CIA zbardh prapaskenat, ja si dështuan ndër vite tentativat për bashkimin Shqipëri-Kosovë, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç prishën planet e PPSH

0
426

Bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës është rikthyer dhe një herë në qendër të debatit. Kryeministri Rama ka deklaruar se kjo do bëhet realitet deri në 2025. Por kjo nuk është lëvizja e parë, pasi ka pasur dhe më herët të tilla tentativa. CIA tregon një dokument të periudhës komuniste ku synohej bashkimi, pro tentativat dështuan.

Janar 1953

Minoriteti shqiptar në Jugosllavi

Minoriteti shqiptar në Jugosllavi përbëhet nga një popullatë prej rreth 900.000 banorësh që jetojnë në Kosovë, në Malin e Zi dhe në perëndim të Maqedonisë. Kosova është teorikisht një krahinë autonome e Republikës së Serbisë, e cila edhe ajo është pjesë e federatës së Jugosllavisë. Me shtimin e Metohijes në Kosovë, rajoni mori emrin administrativ jugosllav Kosmet, i cili ka zyrtarisht 750.000 banorë, rreth 85 për qind e të cilëve janë shqiptarë etnikë. Në kohën e përcaktimit të kufijve të Shqipërisë në konferencën e Londrës në 1913, Kosova iu dha Serbisë, dhe shumë shqiptarë të rajonit u larguan në jug për në Shqipëri. Këta u strehuan kryesisht në krahinën e Krujës, Mamurrasit, Fusha e Mbretit (Elbasan), në Myzeqe dhe lokalitete të tjera. Të tjerë u përzunë nga serbët, mes të cilëve dhe familja Bllaca dhe familje fisnike katolike. Priftërinjtë Shtjefen Kurti, Gjon Bicaku, Mikel Shala arritën të shpëtonin jetën e tyre duke u larguar për në Shqipëri në vitin 1929. Në këtë kohë qeveria shqiptare dërgoi një notë proteste në Ligën e Kombeve (tanimë OKB) në lidhje me vrasjen e At Shtjefen Gjecov, e cila është përshkruar në një libër të Dr. Vasfi Samimi, të publikuar në Tiranë në 1943. Autoritetet jugosllave përfituan nga analfabetizmi i masave shqiptare dhe nën pretekstin se ishin turq dhe të fesë myslimane, i mohuan atyre të drejtën të flisnin gjuhën dhe të ruanin traditat kombëtare apo patriotike. Serbët i detyruan shqiptarët të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe në to u vendosën serbë dhe malazezë. Më prill 1939 Shqipëria u pushtua nga Italia dhe shqiptarët që jetonin në kufijtë e vitit 1913 të Shqipërisë së lirë nisën të luftonin pushtuesit prej ndjenjës së tyre të patriotizmit dhe dëshirës për liri. Situata e shqiptarëve të Kosovës gjatë kohës së luftës ishte krejt ndryshe. Ata ishin nënshtruar nga Jugosllavia, prandaj pushtimi italian e gjerman ishte një çlirim për ta. Por gjurmët e thella të zgjedhës jugosllave do të mbeteshin për vite me radhë. Në vitin 1941 kur gjendja e kosovarëve kishte arritur pikën më të keqe, Kosova u shpëtua dhe u bashkua me Shqipërinë. Grupe mësuesish dhe zyrtarësh administrate u dërguan në Kosovë nga Shqipëria në vitet 1941 e 1942. Zyrtarët e kuptuan gjendjen dhe ndjesitë e kosovarëve dhe zbutën disi urrejtjet dhe dëshirën e tyre për hakmarrje, duke rivendosur barazinë dhe të drejtat e tyre në lidhje me ato të serbëve dhe malazezëve. Nga viti 1941 deri në 1944 sllavët mbajtën postet e tyre në administratë por shumë prej tyre u larguan nga vendet e punës pasi ishin pasuruar tashmë në kurriz të skllevërve shqiptarë. Gjatë pushtetit shqiptar në Kosovë, serbët dhe malazezët kishin mbrojtjen e gjykatave kundrejt abuzimeve të shqiptarëve, të cilat ndërhynin menjëherë në favor të tyre. Për shembull në vitin 1944 një kosovar vrau një serb në Prizren për gjakmarrje, por vetë komandanti Xhafer Deva urdhëroi që vrasësi të ekzekutohej në po atë vend ku kishte kryer vrasjen.

