PE diskuton rezolutën për Shqipërinë: Godisni korrupsionin dhe krimin e organizuar, të ngrihen sa më shpejt SPAK dhe BKH

0
546

Bashkimi Europian kërkon më tepër goditje ndaj krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Ditën e djeshme Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian ka diskutuar raportin e Knut Fleckenstein për Shqipërinë. Për këtë raport janë paraqitur 23 amendamente. Gjatë debatit, raportuesi Knut Fleckenstein ka deklaruar, se njihet progresi i deritanishëm për reformat e integrimit, por duhet vijuar me zbatimin e tyre. Fleckenstein ka vënë në pah ecurinë e mirë të procesit të Vetingut, por ka kërkuar vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërsa raportuesi Eduard Kukan edhe pse ka njohur progresin e Shqipërisë deri tani, është treguar i ashpër për problematikën e krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend, duke thënë se këto probleme po cenojnë ecurinë e vendit në procesin e integrimit europian. Gjatë debatit i është kushtuar vëmendje edhe përmirësimit të të drejtave të njeriut, çështjes së pronës, mbrojtjen e pasurive natyrore dhe respektimin e standardeve europiane për hidrocentralin mbi lumin Vjosa dhe hidrocentrale të tjerë. Ajo që bie në sy në amendamente dhe rezolutë është se BE kërkon më tepër vëmendje te reforma në drejtësi, lufta antikorrupsion, reforma zgjedhore dhe te konsensusi politik.

“PE mirëpret ndryshimet e fundit ligjore për luftën anti-korrupsion; thekson nevojën për të përfunduar sa më shpejt ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; përsërit rëndësinë thelbësore të zbatimit të procesit të vetingut në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të paanshme; thekson se zbatimi korrekt ka influencë pozitive në rritjen e besimit të popullit te trupat gjyqësorë; i bën thirrje qeverisë të veprojë kundër zyrtarëve të lartë që nuk kanë deklaruar të dhënat e tyre kriminale; bën thirrje për përmirësim të bashkëpunimit institucional dhe këmbim të informacionit mes policisë dhe prokurorisë; mirëpret rivlerësimin e personelit të organeve të rendit sipas ligjit të vetingut në polici”, thuhet aty.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here