Carrie Johnson, bashkëshortja e ish-kryeministrit britanik Boris Johnson, ka bërë një rrëfim të fortë publik mbi përballjen e saj me përdhunuesin serial John Worboys, i njohur në Britani si “përdhunuesi i taksisë së zezë”. Në një artikull të gjatë për Daily Mail, Carrie Johnson tregoi se si, në vitin 2007, kur ishte vetëm 19 vjeçe, hipi në taksinë e Worboys pas një nate në Chelsea të Londrës, pa e ditur se po përballej me një nga grabitqarët seksualë më famëkeqë të Britanisë.
68-vjeçari po vuan burgim të përjetshëm për 19 akuza të lidhura me krime seksuale dhe është dënuar për sulme ndaj 12 grave mes viteve 2006 dhe 2008. Autoritetet britanike refuzuan këtë javë kërkesën e tij të dytë për lirim me kusht, duke bërë që ai të mbetet në burg. Sipas dëshmisë së Carrie Johnson, Worboys përdorte të njëjtën metodë me viktimat e tij: merrte gra të reja në taksinë e tij, u ofronte udhëtim falas dhe më pas i bindte të pinin alkool, ku pijet ishin të droguara.
“Isha një studente 19-vjeçare kur hipa në taksinë e John Worboys”, shkruan ajo, duke treguar se si shoferi pretendonte se kishte fituar para në kazino dhe donte të festonte me një gotë shampanjë. Carrie rrëfen se dyshoi gradualisht nga sjellja e tij, por në atë moment nuk e kuptonte rrezikun real. Ajo tregon se e derdhi fshehurazi shampanjën në tapetin e taksisë, pa e pirë, gjë që sipas saj mund t’i ketë shpëtuar jetën. Më vonë, Worboys ndaloi pranë Putney Common dhe u largua për disa minuta, duke pritur që droga të bënte efekt. Kur u kthye, ai tentoi t’i jepte edhe vodka, ndërsa biseda mori një drejtim gjithnjë e më seksual dhe shqetësues.
“Nuk e kuptoja ende se isha në rrezik të vërtetë”, shkruan Carrie Johnson, duke shtuar se në atë kohë thjesht donte të kthehej në shtëpi pa krijuar skena. Ajo pranoi të pinte një sasi të vogël vodka, por menjëherë pasi mbërriti në shtëpi gjendja e saj u përkeqësua. Nëna e saj e gjeti duke vjellë dhe pa kontroll mbi veten. “Dhoma po rrotullohej. Rashë pa ndjenja në vaskë, ende e veshur”, kujton ajo. Carrie Johnson thekson se vendosi të ndihmojë realizimin e serialit të ITV-së “Believe Me”, i cili trajton historinë e viktimave të Worboys dhe dështimet e policisë britanike për të parandaluar sulmet e tij për vite me radhë. Sipas saj, edhe sot mënyra se si trajtohen rastet e sulmeve seksuale nga autoritetet mbetet problematike, ndërsa vendimi për të mos liruar Worboys nga burgu ishte një lehtësim i madh për viktimat e tij.








