Përçarjet

Komunistët e rezistencës në Shqipëri nisën të arrinin suksese me anë të intrigave mes intelektualëve shqiptarë dhe me anë të sloganeve patriotike apo citateve komuniste për “të drejtat e punëtorëve”. Ata propozuan që të gjithë shqiptarët të bashkohen me ta për të luftuar imperializmin nazifashist dhe nisën një fushatë intrigash dhe përçarjesh mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, të nxitur nga agjentët jugosllavë brenda Partisë Komuniste. Të dërguarit komunistë nga Shqipëria u pritën nga serbët e malazezët e Kosovës, të cilët i bindën komunistët shqiptarë se kosovarët ishin fanatikë fetarë. Minoriteti serbo-malazez në Kosovë ka pasur tendencë të besonte te komunizmi. Komunistët mes tyre përfituan rezultatet e punës së tyre në 1942 kur nxitën shqiptarët të digjnin qytetin e Pejës. Në ditët e para pas çlirimit të Kosovës, ishin komunistët që pretendonin se ishin misionarë të nacionalizimit shqiptar, me qëllim me qëllim nënshtrimin e kosovarëve ndaj komunizmit ndërkombëtar dhe rrjedhimisht sllavizmit. Pesëqind njerëz u vranë me armë zjarri dhe thika në sulmet e para të çetnikëve dhe më vonë nga partizanët. Liderët kryesorë komunistë ishin Fadil Hoxha, Mehmet Hoxha, Xhevdet Doda, vëllezërit Nimani, Hysni Zajmi, Ismet Shaqiri dhe të tjerë. Në dimrin e vitit 1943 ka pasur masakra të mëdha të kosovarëve në Rozaj. Me gjithë masakrat e çetnikëve dhe më vonë të partizanëve, kosovarët vazhduan rezistencën e tyre dhe luftuan kundër çetnikëve dhe partizanëve në Plavë, Guci, Rozaj, Tutinit, Mitrovicë, Gjilan, Raska dhe në lokalitete të tjera ku flitej shqip. Në vitin 1942 ata krijuar Lidhjen e dytë të Prizrenit, të drejtuar nga Bedri Pejani. Të gjithë shqiptarët iu përgjigjën thirrjes së Lidhjes dhe mbrojtën kufijtë e atdheut të tyre deri në ardhjen e ushtrisë sovjetike në Serbi. Lufta e kosovarëve ndaj komunistëve sllavë u inkurajua dhe nga gjermanët. Kosovarët e kishin bërë të tyren përpjekjen kundër komunistëve jugosllavë dhe u mbështetën nga grupe të Ballit Kombëtar shqiptar në qershor 1944. Por jugosllavët kishin arritur të infiltroheshin në Partinë Komuniste të Shqipërisë dhe thuajse kishin drejtimin e saj. Kështu, kreu i komunistëve të Shqipërisë, Sali Boshnjaku, i cili ishte në fakt famëkeqi Dushan Mugosha, urdhëroi Enver Hoxhën, Mustafa Gjinishin, Omer Nishanin dhe të tjerë të shpalleshin si çlirimtarë të vendit, duke mbajtur të fshehtë drejtuesit serbë të partisë. Patriotët e vërtetë shqiptarë po e kuptonin se komunistët po merrnin kontrollin dhe meritat e rezistencës, duke përfituar dhe ndihmën e forcave Aleate, prandaj nuk patën zë në çështjen e Kosovës. Komunistët shqiptarë vendosën që për çështjen e Kosovës të diskutohej pas mbarimit të luftës, kështu që kosovarët mbetën të ngatërruar mes intrigave të dy mjeshtërve jugosllavë, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosës. Për kosovarët ishte e pamundur të përballeshin njëherësh me komunistët shqiptarë të drejtuar nga Enver Hoxha, si dhe me serbët, malazezët, çetnikët dhe bullgarët. Kosovarët luftuan me të gjitha fuqitë për pavarësinë e tyre, duke mbrojtur rendin dhe kufijtë deri në 1944. Në Kosovë erdhën rreth 20-30 grupe komuniste të Shqipërisë të cilët nuk bënë shumë për të prishur rendin publik, por vranë Atë Lorenco Mitrovici dhe një ushtar në Gjakovë, si dhe prishën disa linja telefonike.

