurohej me medikamente. Ndërkohë që gruaja i ishte nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale, pasi ishte konstatuar me tumor. Burime nga të afërm të çifti të të moshuarve thonë se se çifti prej kohësh ka deklaruar se do të vetëvritej nëse nuk i kthenin në fshat, por duket se askush nga fëmijët nuk e ka menduar seriozisht këtë kërcënim. Policia ka marrë në pyetje banorë të lagjes, ndërkohë që pritet të pyeten edhe të tjerë të afërm, gjë e cila do të zbardhë përfundimisht këtë ngjarje të rëndë.

Hetimet

Sipas hetimeve të para dyshohet se ka qenë burri ai që ka hedhur gruan nga ballkoni i katit të tetë ku jetonin dhe më pas është hedhur vetë. Dëshmitë e banorëve kanë hedhur dyshime tek policia se çifti i të moshuarve e kanë vendosur me iniciativën e tyre që të ndërmarrin këtë akt ekstrem. Ndërkohë, një nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes thotë se ka qenë 78-vjeçari, ai që ka shtyrë fillimisht bashkëshorten e tij dhe më pas është hedhur vetë brenda shumë pak sekondave. “Pamë që plaku e shtyu gruan dhe pak sekonda më vonë u hodh dhe vetë”. Kjo ka qenë dëshmia tronditëse e një prej dëshmitarëve të ngjarjes së rëndë që ndodhi sot në Berat, ku një çift bashkëshortësh u hodhën nga kati i gjashtë i një pallati. Gjithashtu banorë të pallatit ku ndodhi ngjarja e rëndë janë shprehur për mediat që e gjithë skena ndodhi në ballonin e banesës të dy të moshuarve. Që të dy të moshuarit kishin edhe probleme të rënda shëndetësore çka ka përkeqësuar gjendjen e tyre psikologjike. Burri vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe skizofrenia, ndërsa gruaja ishte konstatuar me tumor, siç konfirmojnë edhe të afërmit Të dhënat e para të policisë flasin për një akt ekstrem në kushtet e depresionit, por megjithatë pritet marrja në pyetje e familjarëve të çiftit dhe dëshmitarëve.

Elvis Myrta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here