Liga e Kampioneve u rikthye mbrëmë me emocione dhe spektakël, por edhe me rezultate surprizuese. Ra në sy fitorja e skuadrave të mëdha, të cilat siguruan vendet e para në grup siç ishte Reali përballë Romës. Në grupin E nuk ka më dilema, pasi Bajerni i Mynihut dhe Ajaksi shkojnë më tej, pavarësisht se në grup mbetet dhe një raund ndeshjesh për t’u luajtur. Ajaksi siguron një fitore me shumë peshë për fatet e kualifikimit, pasi arriti një sukses të madh në Athinë përballë AEK-ut, duke fituar 2-0 dhe duke shkuar në 11 pikë, praktikisht i kualifikuar. Në të njëjtin grup, Bajerni e shkatërroi Benfikën. Arien Roben ishte heroi i takimit, pasi brenda 30 minutash në pjesën e parë shënoi dy gola. Pjesa e parë nuk do të mbyllej pa “vulën” e sulmuesit kryesor, Robert Levandovski, që shënoi golin e tretë për Bajernin në minutën e 36-të. Benfika shkurtoi në fillim të pjesës së dytë me Fernandez, por Levandovski në minutën e 51-të çoi në katër gola Bajernin.
Në fund pati radhë dhe për Riberi, që shënoi golin e pestë. Bajerni merr kështu kreun e grupit. Në grupin F, ndeshja midis Hofenheimit dhe Shakhtarit ishte rrebesh golash. Dy herë shënuan miqtë ukrainas brenda 20 minutave të para, por gjermanët barazuan shifrat 2-2 brenda 45-minutëshit të parë. Në pjesën e dytë në fundin e ndeshjes, ukrainasit shënuan golin e tretë, duke “ngrirë” gjermanët” dhe duke hapur garën për vendin e dytë në këtë grup me Lionin. Ndeshja tjetër e mbrëmjes, dueli i madh Lion-Mançester Siti, në pjesën e parë nuk prodhoi gola. Në fakt, Siti e kishte siguruar edhe matematikisht, pasi krejt rivaliteti në këtë grup është midis Lionit dhe Hofenheimit. Francezët më shumë u mbrojtën se menduan të sulmonin. Në pjesën e dytë pati katër gola, nga dy për secilin ekip, për pasojë ndeshja u mbyll barazim 2-2. Në grupin G, Roma dhe Reali i Madridit e kishin siguruar që më parë kualifikimin në turin tjetër të Champions League, kështu që mbrëmë luanin përballë njëra-tjetrës pa komplekse. Në këtë grup ndeshja e parë që u luajt ishte ajo mes CSKA-së së Moskës dhe Viktoria Plzen. Ishte një ndeshje ku rezultati dhuroi surprizë të madhe. Edhe pse rusët ishin favoritë, ndeshjen e fituan çekët 2-1, që e parakalojnë CSKA-në në renditje, ku edhe pse kanë secila nga katër pikë, fitorja në ndeshje direkte është vendimtare. Mbetet dhe një xhiro, por Plzen mund të luajë në Ligën e Europës si vend i tretë. Ndërkohë, kryendeshja e grupit, e luajtur në “Olimpiko” të Romës, dhuroi emocione dhe rivalitet. Pjesa e parë nuk prodhoi gola, pra u mbyll 0-0, por në fillim të pjesës së dytë Gareth Bejl shënoi për madrilenët në minutën e 47-të. Më pas ishte radha e Vaskez, kështu që Reali mori kreun e grupit.
Në grupin H, kryendeshja e mbrëmjes së djeshme ishte Juventus-Valencia. Pritej një shpërthim i Juves në këtë ndeshje, por bardhezinjtë hasën në vështirësi në finalizim. Fraksioni i parë i lojës u mbyll me rrjeta të paprekura. Në pjesën e dytë Mandzukiç kaloi “Zonjën” në epërsi. Valencia barazoi, por goli ishte i parregullt. Ndeshja tjetër Mançester Junajtid-Jang Bojs u fitua “in-extremis” nga ekipi i Murinjos 1-0 me gol të Fellainit. Gara për vendin e parë mbetet e hapur. Dueli tjetër i këtij grupi, Mançester Junajtid-Jang Bojs, ishte një tjetër takim që nuk prodhoi gola në pjesën e parë, pavarësisht dominimit të “Djajve të kuq”.
Adriatik BALLA