Kumbaro premtoi Qendrën Kombëtare të Librit, Shkrimtarët: Reklamë, që ka qejf t’i bëjë vetes Ministria e Kulturës

    0
    540

    Politikat në fushën e librit dhe në ndihmë të autorëve lënë për të dëshiruar nga institucionet. Herë pas here në reagimet e tyre shkrimtarë të ndryshëm janë shprehur se vijon mungesa e vëmendjes dhe shumë pak bëhet për librin dhe promovimin e krijimtarisë. Ministria e Kulturës e akuzuar jo pak herë nga shkrimtarët për mungesën e vëmendjes, sipas tyre edhe pohimi më i fundit i bërë nga ministrja Mirela Kumbaro për krijimin Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit duket se nuk do të sjellë ndryshim të gjendjes problematike. Sipas tyre çdo projekt, që bëhet me dije nga Ministria e Kulturës deri tani ka treguar se nuk ka funksionuar në përmirësim të situatës. Shkrimtari Xhahid Bushati shprehet se edhe krijimi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, që bëri me dije pak ditë më parë ministrja e Kulturës do të vijojë të njëjtën rrugë. “Edhe kjo si një sajesë. Çdo lloj ideje apo projekti që bën Ministria e Kulturës, janë si një trëndafil i bukur në pamje të parë, por që nuk ka aromë. Pra e para nuk funksionon dhe e dyta nuk realizohen projektet që thotë. Mendoj se janë disa reklama që Ministria e Kulturës ka qejf t’ia bëjë vetvetes, dhe duket sikur po punon. Edhe tani që ka folur për krijimin e Qendrës Kombëtare të Librit vetëm sa për të të marrë mendjen, si puna e atyre fishkezjarreve shumëngjyrëshe”, pohon shkrimtari Xhahid Bushati, i cili herë pas here reagon për problemet që kanë autorët dhe libri në vend. Në lidhje me problemet, shkrimtari shton se nëse Ministria e Kulturës flet për krijimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, më parë duhet të mendojë që shpërndarja e librave është shumë problem. Sipas shkrimtarit do të ishte me rëndësi dhe krijimi i një agjencie për të shpërndarë librat në vend, pasi deri më sot kjo lë për të dëshiruar. “Përpara se Ministria e Kulturës të bëjë këtë Qendrën Kombëtare të Librit, ka shumë detyrim për shkrimtarët dhe librin për të bërë agjencinë që të shpërndahet libri. Përmes kësaj agjencie që duhet ta shpërndajë librin ai duhet të shkojë në të gjithë Shqipërinë. Dhe kjo duhet menduar përpara se ta bëjë këtë qendër të librit”, vijon shkrimtari Xhahid Bushati.

    Reklamë ndaj vetes

    Për shkrimtarë të ndryshëm ajo çfarë pohohet për librin nga Ministria e Kulturës mund të duket interesante, por nuk ka pasur rezultate. Sipas tyre edhe Lëvizja Kombëtare për Leximin, që pohoi disa ditë më parë ministrja Kumbaro nuk mund të ketë rezultatin që mendohet. Shkrimtari Xhahid Bushait vijon në reagimin e tij se Ministria e Kulturës më tepër po mendon se si ti bëjë vetes reklamë. “Për mua është interesante çfarë thotë, por nuk ka rezultate. Nuk shikoj kund rezultate nga ato që thotë ministrja, aq sa po ka rezultat lëvizja për lexim. Shikoj në bibliotekë fëmijët e kopshteve, por më falni çfarë? Ata mund të kënaqen, recitojnë, por çfarë bëhet? Pra kam përshtypjen që është një reklamë e bukur, që do ti bëjë vetvetes dhe për të dhënë idenë se ajo po punon. Idetë mund ti ketë të bukura, por nuk i realizon dot”, vijon shkrimtari Xhahid Bushati. Në lidhje me drejtoritë që janë në Ministri të Kulturës, ku drejtori libri nuk lexohet, sipas shkrimtarit po harrohet që duhen politika në ndihmë të librit në vend. “Ajo mund të zhbëjë struktura dhe të shpikë struktura, dhe kushedi çfarë konceptesh ka, por unë si shkrimtar nuk shikoj të bëhet gjë. Qytetet kanë mbetur provinca në këtë aspekt. Në Tiranë mbase mund të bëhet diçka, por më tej ka vetëm provincë”, vijon shkrimtari Bushati. Për një tjetër autor, Vasil Premçi me problemet që hasin prej vitesh në aktivitetin e tyre dhe krijimtarinë letrare, nuk mund të ketë më besim në atë që shprehet ministria. “Çfarëdo që të bëjë ka vetëm fjalë. Nuk kemi më besim se çfarë thotë ministrja për projektet apo librin”, pohon shkrimtari Premçi. Disa ditë më parë  kur Ministria e Kulturës bëri me dije platformën e Lëvizjes Kombëtare për Lexim emra të letërsisë u shprehën se nuk bëhet asgjë për të promovuar autorët shqiptarë.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here