Inter-Milan mbledh 80 mijë vetë në “San Siro”, zikaltrit do të fitojnë 5 mln euro nga biletat

0
380

Të dielën në mbrëmje do të luhet kryendeshja e kampionatit italian, derbi i “Madoninës”, Inter-Milan. Kjo përballje vjen në kuadër të fazës së parë dhe do të thotë shumë për objektivat e këtyre dy skuadrave në Serie A italiane, por në të njëjtën kohë ka mobilizuar mijërat e tifozëve që nuk lanë një biletë të binte në tokë. Janë shitur të gjitha dhe duke qenë se Interi është klub pritës, fitimet kolosale në miliona euro shkojnë për zikaltrit.

Natyrisht, Interi në këtë pjesë të parë të sezonit e ka fituar duelin me Milanin për afrimet në stadium, pasi në ndeshjet e Interit impianti është plot dhe kalon mesatarisht 60 mijë tifozë për ndeshje, kurse Milanin e kanë penalizuar ndeshjet në Europa League, sepse rivali luan në Champions League. Derbi i Milanos po troket, me emocionet dhe spektaklin që pritet të përcjellë. Edhe tifozët duket se nuk do të lënë vend bosh në “San Siro” për këtë Supersfidë. Takimi i 169-të mes Interit e Milanit në Serinë A pritet të ketë 78 mijë të pranishëm. Do të jetë ndeshja me më shumë tifozë për këtë fillim sezoni të Serisë A, ku në arkat e ekipit të Spaletit do të derdhen gjithashtu mbi 5 milionë euro. Që nga muaji gusht, tribunat e stadiumit milanez kanë qenë më të mbushurat në Itali. Interi ka arritur në kuotën e 294.233 tifozëve gjithsej, me një mesatare 59 mijë të pranishëm për ndeshje, ndërkohë tek kuqezinjtë kanë qenë të pranishëm 179.855 tifozë, pra rreth 45 mijë për ndeshje. Në këto statistika, ndeshja që ka penalizuar ekipin e Gatuzos është ajo me Olimpiakosin për fazën e grupeve të Europa League, e cila solli vetëm 22 mijë spektatorë në “San Siro”. Të dyja skuadrat vijnë nga një periudhë më se pozitive, duke i rritur pritshmëritë e tifozerive për derbin. Interi vjen pas 6 rezultateve pozitive radhazi, ndërkohë Milani ka krijuar një farë vazhdimësie me 3 fitore të njëpasnjëshme. Kjo dashuri për ngjyrat kuqezi e zikaltër nuk përbën një lajm të ri. Të gjithë tifozët shpresojnë se ekipet e tyre të zemrës do të ngjiten përsëri në majat më të larta të futbollit europian, aty ku me të vërtetë u takon.

Ndërkohë, një nga lojtarët e rrezikshëm të Milanit, Suso, është shprehur se Interi e ka kontaktuar por ai e refuzoi dy herë, sepse i pëlqente të vishte vetëm fanellën e Milanit. E tregon vetë 24-vjeçari për mediat italiane para derbit të së dielës. “Interi më kërkoi në vitin 2017, por edhe verën që sapo kaloi, por unë kurrë nuk ka menduar të ndryshoj fanellë. Jam shumë i kënaqur që qëndrova te Milani”, u shpreh Suso. Nuk është një mister që zikaltrit kërkonin një alternativë për Perisiçin dhe Kandrevën në krahët e sulmit. Suso kishte profilin e duhur, por në pamundësi për të blerë spanjollin, u afruan Politano dhe Keita. Theksojmë se derbi i “Madoninës” është një prej dueleve më të ndjekur në Europë. Në derbe të tilla spektakli dhe emocioni janë të garantuar.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here