Orkestra Simfonike e Vlorës vjen me koncert në 40 vjetor

0
575

Orkestra Simfonike e Vlorës vjen me një koncert në teatrin “Petro Marko” me rastin e 40-vjetorit të krijimit të saj. Nën drejtimin mjeshtrit Oleg Arapi në program janë vepra nga kompozitorët e njohur si Mascagni, Briten, Puccini, Bizet dhe shqiptar si Kujtim Laro, Arian Avrazi, Aulon Naçi. Koncerti mbrëmjen e së dielës me rastin e 40 -vjetorit të krijimit të Orkestrës Simfonike të Vlorës organizohet me iniciativën e drejtorit të teatrit Dhimitraq Furxhi. Mjeshtri Oleg Arapi pohon se koncerti në kuadër të 40-vjetorit të krijimit të Orkestrës së Vlorës është një ngjarje e rëndësishme muzikore. “Përfaqëson trashëgiminë kulturore muzikore, e cila duhet të vazhdojë, sepse çdo komb përfaqësohet nga arti i vet kulturor muzikor. Është një trashëgimi e të parëve tanë dhe është detyrë për brezat, që janë e që do të vijnë që ta zhvillojnë e të mos e harrojnë”, pohon dirigjenti i njohur.

Në përbërjen e orkestrës dirigjenti tregon se janë artistë me të cilët janë realizuar koncerte simfonike, koncerte në kuadër të festave të ndryshme me karakter historik si lufta e Drashovicës, lufta e Vlorës, shpallja e Pavarësisë, çlirimi i Vlorës, anketa muzikore, festivale të këngës, festivale të pionierëve e shumë aktivitete të tjera. Por po ashtu kjo orkestër ka edhe artistë të rinj të talentuar që përgatit Shkolla e Muzikës së Vlorës dhe ata që vazhdojnë studimet e larta në Universitetin e Arteve. “Kjo bën shkrirjen e eksperiencës me talentet e rinj gjë që jep realizimin me profesionalizëm të veprave muzikore, që interpretojnë”, vijon dirigjenti Oleg Arapi. Më tej ai tregon se programi i koncertit është bazuar edhe në krijimtarinë e kompozitoreve vlonjate. “Janë dy materiale nga mjeshtri i pavdekshëm i krijimtarisë muzikore Kujtim Laro dhe kompozitori i ri Aulon Naçi. Veprat e këtij të fundit e titulluar “Lot shiu”, interpretuar në piano nga vetë autori dhe në fyell dhe cyle dyjare nga mjeshtri Vendim Kapo, ka të ndërthurur motivet popullore të këngës vlonjate me imazhet e shiut që shkrihen bukur në sfond të harqeve. Interpretimin solo në piano të muzikës së filmit “Në fillim të verës” të Laros, do e interpretoje pianistja Ardita Bufaj. Në program është  dhe një vepër e bukur e kompozitorit Arian Avrazi e titulluar “Elegji”. Po kështu do të ketë vepra edhe të kompozitoreve të njohur të huaj”, vijon dirigjenti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here