Ndalimi i pijeve energjike për fëmijët, Manastirliu: Ja si do të veprohet dhe rreziqet

0
716

Një ndryshim i rëndësishëm ligjor po diskutohet aktualisht në Kuvend, ndryshimi i ligjit “Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit”, i cili do të përfshijë për herë të parë edhe ndalimin e përdorimit të pijeve energjike dhe pijeve të gazuara me sheqer.

“Ky ndryshim ligjor është i domosdoshëm për mbrojtjen dhe mirërritjen e fëmijëve, është një nismë që do t’ju shërbejë gjeneratave të ardhshme, për të patur një popullatë sa më të shëndetshme”, u shpreh në fjalën e saj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Duke ju referuar të dhënave të fundit që tregojnë ndikimin e konsumimit të këtyre pijeve tek shëndeti i fëmijëve dhe adoleshentëve, Ministrja Manastirliu shprehu mbështetjen pa rezerva të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për kontrollin e ndalimit të konsumimit të pijeve energjike me përmbajtje të lartë të kafeinës dhe pijeve e gazuara që përmbajnë sheqer nga të miturit.

“Nuk është një sfidë e lehtë, por ne do të vëmë në dispozicion të gjithë burimet tona për të ushtruar kontrolle të vazhdueshme në të gjithë vendin, me qëllim minimizimin, deri në ndalimin e përdorimit të alkoolit, pijeve energjike dhe pijeve të gazuara nga të miturit”, tha Manastirliu.

Pasojat e konsumimit të pijeve energjike dhe pijeve të gazuara me sheqer kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek mirërritja e fëmijëve. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, në veçanti, tek fëmijët dhe adoleshentët, pijet energjike mund të shkaktojnë çrregullime të rrahjeve (ritmit) të zemrës. Fëmijët, veçanërisht ato me sëmundje kardiovaskulare, renale ose të mëlçisë, me epilepsi, diabet, mungesë humori dhe çrregullime të sjelljes, me hypertiroidizëm ose ata që marrin medikamente të caktuara, mund të jenë në rrezik më të lartë për ngjarjet e padëshiruara nga konsumimi i pijeve energjike.

Po ashtu, ekziston evidencë e bollshme shkencore lidhur me efektet negative të pijeve me sheqer tek fëmijët dhe adoleshentët. Kështu, shumica e studimeve raportojnë lidhje të fortë midis konsumit të pijeve me sheqer dhe rrezikut të obezitetit, rezistencës ndaj insulinës, pra rritje të rrezikut për zhvillimin e diabetit tek fëmijët dhe adoleshentët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here