Ekspozita “Nëntori” këtë vit vjen në edicionin e 21 të saj. Prej vitesh ekspozita ka bërë bashkë artistë të njohur, të cilët edhe këtë vit kanë nisur punën për ekspozitën që do të çelet në nëntor në galerinë e artit FAB. Prej vitesh pa vëmendjen e institucioneve, artistët pohojnë se ndaj tyre është treguar një qëndrim jo vlerësues. Piktori Besim Tula njëkohësisht dhe organizator i ekspozitës “Nëntori” tregon se nuk kanë aplikuar te Ministria e Kulturës për këtë edicion, pasi dhe në njëzet vjetor nuk patën asnjë ndihmë. Piktori tregon se janë artistët që kanë bërë histori në artin shqiptar, por sot të braktisur. “Ekspozitën e këtij viti ne po e organizojmë vetë. Nuk kemi aplikuar në Ministri të Kulturës për ekspozitën “Nëntori” që këtë vit vjen në edicionin e 21, sepse dhe vjet që aplikuam na dhanë vetëm qeranë e sallës në Muzeun Historik Kombëtar. Vjet ishte dhe njëzet vjetori i këtij aktiviteti, ku kanë qenë pjesëmarrësit më të mirë të artistëve të historisë së artit tonë, si Ismail Lulani, Sali Shijaku, Vilson Kilica, profesor Sadik Kaceli, Ksenofon Dilo etj. Kjo që po ndodh me “Nëntorin” mendoj se në përgjithësi nuk janë profesionistë të vërtetë ata që janë në komisionin e Ministrisë së Kulturës. Ne nuk i dimë kush janë, por ata ose kanë presion ose nuk njohin historinë e artit”, pohon piktori Besim Tula. Një vit më parë ekspozita u çel në edicionin e njëzet në Muzeun Historik Kombëtar dhe këtë vit do të hapet në galerinë e artit FAB. Por në reagimin e tij piktori Besim Tula vijon se me qëndrimin që mban Ministria e Kulturës ndaj këtij grupimi artistësh duket se nuk tregon interes se si zhvillohet kultura. “Unë nuk e di kujt i leverdis të eci kultura, i leverdis ministrisë apo jo. Sepse kur shikon ndonjëherë aktivitete krejt të rëndomta, që sponsorizohen nga Ministria e Kulturës, e ndjen që nuk ka interes nga ajo për ecjen e kulturës. Pra sponsorizohen më shumë aktivitete, që krijojnë festë popullore dhe ato që kërkojnë mund dhe kohë, hapësirë, etj, nuk kanë vëmendje. Në një ekspozitë të gjitha kthehen në shtëpi, sepse autorëve nuk iu shiten veprat, por ata nuk demoralizohen dhe sërish punojnë”, vijon piktori Besim Tula.
Pa mbështetje artistë me dekada krijimtari
Puna për edicionin e 21 të ekspozitës ka vijuar, por piktori Besim Tula tregon se artistët kanë qenë të rregullt dhe me aplikimet, por nuk kanë pasur mbështetje financiare për ekspozitën. “Është fyese për ne qëndrimi i ministrisë. Ne i bëjmë të gjitha për aplikimet dhe në fund nuk japin asgjë. Në këtë qeverisje, ne pothuajse me “Nëntorin” nuk kemi marrë asnjëherë mbështetje, ndërsa me qeveritë e mëparshme kemi pasur një ndihmë”, shprehet piktori Besim Tula. Edhe piktori Adrian Devolli pjesë grupimit të artistëve të “Nëntorit” vijon të pohojë se për të mbështetur këta artistë asnjëherë nuk është menduar seriozisht nga Ministria e Kulturës. “Te ekspozita “Nëntori” marrin pjesë artistë të njohur, burra që janë deri në 70 vjeç, dhe në vendet e tjera i luten këtyre artistëve për krijimtarinë, por këtu shikon vetëm përbuzje. Ndaj ç’të të themi ne? Këtu është një mizerje. Mund të flasësh sa të duash, por asnjë nuk të dëgjon. Duke mos u mbështetur artistët që kanë mbi 50 vjet krijimtari artistike, atëherë pse te vijmë sërish tek ty si ministre të trokasim? Por ndërkohë duhet të jetë vetë kjo Ministri Kulture, që ti kërkonte këta artistë për aktivitetin e tyre dhe ekspozitën. Duhet të ishte ministria ajo që ti ftonte dhe të kishte vëmendje për ekspozitën, por tani ne që po bëhemi gati për edicionin e njëzet e një të “Nëntorit” do ti paguajmë vetë sërish çdo gjë”, shprehet piktori Adrian Devolli.
Nga Julia Vrapi