Departamenti i Taksave të shtetit New York ka nisur dje veprimet hetimore kundër presidentit të SHBA, ish-biznesmenit Donald Trump, pas një shkrimi të gazetës New York Times ku thuhet se ka përdorur metoda të dyshimta për t’iu shmangur taksave. Artikulli tha se me anë të ka mashtrime tatimore, Trump ka rritur ndjeshëm pasurinë e tij, e cila nisi fillimisht me huanë apo trashëgiminë e prindërve. Departamenti i Taksave tha dje se po merrte seriozisht akuzat dhe se “po ndiqte në mënyrë aktive rrugët përkatëse të hetimit”. Zotit Trump i pëlqen ta përshkruajë veten si njeri që e ka krijuar vetë suksesin e tij financiar, duke thënë se e filloi gjithçka me një kredi relativisht ‘modeste’ prej 1 milion dollarësh nga i ati dhe pastaj e ngriti pasurinë me anë të investimeve dhe marrëveshjeve fitimprurëse. Por në shkrimin e detajuar të së përditshmes Nju Jork Tajms, thuhet se zoti Trump mori rreth 413 milionë dollarë nga babai i tij, Fred Trump, manjat i pasurive të patundshme në Nju Jork.
Trump: Gazetë e dështuar që ritregon historitë
Presidenti Donald Trump reagoi dje ndaj artikullit të New York Times, pa e mohuar në mënyrë specifike sjelljen e pretenduar por duke përmendur dështimet e saj të mëparshme. “E dështuara New York Times por risjell nga e shkuara një akuzë të vjetër e të mërzitshme dhe kjo do të thotë se në total 97% e lajmeve të tyre për mua janë negative. Ata asnjëherë nuk e morën veten që kur bënë zgjedhjen e gabuar gjatë fushatës presidenciale”, shkroi presidenti Trump në një koment. Por gazeta mbrojti artikullin e saj duke thënë se kishte rishikuar mijëra dosje me të dhëna. “Ky është një artikull i fuqishëm gazetarie investigative dhe rezultat i 18 muaj hetimesh gjatë të cilave janë konsultuar rreth 100,000 faqe me të dhëna. Është i saktë i paanshëm dhe ne e mbështesim plotësisht”, tha një zëdhënës i gazetës njujorkeze. Por megjithëse Trump e quajti historinë “të mërzitshme e të treguar shpesh,” ajo hynte shumë më thellë në praktikat taksore të familjes Trump nga raportimet e mëparshme.
Skema e përfitimit
Sipas gazetës, zoti Trump krijoi një skemë për të ulur vlerën në letër të pronave të patundshme që zotëronte, në mënyrë që të bënte zbritje të ndjeshme në faturën tatimore. Gazeta njofton gjithashtu se zoti Trump, vëllezërit e motrat e tij krijuan një korporatë të rreme për të fshehur dhuratat e mëdha në para që u bënte i ati. Sipas gazetës, të dhënat tatimore tregojnë se familja Trump pagoi vetëm një pjesë të taksave që duhet t’i paguanin qeverisë federale sipas kodit tatimor. Shtëpia e Bardhë lëshoi të martën vonë, një deklaratë lidhur me akuzat: “Fred Trump ka 20 vjet që nuk është më dhe është për të ardhur keq që shohim këtë sulm ndaj familjes Trump nga gazeta e dështuar Nev York Times. Shumë dekada më parë Agjencia e Taksave i shqyrtoi dhe i miratoi këto transaksione. Besueshmëria e Nju Jork Tajmsit dhe e mediave të tjera për popullin amerikan është më e ulta e të gjitha kohërave, sepse ato e kanë fiksim sulmin ndaj presidentit dhe familjes së tij 24/7 në vend që të raportojnë lajme”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders në një deklaratë. Gazeta thotë se e bazon shkrimin e saj në intervista me ish-punonjësit e zotit Fred Trump dhe në dokumente me taksat personale të zotit Trump.