Bashkimi

Nga viti 1941 kur Kosova u bashkua me Shqipërinë, dhe deri në 1944 kur komunistët sllavë morën kontrollin, serbët dhe malazezët u trajtuan me barazi. Vuajtje pësuan vetëm ata që ishin kundër regjimit dhe merreshin me intriga politike. Edhe rendi publik ishte i mirë, dhe serbët, shqiptarët e malazezët mund të udhëtonin në qytetet e Shqipërisë dhe tregtarët mund të shisnin apo blinin mallrat e tyre lirshëm. Nuk kishte kriza urie dhe dyqanet ishin të mbushur me produkte. Kostot e jetesës u ngritën gjatë luftës por kjo erdhi sepse qeveria shqiptare kishte hequr standardet e këmbimit në flori. Forcat nacionaliste kosovare që kundërshtonin komunizmin qëndronin në male dhe drejtoheshin nga Ymer Berisha, Mulla Idrizi e Luan Gashi. Në 1944 vullnetarët nacionalistë të Kosovës u mundën nga Brigadat e 5-të, e 7-të deh e 17-të e partizanëve të Shqipërisë, të drejtuara nga Shfeqet Peçi, i lindur në Mallakastër. Të gjitha qytetet e Kosovës u pushtuan nga këto brigada, të cilat rekrutuan me forcë banorët në të ashtuquajturën “Ushtria Çlirimtare”. Teksa forcat gjermane tërhiqeshin, brigadat shqiptare i ndoqën ato deri në Banat, duke u prekur nga sëmundje si tifo dhe më pas u erdhi vdekja. Vetëm një e pesta e këtyre forcave u kthyen. Ndërkohë, Shaban Palluzha nga Drenica mori urdhër të formonte brigadën e re kosovare që do ndiqte gjermanët bashkë me forcat shqiptare. Kjo u kundërshtua nga profesor Ymer Berisha po nga Drenica i cili kërkoi të bindte nacionalistët të mos bashkoheshin me forcat shqiptare, duke thënë se sllavët po përpiqeshin të largonin kosovarët nga vendi duke i vënë në ndjekje të gjermanëve. Kryengritje të nacionalistëve kosovarë u zhvilluan në Drenicë e Llapje, ku banorët ishin besnikë ndaj frymës nacionaliste të Xhafer Devës. Shumë beteja të shqiptarëve kundër sllavëve dhe mbështetësve të tyre u zhvilluan në male, ku u vranë rreth 600 kosovarë dhe rreth 2500 sllavë. Tre beteja madhore u zhvilluan në Drenicë, Gjilan e Ferizaj. Nacionalistët kryen luftime të ashpra në Drenicë, ku karroca të panumërta transportonin municion dhe ushqim çdo ditë në front, dhe ktheheshin me të sëmurët e të plagosurit, për t’i çuar më pas në spitalet e Prishtinës, Mitrovicës e Peçit. Brigada e 7 e kuptoi që kosovarët do të luftonin deri në fund, prandaj ftoi për negociata Mufti Asim Lushën, ish-përfaqësuesin e Drenicës. Por komunistët shkelën rregullat e luftës duke vrarë në vend Muftiun, çka shkaktoi ashpërsim të luftimeve. Gjilani gjithashtu u ngrit në revoltë nën udhëheqjen e Mulla Idrizit. Forcat nacionaliste në pranverën e vitit 1945 sulmuan dhe fituan betejën në Ferizaj, por suksesi ishte jetëshkurtër prej mungesës së municioneve dhe disiplinës. Forcat komuniste ishin rigrupuar pas tërheqjes së gjermanëve deh arritën të mundnin grupet nacionaliste. Pas humbjeve të pësuara komunistët kryen masakra në disa qytete, duke detyruar nacionalistët të hiqnin dorë nga rezistenca e mëtejshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here