Opozita në Parlamentin Kombëtar të Hungarisë e diskutoi çështjen e politikës së azilit të pushtetit në lidhje me arratinë e ish kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski, i cili kërkohet me urdhër arrest ndërkombëtar për shkak të dënimit me burg prej dy vitesh.
“Qeveria hungareze u tërhoq nga politika e azilit, duke pranuar një refugjat”, akuzon Adam Mirkoshki nga lëvizja opozitare për Hungari më të mirë – Jobik, e cila është fuqia e dytë politike në Parlament.
Ai njëherësh edhe pyeti se çfarë roli kanë pasur autoritetet hungareze në lidhje me kalimin e kufijve, si dhe cila ministri, kush dhe sipas urdhrit të kujt është vepruar në rastin me Gruevskin.
Sekretari shtetëror në zyrën e kryeministrit Viktor Orban, Ballazh Orban, ndërkaq, u përgjigj se ish-kryeministri i Maqedonisë Gruevski ka dorëzuar kërkesë për azil, pa cituar se në cilin vend e ka dorëzuar kërkesën dhe se autoritetet hungareze nuk ishin të përfshirë në arratinë e tij nga Maqedonia, ndërsa kërkesa është pranuar për shqyrtim nga “arsyet e sigurisë”.
Ai ka kërkuar nga opozita të ndalet me “fushatën e dezinformatave” në lidhje me rastin, veçanërisht me çështjet pse Gruevski nuk është në zonën e tranzitit.
“Rregullat e procedurave kufitare nuk mund të zbatohen për personat me trajtim të veçantë”, thotë Ballazh Orban. Sipas mediave hungareze konfirmohet se trajtimi special për Gruevskin është mundësuar sepse ka qenë kryeministër 10 vite.
Duke i komentuar kushtet në ligjin për azil, opozita ka komentuar me ironi se nuk ka pikë sipas të cilës ish kryeministri mund të marrë trajtim të veçantë, përveçse për fëmijët të cilët duhet të bashkohen me familjet e tyre ose për gratë shtatzëna.
“Rregullat në rastin e Gruevskit mund të zbatohen vetëm përderisa ai konsiderohet si “personalitet i rrezikuar” me “nevoja të veçanta”, thotë “Indeks”.
