Deputeti socialist, Spartak Braho, ka komentuar refuzimin që Presidenti Ilir Meta i bëri emrit të Sandër Lleshit.
Sipas tij, akti i dekretimit nuk është çështje bindjesh, por kërkesa dhe referenca kushtetuese, të cilat sipas tij, mungonin në rastin në fjalë. Ai thekson se me këtë argument, kreu i shtetit mund të refuzojë nesër edhe propozimin e mazhorancës qeverisëse për emërimin e kryeministrit.
Gjithashtu Braho i bën një paralajmërim të drejtpërdrejtë, teksa flet për një opsion tjetër ligjor dhe kushtetues që mund të ndërmerret nga mazhoranca.
“Me këtë logjikë, presidenti mund të kthejë mbrapsht tërë kabinetin qeveritar, gjë që s’është normale. Nuk ka asnjë pretendim nga presidenti që Sandër Lleshi nuk plotëson kriteret, nuk ka shprehur as mendime që lidhen me aftësitë profesionale, morale dhe politike të tij”, shprehet Braho për GSH.
“Në vazhdimësi antidekretin e presidentit e kanë gjykuar si anormalitet dhjetëra juristë e konstitucionalistë profesionistë. Nuk bëhet fjalë për diletantë, siç i fyen presidenti, por doktrinarë të çështjeve kushtetuese, mungesa e të cilëve në trupën e këshilltarëve të këtij niveli dukej qartë, për shkak të mungesës së argumenteve dhe aq më tepër të referencave kushtetuese për arsyetimin e refuzimit. Ky ishte diletantizëm ashiqare.Bile për të qeshur. Por nejse. Kryeministri e dërgoi përsëri propozimin për Sandër Lleshin për t’u dekretuar”, u shpreh Braho.
Ai hedh poshtë edhe rastin “Matarella”, që sjell Presidenti Meta për analogji, duke theksuar se idetë që përqafonte ministri që ai refuzoi binin ndesh me të gjitha parimet dhe politikën e shtetit italian. “Ai ka bërë një analogji, me kthimin që ka bërë Presidenti Sergio Matarrela për ministrin e qeverisë italiane, por kjo analogji nuk qëndron sepse ministri i refuzuar nga presidenti italian ishte kontrapedal me gjithë politikën që ndjek shteti italian në kuadër të marrëdhënieve me Bashkimin Europian”, shtoi Braho.
“Shpresoj të ketë reflektim pozitiv, përndryshe për të zhbllokuar situatën ka dhe edhe një opsion tjetër kushtetues dhe të ligjshëm”, nënvizoi Braho, çka duket se është një paralajmërim për Metën se mund të përballet dhe me një nismë shkarkimi, ndonëse mazhoranca nuk i ka votat.